Dëshmia e ish-Drejtorit të Laboratorit të Kimisë: Si ua vodhëm vietnamezëve bombën B.L.U., që amerikanët e përdorën në 2011-ën për të vrarë Osama Bin Laden-in

0
304

Publikohet historia e panjohur të ndodhur në fundin e vitit 1979, kur kryeministri Mehmet Shehu që njëkohësisht mbante dhe funksionin e Ministrit të Mbrotjes Popullore, urdhëroi dërgimin me misionin sekret në Vietnam të një grupi prej shtatë ushtarakësh të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes me në krye shefin e Armatimit të Ushtrisë Shqiptare, Gaqo I. Memorie.al shkruan se ata të cilët kishin si detyrë specifike që t’ju kërkonin kolegëve të tyre vietnamezo-veriorë, rraketën e famëshme SAM -7 të prodhimit sovjetik, e cila kur ishte testuar për herë të parë kishte çuditur Perëndimin, aq sa amerikanët kishin deklaruar se tashmë “tanku nuk mund të quhej më armë luftarake”?

Dëshmia e rrallë e Memush Habilajt, ish-pjestar i atij misioni sekret dhe më pas me detyrën e Drejtorit të Laboratorit Qëndror të Kërkimeve Kimike pranë Ministrisë së Mbrojtjes, lidhur me porositë e veçanta që iu dhanë atij grupi nga kryeministri Mehmet Shehu dhe ministri i Punëve të Jashtëme, Nesti Nase, që ai mision të mbëhej në sekretin më të madh, itinerari i udhëtimit me shumë peripecira dhe ndërhyrja e ambasadorit Sokrat Plaka në Beograd,  pritja që i’u bë nga homologët e tyre vietnamezo-verior dhe si u dekonspirua ai mision, aq sa për to kishin shkruar disa revista franceze dhe serbe, të cilat Mehmet Shehu ua tregoi pas kthimit të grupit nga Vietnami!

Dëshmia e inxhinierit ushtarak Memush Habilaj:”Në tetorin e vitit 1979 së bashku me shtatë koleg të tjerë nga Ministria e Mbrojtjes shkuan në Vietnamin e Jugut me një mision tepër sekret. Mehmet Shehu na kishte porositur që duhet të merrnin me çdo kusht kundrejt çdo lloj çmimi me dollar në dorë, raketën e famshme SAM–7, që kishte çuditur Perëndimin, të cilën kinezët na e kishin refuzuar”

“Misioni ynë ushtarak në Vietnam zgjati rreth dy muaj dhe në  dhjetorin e vitit 1979, kur ne u kthyem në Shqipëri, kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Mehmet Shehu, thirri shefin tonë Gaqo I. të cilit i bëri të ditur se megjithë masat e shumta që ishin marrë për kamuflim, misioni ynë ishte dekonspiruar dhe për t’ja vërtetuar, i tregoi dy gazeta të huaja (serbe e franceze) që kishin publikuar të gjithë emrat e anëtarëve të grupit tonë dhe qëllimin se përse ne kishim shkuar në Vietnam. Kështu e kujton ish-ushtaraku i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, Memush Habilaj, në intervistën e tij ekskluzive për Memorie.al, të fshehtat e atij misioni sekret të ushtarakëve shqiptar që në tetorin e vitit 1979 shkuan në Vietnamin e largët, pas urdhërit të Mehmet Shehut.

Çfarë ishte ai mision, kush ishin anëtarët e tjerë të grupit dhe përse ai u mbajt sekret? Cilat ishin porositë që iu dha para nisjes zv/ministri i Mbrojtjes, Nazar Berberi dhe kryeministri Mehmet Shehu? Cila ishte arma e famshme që kishte çuditur Perëndimin, të cilën kinezët kishin refuzuar t’ja jepnin Shqipërisë, dhe përse Mehmet Shehu u dha porosi të prera dhe i kërkoi misionit të ushtarakëve shqiptar që ta merrnin me çdo kusht në Vietnam, qoftë dhe duke e paguar me dollar në dorë me çfardo shume që t’u kërkohej?! Çfarë ndihme u kishte dhënë Ushtria Shqiptare asaj të Vietnamit të Veriut kur ata luftonin me Vietnamin e Jugut dhe çfarë kërkonte prej tyre me anë të atij misioni që po dërgonte?

Ç’farë u tha atyre para nisjes ministri i Punëve të Jashtëme Nesi Nase, dhe si u kamuflua misioni i ushtarakëve shqiptarë në atë udhëtim të largët ku ishin porositur të gjithë ambasadorët e Shqipërisë në shtetet ku ata do të kalonin tranzit, për të dalë në aerporte dhe të merrnin masat që të mos dështonte udhëtimi i “delegacionit tregtar”? Si u realizua udhëtimi dhe si u shmang në Beograd nga Sokrat Plaka dështimi i mundshëm i atij misioni nga greva e punonjësve të aeroporteve? Si mbërritën ata në aeroportin e Saigonit dhe përse udhëtarët e asaj linje u çuditën kur “delegacioni tregtar shqiptar” u prit me “Benz”-a luksoz të cilët u afruan deri tek shkallët e avionit?!

Kush e priti misionin e ushtarkëve shqiptarë në Hanoi, përse u dërguan ata në pallatin që kishin ndërtuar amerikanët, si ndiqeshin në çdo hap nga agjenturat sovjetike dhe përse ata shkuan deri në Kamboxhia?! Ç’farë të dhënash dhe çfarë armësh arriti të merrte misioni i inxhinierëve ushtarakë të Ministrisë së Mbrotjes dhe përse vietnamezët nguronin dhe nuk u’a dhanë shumë nga armët dhe teknikën lufarake që ata kërkuan?! Lidhur me këto dhe të tjera anë të fshehta dhe të panjohura të atij misioni ushtarak që shkuan në Vietnam 41 vite më parë, na njeh me intervistën e tij ekskluzive për Memorie.al, ish-ushtaraku dhe inxhineri kimist, Memush Habilaj, ish Drejtor i Laboratorit Qëndror të Kërkimeve Kimike të Ministrisë së Mbrojtjes.

Zoti Habilaj, si u bë nisja nga aeroporti i Rinasit dhe si u kamuflua misioni juaj?

Pak para nisjes, neve na u dhanë dhe udhëzimet e fundit, sesi do të niseshim për në Rinas, ku në mes të tjerash na u tha se: ne nuk duhet që të kishim me vete asnjë lloj dokumenti ose fotografi që të dëshmonim se ishim ushtarakë. Sipas këtyre udhëzimeve, grupi ynë i përbërë prej shtatë vetash, u nis në drejtim të aeroportit të Rinasit, jo me mjetet e Ministrisë së Mbrojtjes, por me taksi të veçanta, për gjithësecilin nga ne që shkuam aty nga drejtime të ndryshme. Po ashtu edhe në Rinas ne nuk na përcolli asnjë nga titullarët e Ministrisë së Mbrojtjes, por vetëm atasheu tregtar i Vietnamit, meqënëse ne ishim kamufluar si atashe civil tregtar.

Cili ishte intenerari i udhëtimit tuaj për në Vietnam?

Nga Rinasi, ne u nisëm me avionin e shoqërisë ajrore jugosllave JAT, dhe udhëtimi ynë që zgjati rreth tre ditë, u bë: Tiranë-Beogard-Vjenë-Paris-Zyrih, dhe më pas Zyrih-Dubai-Bombei-Saigon-Hanoi. Gjatë udhëtimit, ne ndërruam disa avionë, për shkak të problemeve të shumta që na u paraqitën gjatë udhëtimit.

Çfarë problemesh ju dolën, dhe a rrezikonin ato qëllimin e misionit tuaj?

Probleme gjatë udhëtimit ne patëm që në ndalesën e parë në aeroportin e Beogradit, ku nuk mundëm të vazhdonim udhëtimin tonë për në Paris, për shkak të një greve që kishin filluar punonjësit e atij aeroporti. Sapo zbritëm në aeroportin e Beogradit, na priti ambasadori ynë Sokrat Plaka, i cili, pasi na shtroi një drekë, na siguroi udhëtimin me një avion tjetër që nisej për në Paris. Kur mbërritëm në aeroportin e Parisit, aty na kishte dalë për të na pritur ambasadori, Misto Treska, i cili po ashtu na shtroi një drekë. Aty në Paris, unë mora vesh, që sipas urdhërit të Mehmet Shehut, (i cili e konsideronte të rëndësishme, vajtjen tonë në Vietnam), Ministri i Jashtëm, Nesti Nase, kishte porositur të gjithë ambasadorët e vëndeve ku do të kalonim, që të na prisnin dhe të merrnin të gjitha masat në mënyrë që udhëtimi jonë të mos pengohej. Dhe sipas këtij urdhëri, të gjitha ambasadat tona të vëndeve ku ne do të kalonim, treguan një gadishmëri të madhe, dhe deri sa mbërritëm në Saigon, nuk patëm asnjë problem.

Kush ju priti në aeroportin e Saigonit?

Kur mbërritëm në aeroportin e Saigonit, binte një shi i madh, dhe udhëtarët nguronin që të zbrisnin. Në atë kohë, tek dera e avionit erdhën disa ushtarakë vietnamezë të veshur civilë, dhe pyetën: “Kush janë pjestarët e delegacionit tregtar që vijnë nga Shqipëria”? Pas kësaj ne dolëm, dhe hypëm në tre “Benz”-a luksozë që na u afruan deri tek shkallët e avionit, gjë që shkaktoi një habi të madhe tek të gjithë udhëtarët e avionit, se si një delegacion tregtar nga Shqipëria, po pritej me këto makina luksoze pa u kontrolluar fare në doganë. Në sallat e aeroportit të Saigonit, që quhej ndryshe dhe Ho Shi Min, ne na pritën disa ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes së Vietnamit, që ishin veshur civilë, si dhe ambasadori ynë, Yzedin Bimo. Pas takimeve të rastit që bëmë me delegacionin ushtarak që kishte dalë për të na pritur, me një avion special që ishte vënë posaçërisht për ne, u nisëm në drejtim të Hanoit, kryeqytetit të Vietnamit të Veriut, ndonëse në atë kohë, Vietnami ishte unifikuar në një shtet të vetëm.

Ku u vendos delegacioni juaj, dhe si ju trajtuan gjatë qëndrimit tuaj atje?

Në kryeqytetin Hanoi, që në atë kohë kishte rreth dy milionë banorë, ne na akomoduan në hotelin më të mirë që kishte ai qytet, në kushte mjaft komode. Gjatë atyre ditëve, ne vizituam, pothuajse të gjitha pikat kryesore të qytetit, por kudo që shkonim, përveç shoqëruesve tanë zyrtarë, ne shikonim dhe njerëz të tjerë që na survejonin rregullisht. Ishte e pamundur që t’i njihnim, pasi ata na dukeshin të gjithë njëlloj. Në hotelin ku ishim akomoduar ne, ishte më i miri që kishte Hanoi, kishte dhe klientë të tjerë nga shtete të ndryshme të botës, ku më shumë në sy, binin sovjetikët

Misioni juaj, a kishte ndonjë program në lidhje me vizitat që do të kryenit në Vietnam?

Gjithçka që do të realizonim në Vietnam, që nga vizitat dhe mbledhjet e përbashkëta të punës, ishte parashikuar më parë në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe, që ishte nënshkruar nga Ministria jonë e Mbrojtjes dhe ajo e Vietnamit. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, dhe të kërkesave tona, ishin parashikuar dhe të gjitha vizitat që ne do të bënim në reparte, në baza të ndryshme ushtarake tokësore, ajore dhe detare, si dhe qëndra të fortifikuara. Kështu në bazë të këtij programi, ne vizituam shumë nga këto baza, për të gjitha llojet e specialiteteve që interesoheshim ne, si: Ndërlidhje, Kimi, Xhenjo, Mbrojtje Kundër-ajrore, etj. Gjithashtu ne vizituam shumë shkolla të ndryshme ushtarake, të cilat ndodheshin kryesisht në periferinë e Hanoit. Kudo që shkonim,  na shoqëronin një ose dy homologë tanë të armëve përkatëse, të cilët komunikonin në rusisht, sepse të gjithë pjestarët e delegacionit tonë e zotëronin si gjuhë, dhe vietnamezët, kishin mbaruar të gjithë shkollat në Bashkimin Sovjetik. Në distance të afëra me Hanoin shkonim me makinë, kurse në ato të largëtat, shkonim me helikopter.

Në çfarë realiteti u ndeshët, dhe çfarë iu bëri më shumë përshtypje gjatë vizitës suaj atje?

Gjëja e parë që binte në sy, sapo shkelje në Vietnam, ishte toka e djegur dhe shkatërrimet e shumta që i shihje kudo nga bombardimet që kishin bërë amerikanët me bomba me napalm. Gjatë atyre ditëve që qëndruam në Hanoi, na çuan që të shihnim edhe pallatin ku kishte banuar komandanti i përgjithshëm i ushtrisë amerikane, i cili e kishte pasur atë si vilë rezidenciale. Atë ndërtesë gjigande, vietnamezët, e kishin kthyer në rezidencë për pritjen e delegacioneve të huaja, dhe nuk kishin lëvizur nga aty, asgjë nga ato çka kishin lënë amerikanët atë ditë që ishin larguar. Aty gjëndeshin deri edhe mjete kancelarike, në zyrën e komandantit të përgjithshëm. Vietnamezët e kishin atë si trofe, për t’ju mburrur me luftën që kishin bërë kundër amerikanëve. Kjo ishte një ndër ndërtesat e pakta të pa-shkatërruara, që mbizotëronin në Vietnam. Po kështu në këtë gjëndje ishte edhe Kamboxhia.

Po përse shkuat ju në Kamboxhia?

Gjatë atyre shtatë javëve që ne qëndruam atje, shoqëruesit tanë vietnamezë, na dërguan edhe në Kamboxhia. Kjo ndodhi ku tre nga pjestarët e misionit (ku isha dhe unë), ishim duke vizituar një fushë të bombarduar nga armët kimike dhe bombat me napalm, diku afër kufirit, e cila vazhdonte me qindra km. brënda Kamboxhias. Shoqëruesit vietnamezë, nuk na treguan se ku po na çonin, por vumë re se gjatë atij udhëtimi, ata na shoqëronin me një “Xhip” me ushtarë të armatosur. Siç na thanë vietnamezët, por siç e pamë edhe vetë, udhëtimi në xhunglat e Kamboxhias, ishte mjaft me rrezik, sepse në ato xhungla, jetonin fise të prapambetura që nuk kishin asnjë lloj lidhje me pjesën tjetër të vëndit. Ata duke na pandehur si amerikanë, deshën të na qëllonin.

Si iu përgjigjën vietnamezët, kërkesave tuaja që thatë, se ishin bërë më parë, në bazë të marrëveshjes?

Në mbledhjen e parë, që bëmë me palën vietnameze në Minsitrinë e tyre të Mbrojtjes, ku në fillim na priti ministri dhe pastaj zv/ ministri, i cili shtroi një drekë për nder të delegacionit tonë, ne i’u bëmë të ditur kërkesat tona, duke i’u thënë se: ishim vënde mike, dhe ne kërkonim që ata të na ndihmonin. Kur ne parashtruam kërkesat tona, vumë re një ngurim të tyre për të na ndihmuar, dhe krijuam një bindje të plotë se ata na mbanin rezerva, dhe ne do ta kishim shumë të vështirë të merrnim ato që  kërkonim. Kur ne bënim ndonjë kërkesë për lloje të ndryshme armësh, apo teknikë luftarake, ata përgjigjeshin “Do të pyesim, Ministrinë, nuk jemi gati për këtë, do të bisedojmë përsëri, etj”. Po kështu kur pyesnim për ndonjë armë sipas asaj që kishim të parashikuar në marrëveshje, ata përgjigjeshin shkurt, dhe ndërronin temën e bisedës, në tema të parëndësishme për ne.

Po porosinë e veçantë të Mehmet Shehut, për rraketën SAM-7, kur ia parashtruat?

Që në takimin e parë që patëm me ushtarakët vietnamezë, ne parashtruam si pikë kryesore, kërkesën për rraketën SAM-7, duke iu thënë: “Ne e dimë që ju keni dalë të shkatërruar nga lufta, dhe keni probleme të shumta, por kërkojmë që të na ndihmoni duke na dhënë dy ekzemplarë të SAM-7 (prodhim sovjetik), të cilën do ta blejmë me dollarë në dorë, sa t’ju kushtojë, sepse ju nuk e prodhoni vetë, por e blini me dollarë”.

Si i’u përgjigjën ata kësaj kërkese?

Pasi dëgjuan kërkesën tonë, ata na thanë se ato armë i kishin në front, dhe se në Hanoi, nuk kishte të tilla. Ne i thamë se do t’i prisnim, dhe pas disa ditësh kur e pamë që nuk po na kthenin përgjigje, ua parashtruam përsëri këtë kërkesë. Edhe pas kësaj, ata filluan justifikimet e tjera, duke na thënë se: Ministri i tyre i Mbrojtjes, kishte shkaur për një vizitë jashtë Vietnamit, dhe sapo të vinte, do i’a paraqisnin kërkesën tonë. Megjithëse ne e kuptuam se ata nuk donin të na e jepnin atë rraketë, ditët e fundit të qëndrimit, ua përmëndëm edhe njëherë problemin e rraketës SAM-7, dhe ata na thanë se do të dërgonin në Shqipëri, një ose dy ekzemplarë.

Cilat ishin arsyet që vietnamezët nuk donin t’ua jepnin atë rraketë?

Në parantezë, desha të theksoj, se gjatë kohës që zhvillonim këtë bisedë, ku kërkesa për rraketën u përsërit disa herë, njëri nga ushtarakët vietnamezë, që ishte dhe kryetari i grupit, u ngrit dhe doli jashtë dhomës, dhe pas disa minutash u kthye, përsëri aty. Ajo që na bëri më shumë përshtypje, nuk ishte se u ngrit e doli nga dhoma, sepse në atë mënyrë zhvilloheshin bisedimet dhe kështu lëviznim dhe ne për kafe, por kur u kthye ai, ishte duke pirë cigare të prodhimit sovjetik, që ne e njihnim mjaft mirë. Ne menjëherë e pamë njëri-tjetrin në sy, dhe e kuptuam se në dhomë ngjitur me ne, qëndronin këshilltarët ushtarakë sovjetikë, me të cilët, vietnamezët konsultoheshin për gjithshka. Gabimi i tij, ishte se harroi të fikte cigaren, kur u kthye tek ne. Pra desha të theksoj, se për çdo gjë që kërkonim ne, ata pyesnin sovjetikët, dhe nisur nga ky fakt, them se edhe rraketën, ata nuk deshën të na e jepnin.

Po pas refuzimit që iu bënë për rraketën SAM-7, a insistuat për ndonjë armë tjetër?

Pasi nuk na e dhanë rraketën SAM-7, ne insistuam që të merrnim bombën B.L.U. e cila, është përdorur gjerësisht nga amerikanët, kundër vietnamezëve.

Çfarë ishte kjo bombë dhe përse e kërkuat atë?

Bomba B.L.U. e cila, në atë kohë u përdor nga amerikanët, bëri një bujë të madhe, dhe është një version i asaj që u hodh po nga amerikanët, në bazat ku mendohej se fshihej Bin Ladeni në malet e Afganistanit në vitet 2010-2011. Kjo bombë e cila hidhet nga avioni, kur bie në tokë, krijon një lëmsh gjigand zjarri, i cili përhapet me shpejtësi dhe shkatërron gjithshka, duke konsumuar dhe oksigjenin e ajrit. Kështu përveç efekteve shkatërruese që ajo jep, të cilat janë të njëjta me një tërmet të fuqishëm, ajo i vdes të gjitha qëniet e gjalla, të cilat nuk mund të jetojnë më shumë se dy minuta, nga mungesa e oksigjenit. Këtë bombë, aviacioni amerikan, ua hidhte vietnamezëve në grykat e tuneleve, dhe aty gjithshka kthehej në hi. Nisur nga buja që bëri kjo bombë, në shtypin perëndimor, Ministria e Mbrojtjes, na dha detyrë që të merrnim një ekzemplar të saj, me qëllim që të shihej mundësia e prodhimit të saj në Shqipëri.

A jua dhanë vietnamezët këtë bombë?

Edhe për këtë bombë, vietnamezët na u përgjigjën njëlloj si për rraketën SAM-7, duke u justifikuar. Por gjatë atyre takimeve, njëri nga shokët e misionit tonë, përfitoi nga rasti dhe mundi të kopjonte të gjitha të dhënat, nga katallogu origjinal të cilin vietnamezët e kishin lënë hapur mbi tavolinë, gjatë bisedimeve që ne bënim. Pas kësaj, sapo shkuam në dhomën e hotelit, pa bërë asnjë fjalë, se e dinim që aty kishte përgjuesa, ne e hodhëm skicën e saj në letër të pastër, duke shënuar të gjitha parametrat që kërkohehsin për ta prodhuar.

Sa përqind e kërkesave tuaja, u plotësuan nga vietnamezët?

Ata na plotësuan më pak se 50 përqind të kërkesave tona, dërgesat e të cilave më pas na i dërguan me anije.

Kur u kthyet, si reaguan në Ministrinë e Mbrojtjes, lidhur me mosplotësimin e misionit tuaj?

Kur u kthyem në Tiranë, ne bëmë raportin e përgjithshëm të misionit tonë në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe nuk pati ndonjë reagim nga ana e tyre, sepse ata e dinin gjëndjen, dhe nuk përbënte ndonjë gjë të re fakti, që pala vietnameze, nuk i përmbushi detyrimet që kishin nënshkruar me ne. Ajo për të cilën u çuditëm, ishte se: megjithë masat e shumta që ne kishim marrë për t’u kamfluar si tregtarë, misioni ynë ishte dekonspiruar.

Nga e mësuat këtë gjë?!

Këtë e mësuam kur Mehmet Shehu thirri në zyrë, shefin tonë Gaqo I., të cilit i tregoi dy gazeta të huaja, përkatësisht franceze dhe jugosllave, të cilat kishin shënuar të gjithë emrat e pjestarëve të delegacionit tonë, dhe misionin që do të kryenim në Vietnam.

Çfarë u bë me skicën e bombës B.L.U. që ju mundët të merrnit atje?

Përsa i përket projekt-skicës së bombës B.L.U. që ne sollëm, kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Mehmet Shehu, dha porosi që të studiohej mundësia e prodhimit të saj në vëndin tonë.

A u prodhua ajo në Shqipëri?

Pas porosisë së Mehmet Shehut, në Laboratorin Qëndror të Kërkimeve Kimike të Ushtrisë, i cili në atë kohë drejtohej nga inxhinieri Pirro Begvarfi, u ngrit një grup pune, që do të merrej me studimin e kësaj bombe, të cilin e kryesonte, inxhinieri i talentuar, Kudret Meta. Ky studim zgjati rreth një vit, dhe kur ajo punë ishte në prag të përfundimit, ndodhi vdekja e Mehmet Shehut, dhe punimet u ndërprenë. Pas kësaj, projekti i bombës B.L.U. u pezullua, dhe dosja e saj u arkivua.

Po më pas, a u morrën më armë nga Vietnami?

Nga Vietnami në atë kohë, u morën një sasi e pakët armatimi dhe teknike luftarake, sepse Shqipëria pothuajse të gjithë armatimin e importoi nga Kina. Shumë nga këto armatime, ku kishte edhe armë kimike, mbetën stoqe dhe pas viteve ‘90-të në një farë mënyre u bënë pengesë për aderimin e Shqipërisnë NATO./Memorie.al  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here