Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi viktima dhe shumë dëme materiale, qindra pallate dolën jashtë funksionit, duke u cilësuar si të pabanuara. 7 pallate do të jenë objekt hetimi nga Prokuroria e Lezhës.
Organi i akuzës ka administruar provat e referuara nga Policia Gjyqësore në lidhje me këto objekte. 6 prej tyre janë pallate të ndërtuara para viteve 90, ndërsa 1 pallat është ndërtuar gjatë viteve të fundit dhe nga tërmeti ka pësuar dëmtime serioze.
Në objektet e vjetra që janë referuar për hetim pranë prokurorisë rezulton se ka pasur ndërhyrje në katet e para apo dhe shtesa të ndryshme çka dyshohet se ju kanë dobësuar strukturën, ndaj nuk i kanë përballur lëkundjet e forta sizmike. Ndërsa për një pallat 10 katësh i cili është ndërtuar gjatë viteve të fundit ka dyshime se cilësia e punimeve ka qenë e dobët, ndaj dhe ka pësuar dëmtime të shumta.
Materialet e referuara nga Policia Gjyqësore me kërkese të organit të akuzës, tashmë janë në dorën e drejtuesit të prokurorisë së Lezhës Milan Laska dhe në ditët në vijim pritet të regjistrohet procedim penale për tre vepra penale “Ndërtimi pa leje” parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal, “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”, neni 199/b i Kodit Penal si dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimet e prokurorisë do të përcaktojnë nëse ka element të këtyre veprave penale që sigurisht nëse faktohet diçka e tillë personat përgjegjës do të vihen para drejtësisë. Në Bashkinë e Lezhës janë shpallur të pabanueshëm 10 pallate dhe 2 institucione që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit.