KPK konfirmon në detyrë gjyqtarin e Shkodrës, ja si Kalaja rrëzoi pretendimet e Komisionit në të tria kriteret

0
430

Gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk i ka parë si problem, duke vendosur ta konfirmojë në detyrë gjyqtarin e Apelit të Shkodrës Astrit Kalaja. Komisioni në lidhje me kriterin e pasurisë konstatoi mangësi të të ardhurave në disa vite, kryesisht pas disa blerjeve të pasurive të paluajtshme. Sipas KPK, gjyqtari ishte përfshirë në transaksione që ishin të paqarta. Gjithashtu, gjatë seancës dëgjimore, relatori tha se disa prej veprimeve nuk ishin deklaruar në deklaratat vjetore. Për apartamentin blerë në vitin 2009, KPK konstatoi se gjyqtari kishte pasur të ardhura të mjaftueshme, por koha e pagesave dhe shumat e deklaruara si të kursyera dhe lëvizjet bankare e nxirrnin atë me bilanc negativ. Lidhur me figurën, DSIK e vlerësoi negativisht gjyqtarin, duke e vlerësuar si të papërshtatshëm për të vijuar detyrën. Sipas raportit, Kalaja akuzohej për kontakte të papërshtatshme dhe probleme që preknin figurën. Ky raport, sipas gjyqtarit është i pavërtetë, duke shprehur se nuk do të vinte në veting nëse do të kishte probleme me figurën, duke shtuar se nuk shoqërohej fare me persona me probleme dhe se të gjithë i njihnin personat me të cilët ai qëndronte. Për kriterin e aftësive profesionale, KLGJ kishte gjetur një sërë problemesh procedurale në vendimet e gjyqtarit. Relatori i çështjes gjithashtu vuri në dukje se gjyqtari Kalaja ka probleme me administrimin e dosjeve dhe mos respektim të të drejtës së rekursit. Për këtë konstatim, gjyqtari pretendoi se kishte pasur ngarkesë në punë gjë që shpjegonte edhe vonesat në zbardhjen e vendimeve, duke shtuar më tej se gjykata nuk kishte qenë asnjëherë me organikë të plotë. Në seancë u përmend dhe një denoncim i bërë në emisionin Fiks- Fare nga një avokat. Ky i fundit pretendon se ishte përjashtuar padrejtësisht nga mbrojtja e dy të akuzuarve. Sipas denoncimit, gjyqtari Kalaja dhe dy gjyqtarët që hetonin çështjen kishin shkelur të drejtën e dy të akuzuarve për tu mbrojtur duke u mohuar avokatin e zgjedhur prej tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here