Jurgen Klop është trajneri më i mirë i momentit në botë. Madje dhe në vlerësimet e fundviti që lamë pas Klop u zgjodh si trajneri më i mirë nga FIFA dhe nga organizma të tjerë, duke marrë për bazë suksesin tij të madh me Liverpulin në Champions League. Por nëse merret për bazë shpenzimit që bën një trajner për të blerë një lojtar në treg, atëherë gjermani Klop nuk përfshihet fare në dhjetëshen e parë dhe është fakt që ai ia ka dalë të sigurojë trofe të mëdhenj me lojtarë të blerë lirë. Padyshim, rivalët e vjetër Murinjo-Guardiola janë teknikët që kanë shpenzuar më shumë dhe kësaj dysheje i ngjitet Karlo Ançeloti.
Në top-5 shpenzuesit më të mëdhenj është dhe Pelegrini dhe Alegri, ku vetëm pesëshja e parë ka shpenzuar në treg për blerje lojtarësh plot 5 miliard paundë, ose afro 6 miliard euro. Kampioni absolut është Hoze Murinjo, ndjeshëm i shkëputur nga dy ndjekësit më të afërt, Pep Guardiola dhe Karlo Ançeloti, që qëndrojnë në të njëjtin nivel për shumat që kanë shpenzuar në merkato në krye të skuadrave të ndryshme. Për të kënaqur Jose Murinjon, klubet që ka drejtuar portugezi kanë harxhuar shuma marramendëse, që kapin vlerën totale 1.3 miliardë paundë, pra rreth 300 milionë paundë më shumë se Guardiola dhe Ançeloti.
Portugezi nuk ka pasur kurrë frikë ta shpenzojnë paranë, qoftë te Çelsi, Real Madridi apo Mançester Junajtid. Hulumtimet e reja nxjerrin në pah faktin se asnjë menaxher tjetër nuk i afrohet “The Special One” në këtë aspekt. Karlo Ançeloti është i dyti në këtë listë. Shpenzimet e tij nisin që kur drejtonte Milanin, për të vijuar me blerjet kur drejtonte, Çelsi, Paris San Zhermen, Real Madridin dhe Bajernin e Mynihut. Por asnjë nuk krahasohet me Murinjon, “bosin” aktual të Totenhem, blerja më e shtrenjtë e të cilit ishte Pol Pogba (Mançester Junajtid) për shifrën rekord të asaj kohe, 89.3 milionë paundë (në verën e vitit 2016). Murinjo gjithmonë ka kërkuar investime nga pronarët e klubit.
Blerje të tjera të shtrenjta gjatë përvojës së tij te Mançester Junajtid ishin Romelu Lukaku për 75 milionë paundë dhe Fred për 53 milionë. Në dy periudha të ndryshme të Murinjos si trajner i Çelsit, klubi londinez nënshkroi me sulmuesit Andrij Shevçenko për 40 milionë paundë, Didier Drogba për 35 milionë dhe Diego Kosta për 34 milionë. Kur Murinjo drejtonte Realin u shpenzuan për Luka Modriçin plot 31.5 milionë paundë dhe për Angel Di Marian 30 milionë.