Marrin fund dyshimet/ Asnjë lojtar i Kombëtares nuk është pozitiv me Covid-19

0
48

Federata Shqiptare e Futbollit ishte gati të shkaktonte një skandal dje, me emrat e lojtarëve që ishin infektuar me koronavirusi, por skandali zgjati fatmirësisht shumë pak, pasi vetë federata nxitoi të publikonte testet e tre lojtarëve që ishin përmendur si të infektuar dhe testet i nxirrnin ata negativ. Në këto rrethana, dyshimet për infektimin masiv të Kombëtares me koronavirusi bien poshtë dhe skuadra do të jetë e plotë mbrëmjen e 4 shtatorit në duelin kundër Bjellorusisë.

Situata

Kishte informacione kontradiktore me njëra-tjetrën, por në fund u tregua se ishte vetëm një çështje e menaxhuar jo mirë dhe asnjë lojtar i kombëtares, fatmirësisht nuk është i prekur nga Covid-19. Pasi informoi në një moment se në Kombëtare janë tre lojtarë të infektuar (Ramadani, Memolla, Ismajli), FSHF ndryshoi menjëherë shkrimin dhe i raportoi futbollistët si të dëmtuar. Më pas për të qartësuar gjithë këtë paqartësi, organi qeverisës i futbollit vendosi të publikojë rezultatet e testeve të Memollës dhe Ramadanit. U tha edhe për Ismajlin se është negativ, por nuk u publikua fotoja e rezultateve të analizave, ndryshe nga dy lojtarët e tjerë. Megjithatë, tashmë nuk ka asnjë dyshim sepse FSHF e ka publikuar edhe rezultatin e testit të Ismajlit, me mbrojtësin, që nuk është i prekur nga Covid-19. Duhet të themi se tre lojtarët nuk do të udhëtojnë sot me ekipin për ndeshjen e së premtes me Bjellorusinë për Ligën e Kombeve për shkak dëmtimesh. Mungesa të rëndësishme për trajnerin Reja, i cili përballet edhe me mospraninë e Kumbullës, Lenjanit dhe Kamberit.

Memolla tregon dëmtimin e tij, mohon të jetë infektuar me Covid-19

Ditën e sotme pati shumë rrëmujë informacioni se tre futbollistë të kombëtares mund të ishin të infektuar me COVID-19. Një lajm që qarkulloi nga ana e FSHF dhe që më pas u përgënjeshtrua vetë nga institucioni që publikoi edhe përgjigjet e testeve të tamponit. Një nga ata që u dyshua se mund të ishte i infektuar ishte mbrojtësi Hysen Memolla. Por, lojtari së fundmi nëpërmjet profilit të tij në Instagram ka postuar një foto ku tregon dëmtimin në këmbë. Një dëmtim të cilin e ka marrë prej ndeshjes së fundit në kampionatin hungarez, ku aktivizohet me skuadrën e Diosgorit. Kë dëmtim mesa duket e ka shoqëruar Memollën edhe në grumbullimin e kombëtares, duke mos e lejuar të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve, të premten në transfertë ndaj Bjellorusisë. Megjithatë, Memolla do të provoj të rikuperohet për ndeshjen e datës shtatë shtator ndaj Lituanisë në shtëpi.

Ivan Balliu në “radarët” e Valencias

Një tjetër futbollist i përfaqësueses shqiptare pritet të provojë të bëjë emër në La Liga në edicionin e ardhshëm. Ivan Balliu nuk arriti të ngjitej në elitën e futbollit spanjoll me klubin e Almerias, por duket se forma që ka shfaqur, ka zgjuar interesin e një prej skuadrave më të njohura të këtij kampionati, Valencias. Balliu ka qenë një ndër lojtarët më të spikatur të Almerias në edicionin e fundit në La Liga 2, ku skuadra u eliminua në “play-off”, edhe pse për shumë kohë kishte qenë në vendet e para të klasifikimit që të çonin direkt në La Liga. Paraqitjet e tij kanë bërë që Valencia të hedhë sytë nga futbollisti shqiptar si një nga përforcimet e mundshme për edicionin e ri, ku praktikisht do të ndërrojnë të gjithë grupin e futbollistëve që kishin në përbërje. Valencia ka nxjerrë në shitje mbrojtësit e djathtë Piçini dhe Korreia, e në momentin që një prej tyre do të gjejë një skuadër të re, do të hidhet në sulm për Balliun, i cili ka edhe një vit kontratë me klubin e Almerias. Balliu këtë radhë nuk ishte pjesë e përfaqësueses shqiptare që u grumbullua për ndeshjet ndaj Bjellorusisë e Lituanisë. I bllokuar nga Hysaj në krahun e djathtë, lojtari ka kaluar pjesën më të madhe të periudhës së tij si kuqezi në stolin e rezervave, pa mundur që të tregojë në fushë aftësitë që ka.

Leave a Reply