Shpërthejnë përplasjet mes KLP, SPAK dhe KPK, vetingu për prokurorët specialë fut në sherr institucionet, valë shkresash

0
299

Vakancat në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion kanë futur në sherr institucionet kryesore në vend. Edhe pse plani ishte që SPAK të funksiononte me 15 prokurorë, vetëm 8 janë emëruar, ndërsa 2 të tjerë janë të komanduar. Mirëpo edhe 10 prokurorë janë të pamjaftueshëm për Prokurorinë e Posaçme dhe kjo ka bërë që të ketë një valë letër-këmbimesh mes institucioneve. Pak ditë më parë, kreu i SPAK Arben Kraja i ka dërguar një letër kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi, ku i ka kërkuar komandimin e 2 prokurorëve të tjerë. Por pikërisht dërgesa e kësaj kërkesë ka shkaktuar përplasje mes institucioneve, pasi KLP ende nuk ka marrë një vendim.

Por sipas burimeve të gazetës, bëhet me dije se KLP i ka kthyer një përgjigje SPAK, ku shprehet se problemi për vakancat në Prokurorinë e Posaçme qëndron te organet e vetingut. Por të njëjtat burime i saktësuan gazetës se kreu i KLP Gent Ibrahimi i ka dërguar disa shkresa Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku i ka kërkuar që të vijojë vetingun me ritme më të shpejta dhe prioritet të ketë kandidatët që kanë aplikuar për të qenë pjesë e SPAK. Por duket se kjo kërkesë e KLP është marrë në konsideratë nga ana e KPK.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, KPK bën me dije se ditën e hënë do të dalë para komisionit Anton Martini, i cili është një nga kandidatët për SPAK ku do të vlerësohet për tre kriteret. “Subjekti: Z. Anton Martini, prokuror pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda; Vendi: Pallati i Koncerteve (ish-Pallati i Kongreseve), Salla B, Kati 0; Trupa Gjykuese: Genta Tafa (Bungo), Etleda Çiftja, Pamela Qirko”, thuhet në njoftimin e KPK. Por edhe këmbëngulja e kreut të SPAK, Arben Kraja ka bërë që KLP të mblidhet ditën e hënë, ku pritet që të shqyrtojë kërkesën për plotësimin e vakancave në Prokurorinë e Posaçme. Por ndonëse 15 prokurorë u kualifikuan për të qenë pjesë e SPAK, vetëm 8 e kanë kaluar vetingun, pjesa tjetër ka më shumë se 2 vjet që pret të kalojnë fazën e rivlerësimit. Pak javë më parë KLP ka komanduar në SPAK dy prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, me kërkesë të Krajës, duke e çuar në 10 numrin e prokurorëve të strukturës.

Reagon Arben Kraja

Pak ditë më parë kreu i SPAK, Arben Kraja i kujtoi pak ditë më parë edhe një herë Gent Ibrahimit kërkesën për shtimin e dy prokurorëve duke i kërkuar që të veprojë sa më shpejt, pasi puna e këtij institucioni ka nisur. “Të hetosh dhe ushtrosh ndjekje penale ndaj zyrtarëve të lartë padyshim që ka vështirësi. Janë njerëz të fuqishëm me pushtet, që ndodhen direkt me situata penale nga më të ndryshmet. Kërkon vendosmëri, profesionalizëm dhe objektivitet. Në kuadër të kësaj sigurisht do kesh dhe suksesin. Aktualisht Prokuroria e Posaçme ka 8 të emëruar dhe dy të caktuar përkohësisht. Kemi nisur hetimet duke u fokusuar në çështje më të rëndësishme. Kemi rivendosur kontaktet me partnerët ndërkombëtarë për çështje që vazhdojnë të hetohen. Janë disa hetime të përbashkëta që bëhen për llogari të autoritete e huaja. Ndërkohë kemi miratuar paketën e plotë të akteve nënligjore për zgjedhjen e drejtorit dhe anëtarëve të Byrosë së Hetimit”, u shpreh kreu i SPAK Arben Kraja pak ditë më parë në Konferencën Rajonale “Hetimi financiar i korrupsionit në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here