Përse Bidenit i duhet të gjejë një formulë në të cilën sovraniteti dhe internacionalizmi ndërlidhen për të forcuar Aleancën

0
143

Nga Janusz Bugajski 

Presidenti Joe Biden do të përballet me një provë thelbësore në balancimin e promovimit të demokracisë amerikane dhe sigurisë trans-Atlantike. Aleanca Perëndimore është e ndërtuar mbi nocionin se vlerat demokratike dhe interesat për sigurinë përkojnë dhe se anëtarësimi në NATO dhe BE forcojnë demokracitë.

Kjo premisë nuk parashikonte shfaqjen e simptomave të reja shoqërore dhe kombëtare, partive populiste dhe kërcënimeve përçarëse siç janë pandemitë.

Administrata e Donald Trump nuk e vuri theksin në promovimin e demokracisë në politikën e jashtme. Në qarqet politikisht të djathta, programet mbi demokracinë shiheshin si bezdisëse për sovranitetin e aleatëve dhe si imponim i një axhende shoqërore “liberale”.

Për populistët e majtë, Uashingtoni ishte tepër i përfshirë në dhënien e ndihmës për shtetet të tjera në vend që të përqendrohej në pabarazitë e brendshme të Amerikës.

Zgjedhja e Biden, një internacionalist i qendrës, është pritur me optimizëm në mesin e shumicës së aleatëve të Amerikës, por disa kanë frikë se tani Uashingtoni do ta zhvendosë theksin nga siguria në demokraci.

Propozimi i Biden për të mbajtur një “Samit për Demokracinë” dhe për të përtërirë angazhimit të Amerikës për përhapjen e demokracisë mund të shkojë keq nëse përjashtohen shtete që mbrojnë interesat Perëndimore, edhe pse politikat e tyre të brendshme nuk janë plotësisht në përputhje me normat demokratike.

Presidenti i ri duhet të jetë i vetëdijshëm për evolucionin e Europës dhe të mos krijojë ndarje midis aleatëve duke i dhënë përparësi demokracisë mbi sigurinë. Në të vërtetë, duhet gjetur një formulë në të cilën sovraniteti dhe internacionalizmi ndërlidhen për të forcuar Aleancën.

Siguria ndërkombëtare nuk duhet të dobësohet nga largimi i shteteve të tilla si Polonia dhe Turqia për shkak të mangësive të tyre demokratike. Këta dy aleatë janë jetikë për sigurinë kombëtare të SHBA, pasi ata përballen drejtpërdrejt me një Rusi ekspansioniste përgjatë kahut lindor të NATO-s.

Politik-bërësit amerikanë duhet të shqyrtojnë nga afër historinë bashkëkohore. Ndërsa demokracitë europiane në zhvillim hynë në BE dhe të tjera u përjashtuan, dolën në sipërfaqe çështjet e sovranitetit, kulturës, identitetit, traditës, fesë dhe kujtesës historike. Në të njëjtën kohë, të dy gjysmat e Europës u puqën për sa i përket partizanizmit, polarizimit politik dhe mosbesimit ndaj institucioneve ndërkombëtare që duket se impononin uniformitet.

Supozimet se integrimi në BE do të zvogëlojë dallimet kombëtare dhe do të krijojë një identitet pan-europian u vërtetua se ishte iluzion. Në të vërtetë, kujtesa historike e projektit komunist për zhdukjen e identiteteve kombëtare dhe krijimin e “njeriut socialist” uniform jehon në euroskepticizmin e sotëm.

Janë të përhapura perceptimet se “burokracia e Brukselit” kufizon sovranitetin e vendeve anëtare dhe imponon politika që minojnë vlerat tradicionale.

Vendimi i “Brexit” i Anglisë ishte një reagim ndaj perceptimeve të tilla rreth BE-së dhe, në 2021, Europa do të zbulojë nëse pandemia dhe përçarja ekonomike që rezultoi prej saj do ta dobësojnë apo forcojnë projektin BE. Në pak vite në vijim, gjithashtu, do të shihet nëse shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor do të mirëpriten si anëtarë të rinj apo do të shtyhen tej për një kohë të pacaktuar.

Në mbarë Europën spektri politik tradicional të majtë-të djathtë është bërë më pak i qartë, pasi partitë e reja ndërthurin politika si prej ideologjive të majta ashtu edhe prej atyre të djathta. Për shembull, parti qeverisëse si “Ligj dhe Drejtësi” (PiS) e Polonisë përziejnë një program ekonomik shpërndarjeje të majtë me një platformë shoqërore konservatore të djathtë.

Ndarjet shoqërore, ekonomike, kulturore, urbano-rurale dhe ndër-rajonale janë rritur e pabarazitë ekonomike janë zgjeruar në pothuajse të gjitha vendet. Në të njëjtën kohë, nacionalizmi, populizmi dhe tradicionalizmi janë ngritur si mburoja kundër ndryshimit të shpejtë dhe humbjes së mundshme të sovranitetit kombëtar.

Mjaft formacione politike kanë shfrytëzuar konfuzionin dhe frikën në disa vende të Europës Qendrore e Lindore, duke u përfshirë në “kapjen politike të shtetit”, përmes së cilës ata përpiqen të kontrollojnë institucionet kryesore, t’i japin formë shoqërisë sipas imazhit të tyre ideologjik dhe të vazhdojnë sundimin e tyre me zgjedhjet e ardhshme.

Kjo prirje autoritare, që pikaset veçanërisht në Hungari dhe Poloni, ka për qëllim të sigurojë mbikëqyrje më të madhe të ekzekutivit dhe parlamentit mbi sistemin ligjor dhe masmedian. Kjo, gjithashtu, është e dukshme edhe në disa shtete të Ballkanit, përfshi Shqipërinë dhe Serbinë.

Baraspesha midis rregullave demokratike dhe ambicieve politike vë në provë qëndrueshmërinë e institucioneve kombëtare dhe i njëjti proces është vënë re edhe në Shtetet e Bashkuara.

Vendet e Lindjes së Europës tashmë e kanë treguar forcën dhe qëndrueshmërinë e një shoqërie civile demokratike. Nëse ata kanë qenë të zotët ta mposhtnin totalitarizmin komunist, atëherë ata janë më se të aftë të kapërcejnë autokratët aspirues vendas.

Një ndërhyrje e jashtme e vrazhdë për të promovuar demokracinë duke përjashtuar qeveri të caktuara nga samitet e demokracisë ose iniciativa të tjera Perëndimore thjesht mund të përforcojë vendosmërinë e nacionalistëve dhe populistëve dhe të rrisë polarizimin e brendshëm.

Kjo gjithashtu do t’i ofrojë mundësi të reja Moskës për të rritur ndasitë midis shteteve të NATO-s dhe për të depërtuar në strukturat e tyre politike. Dhe atje ku sovraniteti minohet, demokracia prishet më tej dhe siguria ndërkombëtare vihet në rrezik.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj