Shfaqja teatrore “Jul Cezari” këtë mbrëmje në qytetin e Beratit

    0
    259

    Vepra e Shekspirit “Jul Cezari” këtë mbrëmje ndalon në Berat. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shprehet se vepra do të jetë për publikun në orën 18:30 te sheshi pranë ish Universitetit të Beratit. “Shfaqja që trondit publikun që në premierën e saj. E vlerësuar maksimalisht nga kritika. Me regjinë e të mirënjohurit Ivica Buljan vjen për t’ju magjepsur”, shprehet teatri. Drejtuar nga i mirënjohuri Ivica Buljan dhe interpretimin fantastik të aktorëve Romir Zalla, Alfred Trebicka, Vin Bejleri, Amos Muji Zaharia, Alert Çeloaliaj, Ermira Hysaj, Ilirda Bejleri, Adriana Tolka, Ilia Kaçi, Mateo Dervishaj, Endri Çela, Engjëll Hoxha, Enea Nika, Anxhelo Shkreli. Shfaqjet e regjisorit Ivica Buljan kanë qenë pjesëmarrëse në më shumë se 30 vende të ndryshme. Ivica Buljan ka drejtuar Teatrin Kombëtar Kroat në Split, gjatë viteve 1998-2002. Në vitin 1999, gjatë kohës që ai e drejtonte Teatri Kombëtar Kroat u bashkua me Konventën e Teatrit Evropian. Buljan është gjithashtu bashkëthemelues dhe drejtor artistik i Teatrit Mini në Lubjanë, si dhe themelues dhe drejtor i Teatrit të Ri në Zagreb. Tragjedia e “Jul Cezarit” është njëra prej disa veprave dramatike të Shekspirit, që bazohen në ngjarje të vërteta nga historia romake dhe që përfshijnë edhe Koriolanus dhe Antoni e Kleopatra. Edhe pse vepra titullohet “Jul Cezari”, Bruti flet në më shumë se katër herë po aq rreshta sa karakteri kryesor dhe drama psikologjike qendrore e pjesës fokusohet mbi betejën e Brutit mes kërkesave konfliktuale të nderit, patriotizmit dhe miqësisë. Uilliam Shekspir e ngriti artin poetik në majat më të larta. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të panumërta, por përfundimi është i njëjtë: vepra shekspirane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë. Shekspiri konsiderohet si shkrimtari më i shkëlqyer i gjuhës angleze, në mënyrë absolute, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Njëri ndër shkrimtarët më të famshëm në botë. Ai ka qenë komediograf, dramaturg, por edhe aktor. Gjatë krijimtarisë së tij, Shekspiri realizoi 37 vepra për teatrin, nga të cilat 13 tragjedi, 10 drama historike dhe 14 komedi. Pjesa tjetër e krijimtarisë përfshinë 154 sonete që mbahen si realizimi poetik më i çmueshëm i gjithë kësaj periudhe dhe 2 poema të gjata.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here