Paralajmerimi i Bugajskit: Bashkimi Europian, pa këllqe. Po kthehet në një lojtar ndërkombëtar dytësor. Macron, mbreti i ri i naivitetit

0
37

Nga Janusz Bugajski

Krizat më përshkallëzim në mbarë kontinentin europian tregojnë se Bashkimi Evropian nuk ka politikë të jashtme efektive. Megjithëse (bëhet fjalë për) kryengritjen civile në Bjellorusi, terror shtetëror në Rusi, dhe luftë të mirëfilltë në Kaukazin e Jugut, BE kryesisht mungon.

Deklaratat, paralajmërimet dhe qortimet e Brukselit nuk kanë koherencë dhe ndikim dhe BE-ja është kthyer në një lojtar ndërkombëtar dytësor.

Ndërsa politikanët në disa kryeqytete të BE-së ankohen vazhdimisht për mosangazhimin e SHBA-së dhe dështimet e udhëheqjes së Trump, ata nuk mund ta fajësojnë Uashingtonin për tronditjet në politikën e jashtme të Bashkimit.

Kjo tashmë është e dukshme në reagimin e BE ndaj trazirave në Bjellorusi, ku zgjedhjet u manipuluan masivisht dhe qindra demonstrues u arrestuan dhe u torturuan. Brukseli nuk ka qenë në gjendje të marrë pozicionin e një ndërmjetësi midis qeverisë dhe opozitës dhe madje nuk ia ka dalë as të arrijë konsensus për vendosjen e sanksioneve ekonomike.

Sanksionet ndaj zyrtarëve bjellorusë u bllokuan për disa javë nga një anëtar i BE-së – Qipro – për shkak të një mosmarrëveshje me Turqinë mbi kërkimet për gaz natyror në Mesdheun Lindor.

Konflikti tregon se si vendimet e politikës së jashtme mund të paralizohen lehtësisht në një kohë kur unanimiteti i 27 vendeve anëtare është i nevojshëm. Disa qeveri u zotuan të vendosnin sanksione në mënyrë të njëanshme, por vetë kjo dobëson reputacionin dhe ndikimin e BE-së si një aktor i politikës së jashtme.

Kryeqytetet e BE-së gjithashtu kanë paralajmëruar sanksione për zyrtarët ruse, si rrjedhojë e sulmit me agjent nervor ndaj udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny, por asnjë vendim i përbashkët nuk është arritur.

Në mënyrë paradoksale, nuk ka asnjë mosmarrëveshje midis qeverive të BE-së se Kremlini ishte përgjegjës për atentatin dhe se përdorimi i agjentit nervor Novichok përbën një sulm me armë kimike dhe një shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar. Por ata nuk mund të arrijnë konsensus për asnjë përgjigje, qoftë sanksione të gjera ekonomike apo ndëshkime ndaj individëve të veçantë, siç është ngrirja e aseteve.

Mungesa e vendosmërisë së BE-së është veçanërisht e dukshme në marrëdhëniet e saj me Moskën. Shumë kryeqytete tashmë po ankohen për ndikimin negativ që sanksionet ekzistuese, të ndërmarra pas pushtimit të territorit të Ukrainës nga Rusia, kanë pasur për kompanitë që kërkojnë të bëjnë biznes me Moskën.

Në vende të tilla si Italia nuk ka oreks për ndëshkime të mëtejshme, ndërsa presidenti francez Emanuel Macron është mbreti i ri i naivitetit që kërkon një zbutje marrëdhëniesh me Putin. Ndërsa, Gjermania ka vështirësi të vendosë nëse do ta braktisë projektin gazsjellës Nord Stream 2 që do ta bënte vendin më të varur nga furnizimi rus.

Kremlini e kupton në mënyrë të përsosur gjendjen e vështirë të BE-së dhe e di se ai, mund t’ia hedhë, edhe në rast të mirëfilltë vrasje.
Në Kaukazin e Jugut, si SHBA ashtu dhe BE nuk ia dolën të parandalojnë shpërthimin e luftës midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, pasi Armenia pushtoi territoret azere.

Në veçanti BE-ja ia ka dorëzuar çdo levë presioni “Grupit të Minskut” në të cilin bën pjesë dhe Rusia, dhe nuk bën asgjë. Një format negocimi për paqen i udhëhequr nga Uashingtoni dhe Brukseli duhet të vendoset jo thjesht për të mundësuar armëpushimin, por për të nxitur një zgjidhje të qëndrueshme, e cila njeh integritetin territorial dhe të drejtat e plota etnike të të dy palëve.

Një politikë e jashtme efektive jo vetëm që ka nevojë për ‘karota të shijshme’ (shpërblim), siç është perspektiva e anëtarësimit në BE, por edhe ‘shkopinj të fortë’ (ndëshkim) që mund të përdoren për të parandaluar ose përfunduar konfliktet. Sidoqoftë, BE jo vetëm që vonon anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe ‘zvogëlon karotat’, por asaj gjithashtu i mungon një politikë e vërtetë për sigurinë që mund të parandalojë konfliktin e armatosur.

Përtej supës alfabetike të nismave për sigurinë të BE-së, pa NATO-n, Bashkimi ka këllqe të paktë. Udhëheqësit e BE-së kanë premtuar për vite me radhë formimin e një ushtrie europiane, duke përfshirë paralajmërimin e Macron se europianët duhet të tregojnë se ata nuk janë vasalët e Amerikës.

Kancelarja Angela Merkel gjithashtu ka deklaruar se SHBA mund të mos e garantojë më sigurinë e kontinentit. Trump u tall me idenë e një ushtrie efektive të BE-së dhe vuri në dukje se francezët kishin pasur nevojë për amerikanët për t’i shpëtuar ata nga gjermanët në të dy luftërat botërore.

Pavarësisht nga ambiciet e Parisit dhe Berlinit, pa Britaninë e Madhe, BE-ja do të jetë një lojtar edhe më i dobët për sigurinë. Londra, gjithashtu, ka penguar çdo lëvizje që do të dublonte NATO-n dhe do t’i devijonte edhe ato pak fondet nga Aleanca.

Po kështu, shumica e udhëheqësve të Europës Qendrore dhe Lindore kanë kundërshtuar çdo ushtri të ndarë të BE-së, duke pretenduar se një strukturë e veçantë mbrojtëse do të minonte NATO-n në një kohë kur solidariteti i Aleancës është i nevojshëm për t’u mbrojtur kundër agresionit të Moskës.

Burimet duhet të përqendrohen në përmirësimin e aftësive të NATO-s, në vend të krijimit të zëvendësuesve më të dobët pa Uashingtonin. Në një kohë krize, një ushtri europiane nuk do të mund ta përballonte një luftë të madhe brenda ose jashtë kontinentit pa përfshirjen (e një rëndësie) thelbësorë të Amerikës.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj