KLGJ rihap garën/ Përgjimi i telefonave dhe kontrolli i llogarive bankare tremb gjyqtarët, zero aplikime për në Gjykatën e Posaçme

0
305

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka rihapur garën për 3 vendet vakante në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion. Në datën 26 shkurt, ky institucion hapi garën për të gjithë gjyqtarët që plotësonin kushtet që të aplikonin për të qenë pjesë e SPAK. Por një nga kushtet kryesore për kandidatët është përgjimi i telefonave, email dhe llogarive bankare. Po ashtu, edhe familjarët e tyre duhet të japin autorizim për të qenë dakord që të jenë nën monitorim. Por këto kushte duket se kanë trembur gjyqtarët, duke sjellë që pranë KLGJ të mos mbërrinte asnjë aplikim. Në këto kushte, ky institucion është “detyruar” që të rihapë edhe një herë garën dhe t’u bëjë thirrje gjyqtarëve që kanë interes dhe plotësojnë kushtet të jenë pjesë e SPAK. “Sot me datë 28.05.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Këshilli vendosi rihapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për tre pozicione të lira në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shkak të mos paraqitjes së kandidaturave pas përfundimit të afateve të shpalljes sipas vendimeve nr.94, nr.95, nr.96 datë 26.02.2020”, thuhet në njoftimin e KLGJ. Por edhe tashmë pas rihapjes së garës, pritet të shihet nëse do të ketë gjyqtarë që do të shfaqin interes për këto 3 vende vakante në Gjykatën e Posaçme.

Ja kriteret që duhet të plotësojnë

Ndërkohë që KLGJ ka bërë publike edhe kriteret ligjore që duhet të plotësojnë kandidatët. Aplikantët duhet të kenë ushtruar funksionin jo më pak se 7 vjet si gjyqtar, nga të cilat të paktën pesë vjet si gjyqtar në fushën e drejtësisë kriminale, duke përfshirë edhe përvojën si magjistrat i komanduar. Po ashtu, kandidati dhe familjarët e tij duhet të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake. Kandidati duhet të kalojë me sukses procesin e verifikimit të pasurisë dhe të figurës, si dhe duhet të mos ketë masë disiplinore në fuqi. Në momentin e aplikimit, kandidatët duhet të dorëzojnë edhe një sërë dokumentesh. Së pari, kandidati duket të dorëzojë një kërkesë për shprehjen e interesit për të kandiduar për pozicionin e lirë të shpallur, duke e identifikuar atë përmes numrit të vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Së dyti, ata duhet të dorëzojnë edhe jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit siç janë numër telefoni dhe e-mail. Po ashtu, ata duhet të dorëzojnë edhe një fotokopje të kartës së identitetit si dhe vetëdeklarim për dhënien e pëlqimit për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake.

Plotësimi i gjykatave të Apelit

Ndërkohë që në mbledhjen e fundit, KLGJ hapi procedurat për 16 vendet vakante në gjykatat e Apelit, më konkretisht, 2 në Durrës, 1 në Gjirokastër, 2 në Korçë, 1 në Shkodër, 7 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 2 në Gjykatën Administrative të Apelit. “Pas një pune të madhe në hartimin dhe miratimin e kuadrit rregullator nënligjor të parashikuar nga reforma në drejtësi, nisur nga nevoja për plotësimin e vendeve vakante në gjykatat e apelit dhe me qëllim shqyrtimin në kohë të çështjeve gjyqësore dhe shërbimi cilësor ndaj qytetarëve, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë të gjyqtarëve për 16 pozicione të lira në gjykatat e apelit. Më konkretisht: 2 në Durrës, 1 në Gjirokastër, 2 në Korçë, 1 në Shkodër, 7 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 2 në Gjykatën Administrative të Apelit”, thuhet në njoftimin e KLGJ.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here