“Cirku fluturues” filmi më i mirë artistik me metrazh të gjatë në “Dea open air”

0
288

Me mbrëmjen tradicionale gala të organizuar në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë, u mbyll me sukses edicioni i shtatë i festivalit ndërkombëtar të filmit “Dea Open Air”. Kupa “Dea” për filmin më të mirë me metrazh të gjatë shkoi për filmin “Cirku fluturues”, me skenar dhe regji nga Fatos Berisha, Kosovë- Shqipëri-Maqedoni e Veriut 2020. Çmimi “Dea” për filmin e shkurtër më të mirë shkoi për “Pika hëne” nga Yoram Ever-Hadani, Serbi 2018. Çmimi “Dea” për filmin më të mirë studentor iu nda filmit “Mërzi” nga Alica Bednarikova- Sllovaki 2020. Çmimi “Dea” për filmin më të mirë dokumentar shkoi për “17 sekonda” nga Alon Marom- Izrael 2018. Fitues i çmimit special të medias në konkurrimin e filmit të shkurtër u shpall “Roboti do t’ju mbrojë” nga Nikola Piovesan – Estoni 2018 dhe fitues i këtij çmimi në konkurrimin e filmit të gjatë u shpall “Cirku fluturues” nga Fatos Berisha. Po ashtu Tristan Halilaj, Shkumbin Istrefi, Shpëtim Selmani, Afrim Muçaj me role në filmin “Cirku fluturues” u vlerësuan me çmimin e aktorit më të mirë. Çmimin “Dea” për skenarin më të mirë në filmin me metrazh të gjatë shkoi për italianët Francesco Caringella, Paolo Rossi, Andrea Zaccariello, me filmin “Nuk jam vrasës” i vitit 2019. Çmimi “Dea” për regjinë më të mirë në filmin me metrazh të gjatë shkoi për regjisorin Andrea Zaccariello. Me çmimin “Leonard Qëndro” për një karrierë premtuese në kinematografi u vlerësua Thaer Ibrahim- Mzzaja- Siri 2020. “Dea” e mirënjohjes për kontribut të spikatur në fushën e kinemasë, iu akordua regjisorit të shquar shqiptar Ibrahim Muçaj. Mbrëmja gala u zhvillua në praninë e jurisë dhe stafit të “Dea open air” por pa publik, të cilit ndjekja e ceremonisë së ndarjes së çmimeve iu ofrua virtualisht në live stream nëpërmjet faqes zyrtare të festivalit dhe adresës në Facebook. Zhvillimi i këtij edicioni i konfirmoi pritshmëritë tona, u shpreh Edmond Topi, drejtor i “Dea open air”. Programi, sipas tij u mirëprit nga kineastët dhe specialistët e kinemasë, ndërkohë që oferta grarantoi edhe këtë herë një shumëllojshmëri kulturash, stilesh dhe individualitetesh, që imponohen, pavarësisht kushteve të pandemisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here