Pas dorëheqjes Gjin Gjoni i shpëton vetingut/ Përjashtohet për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë

0
462

Ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Gjin Gjoni i ka shpëtuar vetingut përmes dorëheqjes. Kjo formë është përdorur gjerësisht tek gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët sapo janë njohur me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për pasurinë e tyre ata kanë dhënë dorëheqjen. Përmes një shkrese të dorëzuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjoni kërkoi dorëheqjen dhe si rrjedhojë edhe ndërprerjen e procesit të vetingut. KPK përmes një vendimi të zbardhur ditën e djeshme bën me dije se në bazë të ligjeve në fuqi, u ndërpre procesi i vetingut për Gjin Gjonin për shkak se ai dha dorëheqjen. Si rrjedhim, KPK bën me dije se ai do të jetë jashtë sistemit të drejtësisë për 15 vjet. Pas mbylljes së hetimeve, Komisioni Vetingut, në 20 korrik 2020, ka njoftuar Gjin Gjonin përmes e-mailit për mbylljen e hetimeve dhe se kishte të drejtën të provonte të kundërtën rezultateve të hetimit për pasurinë. Në datën 27 korrik 2020, Gjin Gjoni ka tërhequr një kopje të dosjes së pasurisë dhe ka kërkuar kohë deri në 10 gusht 2020 për paraqitjen e shpjegimeve. Trupi gjykues i përbërë nga Firdes Shuli, Etleda Çiftja dhe Roland Ilia e kanë pranuar këtë kërkesë të gjyqtarit. Ndërkohë që Komisioni ishte në pritje të prapësimeve të rezultateve të hetimit nga Gjin Gjoni, në 30 korrik 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka njoftuar KPK se ka vendosur miratimin e dorëheqjes së gjyqtarit po atë ditë, pra në 30 korrik 2020. Edhe pse nuk ishte më gjyqtar, Gjin Gjoni, në datat 10, 12 dhe 13 gusht 2020, Gjin Gjoni i ka nisur me e-mail shpjegimet e tij për pasurinë, shpjegime të cilat tashmë ishin nul. “Trupi gjykues vlerëson se vullneti i plotë dhe i pavesuar i subjektit të rivlerësimit për dorëheqje konfirmohet nga deklarimet e tij më lart; Bazuar në sa më lart, trupi gjykues çmon se procesi i rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, z. Gjin Gjoni, duhet të ndërpritet, duke u bazuar në parashikimet e nenit G të Aneksit të Kushtetutës; Ndërprerja e procesit të rivlerësimit për shkak të dorëheqjes së subjektit të rivlerësimit, gjatë procesit të rivlerësimit, sjell si pasojë ndërprerjen e kësaj procedure administrative dhe subjekti i rivlerësimit humbet të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare, sipas parashikimeve të pikës 2, të nenit G, të Aneksit të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e KPK.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here