Liljana Kalleshi, “gjigantja” e cirkut kombëtar me karrierë unikale

0
23


Kulmi i një veprimtarie është kur ajo shndërrohet në art dhe Liljana Kalleshi e ka shndërruar në art talentin dhe veprimtarinë e saj, duke qenë një zë i fuqishëm i cirkut kombëtar, një përfaqësuese e denjë e tij, një akrobate që i bëri numrat e saj në skenë të ishin art i cilësisë së lartë. Madje, vetë Enver Hoxha, pas një shfaqjeje të cirkut, pasi i thuri elozhe punës së bërë nga trupa e Shkodrës, veçoi për nivelin artistik Liljana Kalleshin, e cila, që të nesërmen, mori statusin e akrobates profesioniste. Më vonë Liljana ka drejtuar me sukses grupin e akrobatëve për 23 vjet, derisa doli në pension. Ka një karrierë brilante si pjesë aktive e cirkut, por edhe si drejtuese, duke vënë në skenë numra të vështirësisë së lartë, që kanë lënë mbresa tek spektatorët dhe janë vlerësuar lart nga kritika e kohës. Lodhja ka qenë e madhe, puna me përkushtim të pazakontë, por ajo që e ka bërë të veçantë Liljanën në karrierën e saj ka qenë talenti i saj i lindur. Gazeta “SOT”, sjell në këtë speciale, intervistën me Laureaten e Çmimit të Republikës, profesionisten e cirkut kombëtar dhe mbajtësen e shumë medaljeve dhe dekoratave të dhëna gjatë karrierë së gjatë të saj si artiste cirku, Liljana Kalleshin.

Kush është Liljana Kalleshi?

Datëlindja: 18.05.1951

Vendlindja: Shkodër

-Debutoi për herë të parë në teatrin “Migjeni” me Estradën Profesioniste të Shkodrës në vitin 1960, në moshën 9-vjeçare.

-Në vitin 1966, në moshën 15-vjeçare, emërohet instruktore cirku pranë Shtëpisë së Pionierit në Shkodër.

-Në vitin 1967 emërohet Profesioniste, pranë Trupës Profesioniste të Estradës së Shkodrës.

-Po në vitin 1967 emërohet Drejtuese e Grupit të Cirkut pranë Teatrit “Migjeni”.

-Më 17 nëntor të vitit 1967, në festivalin Kombëtar të Estradave Profesioniste nderohet me çmimin më të lartë të të festivalit dhe të kohës, “Laureate”.

-Po në vitin 1967, zgjidhet anëtare e Këshillit Artistik të Teatrit “Migjeni”.

-Më 1968, në Kampionatin kombëtar të Akrobacisë, shpallet “Akrobatja më e mirë”.

-Në vitin 1969, në finalet e Spartakiadës së Dytë Kombëtare, fiton medalje argjendi në sportin e gjimnastikës.

-Më 1972, në Takimin e Estradave Profesioniste në Peshkopi, nderohet me çmimin e parë të festivalit.

-Më 1977, në Festivalin Kombëtar të Estradave Profesioniste, zhvilluar në Sarandë, vlerësohet me çmimin “Artistja më e Talentuar e Shqipërisë”.

-Më 1984, Kuvendi Popullor i kohës, e dekoron me medaljen “Naim Frashëri”.

-Më 1988, në Takimin e Trupave të Cirkut të të gjithë Shqipërisë, fiton çmimin “Trupa më e Mirë e Cirkut të Turneut”.

Nga viti 1967-1990, drejtoi Grupin e Akrobatëve, duke zhvilluar disa premiera Cirk Variete, të mirëpritur nga artdashësit shqiptarë.

-Në vitin 1990 mbyll karrierën.

-Më 2012, Presidenti i Republikës e dekoron me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”.

-Më 2016, dekorohet me “Nderi i Qarkut  Shkodër”.

-Më 2020, Bashkia e Tropojës e vlerëson me titullin e lartë “Qytetare Nderi e Tropojës”.

– Si lindi dashuria juaj për cirkun dhe në ç’moshë nisët të ushtronit këtë lloj arti?

Me cirkun jam lidhur që e vogël, falë të dhënave dhe talentit tim në këtë fushë. Jam angazhuar me cirkun e Shkodrës që në moshën 9-vjeçare. Ka qenë një grup fëmijësh dhe të rinjsh shumë të talentuar. Na drejtonte Myftar Tafili. Atje, me grupin e cirkut, ishte dhe Faruk Kalleshi, i cili më pas do të bëhej bashkëshorti im. Në atë moshë unë frekuentoja cirkun por edhe baletin, pasi kisha të dhëna shumë të mira dhe në Shtëpinë e Baletit drejtonte Roza Anagnosti. Të dy më donin për vete, pasi më kishin vlerësuar si talent të veçantë. Shumë vite isha zbatuese e numrave artistikë, kurse në moshën 15-vjeçare arrita të bëhem instruktore në Shtëpinë e Pionierit.

– Ju keni pasur një karrierë të gjatë, si vijoi ajo?

Talenti im, por edhe puna me pasion dhe përkushtim të madh, na sollën suksese të mëdha me cirkun, pasi numrat tanë, shfaqjet tona në tërësi, kishin impakt të madh tek publiku, kështu që kemi marrë duartrokitjet e ngrohta të spektatorëve, por edhe vlerësime për kohën. Nga mosha 9-vjeçare e deri në moshën 45-vjeçare, kur dola në pension të parakohshëm, nuk iu ndava punës me Estradën, duke qenë drejtuese e cirkut, i cili në atë kohë ishte grupi më i mirë në Shqipëri.

– Koha ka qenë e tillë që kishte masivitet në çdo fushë. Si ishte ky tregues në cirk?

Po, kishte shumë të rinj e të reja të talentuara. Ne kishim një grup me 30 apo 40 vetë. Kemi kaluar shumë nëpër duar, kishte seleksionime dhe puna, gërshetuar me pasionin dhe talentin, solli cilësi të shfaqjeve, cilësi që në atë kohë arriti maksimumin e vet.

– Si ka qenë njohja juaj me Faruk Kalleshin, me të cilin lidhët më vonë jetën tuaj e krijuat familje?

Faruku ishte 15 vjeç kur unë iu ngjita cirkut. Ai ka qenë krahu i djathtë i imi në ato vite sa të bukura, aq dhe të lodhshme. Kemi bërë gjëra të mëdha me trupën e cirkut dhe Faruku ka qenë një mbështetje e madhe. Me punën tonë ne kemi konkurruar dhe fituar edhe ndaj trupës së Tiranës. Kemi bërë aktivitete shumë të bukura, me nivel të lartë ekzekutimi, me numra të shkallës së lartë të vështirësisë. Të japësh premier cirku nuk është e lehtë dhe unë isha e vetmja femër në organikë. Kur Faruku iu bashkua Partizanit në Tiranë, për 3 vjet, ne shkëmbenim letra, i shkruanim njëri-tjetrit për sukseset tona etj, por ndërkohë kishim nisur të pëlqeheshim dhe pavarësisht se nuk ishim lidhur zyrtarisht, ne ishim të dashuruar në atë periudhë. E donim njëri-tjetrin në heshtje. Kur ai ishte 25 vjeç e unë 19 u martuam dhe prej atij momenti kemi 50 vjet së bashku. Jemi karaktere të ndryshme, por kemi qenë të lumtur pranë njëri-tjetrit. Farukun e kam ndihmuar në shumë aspekte, siç thashë duke i mundësuar që ai të ecë në sport me përkushtim të plotë. Kjo më ka shkaktuar shumë lodhje, por për arritjet që kemi ndihemi mirë.

– Sa e vështirë ka qenë të përballohet puna dhe familja?

Shumë e vështirë, ka qenë një lodhje e paparë. Nuk është e lehtë të bësh profesionin tënd në nivel të lartë artistik, të kesh burrë një sportist të madh dhe njëherësh kampion, por edhe t’i përkushtohesh familjes. Në këtë drejtim, mendoj se puna ime ka qenë vendimtare edhe për Farukun, të cilit, duke mbuluar të gjitha punët e shtëpisë, iu lehtësua rruga për të korrur suksese të mëdha në peshëngritje. Nuk mund ta mohoj që kam qenë jashtë mase e dhënë pas familjes. Kam një vajzë dhe një djalë. Unë ende vijoj të jem e angazhuar në këtë drejtim, përpiqem të bëj sa më shumë si nënë e si bashkëshorte, kujdesem, kontrolloj, inkurajoj.

-Pse cirku i asaj kohe kishte kaq popullaritet?

Mund të flitet shumë për këtë, por unë dua të veçoj disa gjëra si vullnetin, talentin, pasioni dhe organizimi. Në cirk ka shumë role, por unë, përtej modestisë, i kam bërë të gjitha, për të pasur kështu një karrierë unikale në cirk.

-Një shfaqje juaja është ndjekur nga diktatori Hoxha në atë kohë. Cila qe përshtypja e tij?

Ne bëmë një shfaqje para tij dhe ai e pëlqeu. Madje, duartrokitjeve të tij iu bashkuan duartrokitjet e zjarrta të sallës. Pas shfaqjes ai e vlerësoi shumë punën e trupës tonë, duke përmendur në veçanti emrin tim. Që të nesërmen, më thirrën në Komitetin Ekzekutiv dhe më thanë se në Tiranë nuk të lejojmë të shkosh, pasi kishin nevojë për mua, por më kishin emëruar “Profesioniste”.

– Cila ka qenë marrëdhënia juaj me publikun?

Publiku më ka admiruar, më donte shumë. Në fakt, unë s’kam bërë vetëm cirk, por edhe art në teatër. Një figurë e nderuar si S. Fango ka thënë që “nëse do të ishin të gjithë si Liljana do të bëheshin të gjithë ‘Artistë Populli’”. Megjithatë, cirku vlerësohej shumë, ndoshta më shumë se sporti.

– Kush mund të konsiderohet kulmi i karrierës së një profesionisti në cirk?

Festivalet ishin kulmi më i madh i shfaqjeve dhe me konkurrim shumë të fortë. Trupa jonë dhe unë personalisht këtu kemi shkëlqyer më shumë. Duke marrë çmime të para në aktivitete të tilla, ka qenë për mua një kënaqësi e veçantë. Kemi ngjitur në skenë numra dhe premiera nga më të bukurit, si “Vëlla e Motër” etj, por kam bërë edhe Çarli Çaplinin. Shumë njerëz kanë kujtuar se kam qenë kukull vërtet e jo njeri.

– Cilat kanë qenë cilësitë tuaja më të forta?

Unë kam qenë artiste, krijuese, me fantazi duke nisur nga veshja e deri tek veprimet, kam realizuar premiera të arrira ku çdo gjë shkonte në perfeksion. E që ta bësh këtë duhet të kesh dhunti, gjë që unë e kam pasur.

– Ç’mendim keni për cirkun sot?

Mua më ftojnë t’i ndjek shfaqjet, por më duhet të them se niveli lë për të dëshiruar. Shteti duhet të ketë një vëmendje më të madhe ndaj cirkut. Ishte ndryshe brezi ynë, ishte një brez i shkëlqyer. Numrat që kemi vënë në skenë kanë qenë të nivelit shumë të lartë. Dobësia e nivelit të sotëm bie ndesh me të djeshmen. Me sa duket, skamja e atëhershme kishte vullnetin, pasionin dhe nivelin e lartë të punës. Sidomos kur e krahasoj këtë me punën dhe numrat që kam realizuar. Mbaja 4 vetë në trup, kam arritur të mbaj 16 gota, me një sforco të jashtëzakonshme, një numër shumë i rëndë. Sot vuaj pasojat e asaj pune të madhe, sepse krijohen problemet me kolonën. Një nga numrat më të vështirë ka qenë futja në valixhe dhe dy muaj pasi kisha lindur vajzën (Anilën), shkova dhe fitova çmim të parë në festival. Ishte një kohë kur artistët e mëdhenj thonin “s’shkojmë në skenë pa Lilin”, sepse  atë që kam ditur të bëj e kam bërë në mënyrë të qëndisur, cirkun e kam bërë art. Ishte art sepse çdo lëvizje e duarve, e këmbëve, e trupit, bashkë me veshjet etj, meritonin notën më të lartë. Po të kishim mundësitë siç i kishin jashtë, do të kishim bërë edhe më shumë. Cirku i Tiranës sot nuk bën art. Ka elementë, por cirku nuk bëhet me 1 apo 2 elementë cilësorë. Cirku sot, nisur nga lodhja që ka, nuk vlerësohet nga shteti, përderisa nuk jep pension të veçantë. Në atë kohë shteti i nxirrte 45 vjeç në pension sepse profesione të tilla kanë lodhje të madhe. Për rëndësinë e cirkut flet dhe fakti se numrat e tij liheshin gjithmonë në fund, si “qershia mbi tortë” e shfaqjeve.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj