Siti ofertë Barcelonës në janar 17 mln stërlina për Mesin: Më mirë se të ikë në qershor me kosto zero

0
228

Përplasja e tij me presidentin Bartomeu ka qenë vendimtare për kërkesën që të largohet. Por klubi iu bë pengesë, duke i kujtuar klauzolën 700-milionëshe. Por në verë asgjë nuk do ta ndalë argjentinasin të largohet. Bëhet fjalë për Lionel Mesin, që vijon të jetë temë dite në shtypin britanik. Disa medie angleze shkruajnë se ka përpjekje të reja nga Mançester Siti për të siguruar shërbimet e “yllit” të Barcelonës, kontrata e të cilit me klubin “blaugrana” përfundon verën e ardhshme. Meqenëse në qershor “Pleshti” do të largohej me parametër zero, Barcelona mund të pranojë ofertën e “qytetarëve” që në janar, për të mbushur sadopak arkat e klubit. E ndërsa “Daily Mirror” thekson se Barcelona me shumë mundësi do ta humbje “yllin” e saj sezonin e ardhshëm, “Daily Star” shkon shumë më tej dhe tregon se Mançester Siti mund të bëjë një ofertë prej rreth 15 milionë stërlinash (rreth 17 milionë euro) për marrë Mesin kur të hapet tregu i transferimeve dimërore. Siti, në këtë rast, do të shfrytëzonte situatën e vështirë ekonomike të klubit “blaugrana”. Nga ana e tij, Leo Mesi e ka bërë të qartë në një intervistë të gjatë në të cilën, ndër të tjera, premtoi se do të përkushtohej maksimalisht për të ndihmuar ekipin që të arrijë suksese këtë sezon. Ai nuk dëshiron të dëgjojë asgjë tjetër për largimin e tij. Ronald Kuman dhe Barcelona e tij do të nisin ditën e nesërme rrugëtimin në Ligën e Kampionëve teksa do të përballen me hungarezët e Ferencvarosh, skuadër ku aktivizohet edhe shqiptari, Myrto Uzuni. Në konferencën për shtyp, trajneri holandez i katalanasve, shprehet se në këtë moment Mesi mund të ishte edhe më mirë, megjithatë thekson se ekipin e sheh të lumtur. “Ndoshta, në këtë moment performanca e Mesit mund të ishte më e mirë, por ai është i lumtur, po punon shumë dhe kërkon të jetë kapiteni në fushë. Nuk kam asnjë ankesë ndaj tij, ai ishte edhe i pafat në ndeshjen e fundit ku goditi shtyllë. Nuk kam dyshime për rendimentin e tij dhe do ta shohim në ndeshjet e radhës. Më vjen keq për rezultatin e ndeshjes së fundit, por e shoh ekipin të lumtur. Qëllimi im është të provoj dhe t’i bëj futbollistët të përmirësohen”, u shpreh Kuman. Ndërkohë, për Mesin ka folur edhe Lautaro Martinez, i cili theksoi për mediat se prej Mesit ke çfarë të mësosh. ““E kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris tani dhe do ta përsëris edhe në të ardhmen: është lojtari më i mirë në botë. Gjithmonë një hap para të tjerëve dhe e sheh lojën ndryshe”, tha ai. Më pas komentoi familjen dhe përfaqësuesen e Argjentinës. “Mbaj mend që pashë finalen e Ligës së Kampionëve në Argjentinë, me familjen time. Një fitore shumë e rëndësishme për klubin, domethënëse për ne, duke qenë se kishte shumë argjentinas luanin me Interin. Në Argjentinë ka shumë pasion, përkushtim dhe zemër dhe kjo është ajo që ne futbollistët përpiqemi ta sjellim në fushë. Së pari, vjen talenti, pastaj vendosmëria, e cila përdoret për të luftuar të gjitha pengesat në rrugë”, shtoi ai. Në fund një koment për Zanetin. “Është shumë i rëndësishëm për ekipin, ai na bën të ndihemi pjesë të klubit. Javier më ndihmoi me gjuhën kur mbërrita, do t’i jem gjithmonë mirënjohës”, përfundoi Martinez.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here