Sot prokurori i Apelit të Tiranës, Genti Xholi do të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili do të gjykohet nga trupa e përbërë nga Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Firdes Shuli. Ndërsa një ditë më parë, “BIRN” ka publikuar analizën e pasurisë së tij. Prokurori Xholi deri në vitin 2003 nuk zotëronte asnjë pasuri, por 4 vite më pas, në 2007 kjo ndryshon dhe pasuria familjare e tij kap vlerën e 7.1 milionë lekëve. Prokurori Xholi ka deklaruar pasuri një apartament në Pogradec me vlerë 4 milionë lekë, likuiditete në bankë prej 1.3 milionë lekësh, automjet me vlerë 1.1 milion lekë dhe kursime në cash prej 650 mijë lekësh. Për periudhën deklaruese, të ardhurat familjare të prokurorit janë 29 milionë lekë, ku 58% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni i prokurorit, ndërsa paga e bashkëshortes zë 37% të buxhetit të familjes. Rreth 1% e totalit deklarohen si dhurata me rastin e martesës, ndërsa të ardhura më të vogla janë siguruar nga aktiviteti i mësimdhënies. Një problem është konstatuar në skedën e pasurisë së prokurorit të Apelit të Tiranës, Genti Xholi. Bëhet fjalë për mosplotësimin e deklaratës periodike të vitit 2014. Në vitin 2006 prokurori Xholi deklaron se ka përfituar si dhurata nga të afërmit me rastin e martës 500 mijë lekë, ndërsa në vitin 2013 deklaron një kredi bankare prej 1 milion lekësh, gjysma e së cilës nuk është përdorur dhe është mbajtur në gjendjen cash. Po sot do të dalë para KPK gjyqtari Klodian Kurushi. Skeda e pasurisë së gjyqtarit të Krimeve të Rënda, tregon se gjyqtari nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij kap vlerën e 17.6 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 1.2 milionë lekësh. Në fund të vitit 2017, Kurushi zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 11.6 milionë lekë si dhe likuiditete bankare prej 5.9 milionë lekësh. Për periudhën që ai ka deklaruar, të ardhurat familjare janë 33.9 milionë lekë, ku rreth 50% e të ardhurave kanë si burim pagën e tij si gjyqtar, ndërsa paga e bashkëshortes zë 48% të totalit. Gjyqtari ka përfituar gjithashtu të ardhura të vogla nga mësimdhënia. Problem në skedën e pasurisë është konstatuar mungesa e çmimit të një apartamenti ku gjyqtari zotëron pjesë takuese si dhe transaksionet e kryera me një kredi të butë për strehim.