Raporti i Komisionit të Prokurimit Publik/ Në 3 muaj anulohen 28 tendera, valë ankesash për procedurat

0
239

Ankesat ndaj tenderave kanë arritur nivel rekord brenda 3 muajve. Çdo ditë e më shumë Komisioneri i Prokurimit Publik po u tërheq vëmendjeve shoqërive që hapin garë tenderash se nuk zbatojnë rregullat për ofertuesit. Shkeljet dhe mangësitë në procedura nuk kanë munguar as në këtë kohë pandemie, përkundrazi brenda 3 muajsh KPP ka shqyrtuar me qindra kërkesa dhe ka anuluar shumë tendera. Sipas një raporti të publikuar nga KPP, brenda periudhës 9 korrik-16 tetor të këtij viti janë shqyrtuar 273 ankesa, ku pjesa më e madhe kanë rezultuar të vlershme, pasi u janë shkelur rregullat, çka ka detyruar Komisionin të anulojë 28 tendera. “Komisioni i Prokurimit Publik gjatë periudhës 9 korrik 2020 deri në 16 tetor 2020 ka shqyrtuar 273 ankesa të paraqitura nga operatorët ekonomikë për procedura të prokurimit publik, lejeve minerare dhe ankande. Pas shqyrtimit në themel, për këtë periudhë janë marrë 211 vendime. Nga vendimet e mësipërme 86 prej tyre u përkasin çështje të prapambetura nga periudha shtator 2019 – 8 korrik 2020, ndërkohë që 125 i përkasin çështjeve që përbëjnë zgjidhje në themel të ankimeve të ardhura pas datës 9 korrik 2020. Nga shqyrtimi i ankesave rezulton se 120 ankesa janë pranuar dhe për 28 ankesa, Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur për anulimin e procedurave të prokurimit”, thuhet në raport. Sipas KPP, situata e ankesave është ngarkuar për shkak se shumicës prej tyre i ka kaluar afati dhe autoritetet janë ankuar sërish. Këto vonesa kanë sjellë një grumbullim detyrimesh të prapambetura. Deri më tani numri i ankesave që i ka kaluar afati shkon në 64. “Nga këto 172 janë ankesa të reja, të regjistruara në periudhën nga data 9 korrik 2020 deri në 16 tetor 2020, ndërsa 101 ankesa i përkasin periudhës shtator 2019 deri në 8 korrik 2020 dhe vendimi ka dalë pas datës 9 Korrik 2020. Krahasuar me periudhën paraardhëse korrik-shtator 2019 ku numri total i ankesave të trajtuara jashtë afatit ka qenë 27.69 %, numri total i ankesave jashtë afatit, për periudhën korrik–shtator 2020 është 4.5 %. Ankesa ende pa u shqyrtuar janë 64 nga të cilat 3 i përkasin periudhës 1 deri 9 Korrik 2020. Vetëm 9 ankesave i ka kaluar afati i trajtimit të tyre”, theksohet në raport.

Ja vlera e detyrimeve të prapambetura

Vlera që duhet paguar për detyrimet e prapambetura është tepër e lartë edhe pse disa subjekte nuk kanë vijuar më tej ankimimin, pasi nuk kanë plotësuar formularin e nevojshëm. Kështu për shpërblimin e 64 ankesa jashtë afateve janë vënë në dispozicion mbi 3 milionë lekë. Ndërsa për ankesat në 3 muajt e fundit janë paguar nga buxheti mbi 62 milionë lekë. “Për këtë periudhë, detyrime të prapambetura kanë qenë në vlerën 3,882,043 lekë për 64 vendime të pazbatuara. Komisioni i Prokurimit Publik ka njoftuar të gjithë subjektet për plotësimin e dokumentacionit dhe si rrjedhojë janë kthyer detyrime të prapambetura 40 nga 64, ndërkohë që 24 operatorë ekonomikë nuk kanë plotësuar ende dokumentacion. Në lidhje me vendimmarrjen në 09 korrik – 16 tetor 2020 janë kryer pagesa ndaj operatorëve ekonomikë në vlerën 62,794,240 lekë”, thuhet në raport. Kështu, në bazë të vendimeve të mësipërme janë zhbllokuar 9,925,425,592 lekë ose rreth 80 milionë euro fonde publike, investime në punë/mallra dhe shërbime. Për periudhën 10 Korrik 2020 deri më 9 Tetor 2020, referuar vendimeve të Komisionit të Prokurimit Publik, të cilat nuk janë pranuar, është kaluar në favor të Buxhetit të Shtetit shuma prej 13,549,184 lekë. Një vëmendje e veçantë u është kushtuar pagesave të prapambetura të pakthyera nga viti 2012, në zbatim të vendimeve të Komisionit të Prokurimit Publik dhe në përputhje me Vendimin nr. 261 datë 17.03.2010 të Këshillit të Ministrave “Për Përcaktimin e Tarifës dhe të Rregullave për Pagimin e saj, në një Procedurë Ankimimi, pranë Komisionit të Prokurimit Publik”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here