Çfarë pritet të vendosë sot Asambleja e PS, nga vlerësimi për ministrat te ndryshimi i kryesisë

0
40

Socialistët do të mbledhin sot Asamblenë Kombëtare, e dalë nga kongresi i 29 shkurtit, nga ku do të zgjidhet kryesia dhe sekretariati i ri i PS-së.

Për shkak të pandemisë COVID-19, Asambleja do të zhvillohet në orën 15:30 tek Amfiteatri i Liqenit dhe do të nisë me fjalën e Kryeministrit Edi Rama, për të vijuar më pas me propozimin e zgjedhjen e organeve drejtuese të Partisë.

Asambleja është shtyrë për shkak të pandemisë që nga muaji mars, por afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme nuk mund ta çonte PS-në në zgjedhje me kryesinë dhe sekretariatin e vjetër, një pjesë e të cilëve mundet të mos jenë kandidatë për deputetë.

Burime pranë selisë rozë thanë se Kryeministri ende nuk ka vendosur nëse do të ketë ndryshime në qeveri, për t’i dhënë një imazh të ri qeverisë afro 7 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme.

Të njëjtat burime thanë se nuk do të ishte efektive nëse do të bëheshin ndryshime në qeveri, për shkak të kohës së pamjaftueshme deri në zgjedhje, e cila nuk do t’i shërbente ministrave të rinj për të dhënë maksimumin e tyre në krye të dikastereve të reja. Por historia ka treguar se Kryeministri Rama vendos gjithmonë vetë dhe në kohën e duhur, siç ishte rasti i Asamblesë Kombëtare së dhjetorit 2018 kur ai ndryshoi 7 ministra, të cilët vijojnë ende të drejtojnë ministritë. Pothuaj të gjithë ministrat e morën vesh në mbledhjen e asamblesë vendimin e kryeministrit për largimin e tyre nga ministria.

VOTIMI

Një nga pikat më të nxehta të mbledhjes së sotme të Asamblesë Kombëtare është dhe votimin i mbi 350 anëtarëve të saj për të zgjedhur kryesinë dhe sekretariatin e ri të saj, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo institucione të tjera.

Kryesia e Partisë Socialiste ka aktualisht në përbërje 29 anëtarë, 20 prej tyre të zgjedhur me votim, Kryetari, Sekretari i Përgjithshëm dhe 7 Sekretarët Ekzekutivë. Nuk dihet nëse do të propozohet ndonjë ndryshim i numrit të anëtarëve të saj, për shkak se jemi në prag të zgjedhjeve dhe kërkohet rritja e përfaqësimit politik të PS-së në terren.

Kryesia është organi më i lartë partiak ku merren vendimet më të rëndësishme politike në PS, siç është dhe miratimi i listës së kandidatëve për deputetë, që pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm. Është me interes të shihet përbërja e re e kryesisë socialiste, përfshirja në të e përfaqësuesve që vijnë nga shoqëria civile apo administrata e pushtetit vendor, një pjesë e të cilëve do të jenë dhe kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit. Në pjesën e dytë do të jetë edhe Miratimi i Librit të Rregullave të Partisë. Edhe pse në ambient të hapur, për shkak të numrit të madh të njerëzve, u është kujtuar të gjithëve që mbajtja e maskës është e detyrueshme.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj