Moderatorja Alketa Vejsiu, është e para shqiptare e cila do të prezantojë në festivalin e famshëm në Itali, “Sanremo”.
Në një intervistë për revistën italiane “Gente”, Alketa i është prezantuar italianëve si “Chiara Ferragni e Tiranës” (Blogerja më e famshme në Itali).
“Amadeusi deshi ta kishte në krah, por pak e njohin. Nuk është vetëm prezantuese në radio e televizion, por edhe sipërmarrëse mode dhe influencuese. “Punoja që 14 vjeç”- shkruhet në përshkrimin e Alketës në revistë.
“Po mendoja tani për mijera shqiptarë qe jetojnë në Itali, që kanë bërë sakrifica dhe jetojnë me dinjitet në një vend të huaj, që mund të ndihen krenare për atë që përfaqësojnë, që blejnë revistat dhe lexojnë për Shqipërinë! Unë e di emocionin dhe krenarinë e tyre! E ndjej në mesazhet që më nisin në inbox! Këtë Sanremo jua kushtoj juve”- shkruan Alketa në postimin e saj.
“Sanremon e kam parë që fëmijë. Kur mora konfirmimin e pranisë sime, isha në një fshat në malet pranë kufirit me Kosovën dhe lëshova një britmë të fortë gëzimi pastaj nisa të qaj. Koka më vinte vërdallë nga lumturia. Mora menjëherë në telefon nënën, babain dhe tim shoq”- ka rrëfyer Alketa.
Gjithashtu, moderatorja ka treguar se është lumturisht e martuar që vrej vitit 2006 dhe ka dy fëmijë, të cilët i ka lindur të dy në Firence.
Alketa rrëfen se për një periudhë kohore ka jetuar në Toskanë.
“Rrogën e parë e kam çuar në shtëpi në moshën 14 vjeçare, kur punoja për një radio private në Shqipëri. Kisha një biçikletë me të cilën endesha rrugëve të Tiranës duke ndjekur ëndrrën time. Ndërkohë studioja shumë. Isha ambicjoze. Ishim të varfër dhe doja të bëja diçka të mirë për time më, për babain dhe vëllanë. Studimi dhe puna intensive kanë qenë garancia ime e suksesit.”- është shprehur ajo.