Leonard Toska: Shtangën e presin ditë të vështira, politika e bën pis sportin

0
30

Peshëngritja po zien nga brenda. Në harkun kohor të 45 ditëve, ajo njohu zhvillime sa interesante, aq dhe për të ardhur keq. Në Shqipëri, lufta për të marrë drejtimin e federatave sportive kalon deri në grushte e shqelma dhe në fyerje të rënda me “listë shtëpie”. Shtanga nuk i shpëtoi kësaj situate anormale, edhe pse presidenti në detyrë Theodhor Masllavica dha dorëheqjen nga gara dhe anëtarëve të asamblesë iu dha kohë një muaj t’i sheshonin si duhet problemet. Zgjedhjet u bënë, me ato probleme që dihen. Në krye të federatës është rikthyer Elez Gjoza, një figurë kontradiktore në peshëngritje. Çuditërisht, për rikthimin e Gjozës votuan dhe insistuan ta rikthenin po ata që e kishin detyruar me protestë të dorëhiqej. E habitshme por e vërtetë. Duke folur rreth këtyre zhvillimeve, trajneri i njohur Leonard Toska, nga të paktët që pati qëndrim kritik për kthimin e Gjozës, në këtë intervistë për gazetën “SOT”, shprehu bindjen se peshëngritjen shqiptare tani e tutje e presin ditë të vështira, ndërsa akuzoi politikën që po e bën pis sportin. Rikthimi në krye të shtangës i një “karte të provuar”, apo siç e cilësojnë kundërshtarët një “kartë e djegur”, mund të mos i japë federatës stabilitetin e duhur apo suksesin e dëshiruar. Politika, është fakt, ndërhyn në zgjedhjet e federatave sportive dhe shtanga e provoi dhe një herë tjetër.

– Zgjedhjet për organet drejtuese të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes më në fund u bënë, ku u zgjodh edhe presidenti i ri dhe asambleja e re. Ju keni qenë një zë kritik në asamble, duke kërkuar respektimin e rregulloreve dhe statutit të federatës. Sipas jush, me këto zgjedhje, fitoi apo humbi peshëngritja?

Peshëngritja fitoi për ata që fituan garën, por nuk mund të themi se nuk pati probleme edhe në zhvillimet e asamblesë. Unë isha në komisionin e verifikimit, aty donte të votonte kryetari i bashkisë së Lushnjës, ndërkohë që rregullorja e federatës e parashikon qartë se në votim nuk mund të marrin pjesë persona politikë. Ngritja e toneve dhe “rebelimi i” lidhej pikërisht me këtë, që të zbatohej statuti i federatës dhe që politikanët të qëndronin larg zgjedhjeve. E megjithatë, edhe një herë tjetër u vërtetua se politika i bën pis zgjedhjet në federatat sportive.

– Të mos i shmangemi lëvizjes më të rëndësishme të asamblesë zgjedhore të federatës, që është zgjedhja e presidentit të ri, e që në fakt është një figurë e provuar dhe më parë. Një rikthim i Elez Gjozës. Cili është mendimi juaj?

Gjoza ishte president dhe u largua nga drejtimi i federatës për shkak të skandalit të dopingut që përfshiu disa sportistë të ekipit kombëtar. Tani së fundmi ai nxori një teori tjetër, që presidenti nuk mban përgjegjësi për dopingun e sportistëve. Sipas tij përgjegjësitë ishin individuale të sportistëve, trajnerëve dhe sekretarit të federatës. Me pak fjalë, në logjikën e tij gjithkush ka përgjegjësi, por presidenti jo. Më vjen keq ta them por shtanga është bërë “llumhane”. Shtanga ka marrë fund, unë nuk e marr vesh çfarë po ndodh me këtë sport në Shqipëri, jemi bërë fraksione-fraksione.

– Nuk munguan akuzat se në sport ka futur hundët politika, përfshi dhe federatën e peshëngritjes. A qëndron kjo?

Është një fakt i trishtë që nuk lë vend për diskutime: sportin e ka zaptuar politika. Ne e nxorëm me forcë kryetarin e bashkisë së Lushnjës që donte të votonte në asamble, por nuk kemi mundur ta mbajmë politikën larg, atë politikë që fut hundët negativisht në sport. E keqja jonë në komunitetin e peshëngritjes është se nuk kemi mundur të votojmë njerëzit e duhur. Në kryesinë e shtangës janë futur njerëz pa asnjë lidhje me sportin. Me përjashtim të Kreshnik Lekës dhe Hysen Cenës, të tjerët nuk kanë lidhje me këtë sport.

– Shoh që në radhët tuaja paska pesimizëm për vazhdimësinë…

E ardhmja duket e zymtë. Sot kemi shumë sportistë të regjistruar, por nëse bën një kontroll nëpër palestra vetëm 30 vetë stërviten. Pse jam skeptik për të ardhmen? Sepse presidenti i rikthyer Gjoza, në platformën zhvillimore që paraqiti në asamble, theksoi se baza e zhvillimit do të jenë sportistët e vjetër. Dhe ju zoti gazetar i dini kush janë “të vjetrit”. Po si mund të jenë e ardhmja sportistët që nuk kanë më premisa për të rritur rezultatet? Me gjithë respektin e madh që unë kam për ta dhe kontributin e tyre, baza e së ardhmes duhet të jenë të rinjtë e jo të vjetrit. Me përjashtim të Briken Caljes, i cili ka ende shanse për rezultat të lartë, unë nuk shoh të tjerë që të kapërcejnë rezultatin e tyre më të mirë. Si mund të bazosh projektin tek “garda e vjetër”, kur ky sport, më shumë se kushdo tjetër, ka nevojë për armatën e të rinjve?

– Çfarë prisni pas këtyre zgjedhjeve?

Presidenti i rikthyer është megaloman. Ai do të bëjë ndonjë kampionat pompoz për të rritur kreditet e tij, por nuk ka asnjë platformë për mbështetjen e të rinjve. Pavarësisht gjithçkaje, unë shoh që nuk do të ketë aspak qetësi, kjo situatë do të prodhojë grindje të vazhdueshme, sepse shtanga është ndarë në fraksione, fatkeqësisht. Askush nuk po e kupton që sporti nuk bëhet me politikë, por me punë, pasion e vullnet. Dyshoj që ai do të shkojë larg në ambiciet e tij, sepse, në gjykimin tim, ai e poshtëroi shtangën. Kemi pasur probleme edhe në të shkuarën, jo çdo gjë ka shkuar vaj, por menaxhimi nga ish-presidenti Esat Ademi është bërë më i mirë, edhe me Theodhor Masllavicën janë bërë gjëra pozitive, sidomos në luftën kundër dopingut. E vërteta është se të gjitha federatat sportive kanë probleme dhe sporti në Shqipëri po çalon.

– Ju publikuat pak ditë më parë një video të garës së kontrollit të sportistit tuaj Ertjan Kofsha, që theu rekordin europian me 8 kg në dygarësh. Cilët janë ambiciet tuaja me këtë sportist?

Ertjan Kofsha është vetëm 15 vjeç. Ai ngriti 123 kg në shkëputje dhe 150 kg në shtytje. Nëse në këtë moment ai do të ishte në një garë të kampionatit europian të kësaj moshe, me këtë rezultat do të kishte thyer rekordin me 8 kg në dygarësh (3 në shkëputje e 5 kg në shtytje). Por shoh që ka xhelozi ndaj sportistit tim e ndaj meje. Nuk kanë munguar komentet fyese në adresën time si trajner, duke më etiketuar si “kasap” e duke më thënë fjalë të rënda si “e dogje, e bëre kështu e ashtu”, lloj-lloj fjalësh nga njerëz që nuk kanë lidhje me sportin e veçmas me peshëngritjen.

– A do ta testoni sportistin në ndonjë garë ndërkombëtare gjatë vitit 2021?

Sigurisht që po, ndoshta me Europianin U-17. Disa gara janë planifikuar që tani, siç është ajo e Johanesburgut, por duhet të shohim edhe garat europiane. Dëshira është që të kapim vendin e parë në Kampionatin Europian të kësaj moshe. Unë bëra garë kontrolli dhe jam i kënaqur me rezultatin. Shpresoj të bëhet një legjendë e peshëngritjes shqiptare. Djaloshi është fenomen, kurse xhelozët dhe thashethemxhinjtë do të bëjnë punën e tyre. Kjo xhelozi si duket vjen prej qëndrimit tim kritik në asamble. Unë fola, sigurisht, por kam folur për të mirën e këtij sporti. Asnjë interes tjetër nuk kam unë përveçse të dëshiroj zhvillimin e peshëngritjes dhe projektet që u japin hapësirë sportistëve të rinj dhe u hapin rrugën atyre që të kenë sukses.

– Dy fjalë për Shtërmenin?

 Kemi çuna të rinj, që shpresoj të kenë sukses gjatë vitit të ardhshëm, madje unë kam disa sportistë që synoj t’i ngre në nivelet europiane. Por zgjedhjet e fundit na kanë sjellë jo pak pesimizëm. Nuk e fsheh që rikthimi i Gjozës si president i federatës mund të ndikojë negativisht. Thuajse të gjithë presidentët e tjetër e kanë bërë nga një gjë pozitive, por në rastin e këtij ka pasur skandale shumë. Uroj të jem unë gabim, por këtë e kam bindje. Unë dua të flas mirë, sinqerisht, dhe nuk më mungon dëshira të flas mirë, por ne nuk duhet të pranojmë që politika të bëjë pis sportin. Dhe është momenti të flasim, e të themi të vërtetën, sepse vetëm kështu i shërbejmë interesit të sportit dhe progresit të tij.

– Keni ndonjë ambicie apo objektiv së afërmi?

Unë fola pak për sportistin tim E. Kofsha, me të cilin synoj vendin e parë në garat kombëtare të moshës (U-16). Dua suksesin e djaloshit në garat ndërkombëtare, pasi ky sukses i bën mirë peshëngritjes shqiptare e cila po kalon një periudhë të vështirë. Megjithatë, unë dua t’i kthehem dhe një herë çështjes së rëndë të ndërhyrjes së politikës në sport. Ndërhyrje të tilla janë jo vetëm të dëmshme, por e shkatërrojnë fare sportin. Në vendimmarrjen e federatës u ngjitën njerëz që nuk e njohin fare këtë sport. Nuk kuptoj edhe diçka tjetër: Ndërkohë që disa federata i shtynë zgjedhjet, përfshi dhe KOKSH-in, pse të mos i shtynte zgjedhjet edhe federata e peshëngritjes? Në mënyrë që zgjedhjet të bëheshin në kohë normale e me zhvillime normale e jo si këto që bëmë këtë herë, me sherre e përplasje. Duheshin shtyrë pasi ka pasur fraksione, e më parë se të bëheshin zgjedhjet për president duhej diskutuar me komunitetin në bazë, për të gjetur rrugë alternative zhvillimi. Ne si peshëngritje kemi bërë zgjedhje, por nuk kemi sjellë gjë të re, nuk kemi projekte zhvillimore, thjesht është rikthyer një president i mëparshëm, i cili ishte dorëhequr për skandale dopingu. Unë nuk dua përplasje e tensione në peshëngritje, nuk mund t’i pranoj këto. Në punën time dhe përgatitjet e sportistëve, unë kam disiplinë që udhëhiqet nga ligje spartane. E kjo e ka bërë Shtërmenin të mos e humbasë prestigjin si ekip që prodhon elementë cilësorë. Pavarësisht çfarë ka ndodhur, do të vijojmë punën tonë, për aq sa kemi në dorë, por pa harruar të kërkojmë më të mirën për peshëngritjen shqiptare.

Intervistoi: Adriatik BALLA

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj