Elma Doresi: Arti po kalon periudhë të errët, mungesa e sallave po sjell asgjësimin e komunitetit artistik

0
405

Regjisorja Elma Doresi është e vlerësuar në jetën artistike me teatrin. Në skena të ndryahme teatrore ka sjellë vepra shqiptare dhe të huaja, që janë duartrokitur nga publiku, por vlerësuar edhe nga kritika në festivale të ndryshme. Ajo shprehet se teatrin e shikon si shtëpinë e saj. Por kur kanë kaluar vite nga vepra e parë, që ka sjellë në skenën teatrore premierë për publikun, regjisorja Elma Doresi shprehet se sot jetën artistike e kemi të vakët. Sipas saj, publiku në rënie është alarmi për teatrin sot. Në intervistën për “SOT”, regjisorja Elma Doresi shprehet ndër të tjera se plagjiatura është problem në teatër sot. Ajo thotë se si regjisore, plagjiaturën nuk e fal në jetën artistike të teatrit dhe pohon se kritika duhet ti demaskojë raste të tilla. Duke folur për problemet në fushën e teatrit, ajo shpreh shqetësimin përse nuk zhvillohet më konkursi “Netët e leximit të dramës shqipe”. Për regjisoren Elma Doresi, ministria nëse do të mbahet mend në diçka të mirë, le të fillojë me rikonstruksionin e sallave të Teatrit Kombëtar dhe rikthimin e artistëve tek Kombëtari dhe Eksperimentali.

-Në skenat teatrore me shfaqje të ndryshme, me vepra shqiptare dhe të huaja për publikun. Çfarë është teatri për regjisoren Elma Doresi?

Teatri është shtëpia ime. Teatri është tempulli ynë. E kam parë përherë si vendin e lirë, e njerëzve të lirë, e mendimeve të lira. Është vendi, ku në formë komike thuhen gjërat më tragjike. Ky është misioni i artit. Teatri është vendi i 1001 sakrificave, por dhe i 1001 mrekullive.

– Kanë kaluar vite, çfarë kujton nga fillimet tuaja në jetën artistike me teatrin?

Kujtoj të pamundurën, që u bë e mundur. Kujtoj se pas një dere, që hapej më priste një derë e re. Fundja, kjo është përherë tek ne: Një start. Kujtoj një konkurs në Ministri të Kulturës, disa çmime e më pas një kontratë. Kujtoj dhe punën e mrekullueshme me fëmijët, që nuk dëgjojnë. Kujtoj ëndrrat e mia, që i nxora nga sirtari dhe i realizova. Por fillimi është përherë prezent në profesionin tonë. Ka përherë një start, një zhvillim dhe një fund për? Të nisur përsëri një start.

-Si e kujtoni shfaqjen e parë me regjinë tuaj në skenë?

“Le të bëjmë seks” ka qenë dhe fatsjellësja ime. Nisi me këmbë të mbarë. Disa çmime. Më pas një ftesë për ta vazhduar. Ah dhe shumë publik. Një punonjës i teatrit që sot nuk jeton më, mbaj mënd që tha: goce, sa ke brenda, ke edhe jashtë njerëz. Kujtoj se sa u “ndëshkova” nga komuniteti artistik në fillim. Fjalia që dëgjohej atë periudhë me e përfolura, por dhe më komikja për mua ka qenë: kush është kjo gocë, që do të bëj “seks” në Teatrin Kombëtar (qesh). Natyrisht kujtoj dhe se kur shfaqja doli, doli dhe tema e vërtetë e produktit tonë.

-Kur kanë kaluar vite pas veprës së parë në teatër, çfarë mund të na thoni sot për aktivitetin tuaj?

Ju më thoni se kanë kaluar vite, ndërsa mua më duket si dje. Mendoj se diçka kam bërë (qesh). Shpesh shikoj pas e them: si ia dola? Dhe përgjigjen e gjej sërish po vetë: pasioni. Mos dorëzimi. Puna. Përzgjedhja e njerëzve. Guximi. Në profesionin tonë duhet shumë forcë për të ecur dhe unë e gjeta. Gjatë rrugëtimit më është dashur të mbaj mbi shpatulla shumë. Por magjia e teatrit më ka dhënë forcën. Kur shoh çmimet për shembull, janë 20 në total në një periudhë 2010-2014, them: unë vërtetë i kam marrë këto (qesh). Megjithatë vlerësimet na bëjnë të ndihemi mirë, por vlerësimin tim më të madh nga gjithë aktiviteti im ka qenë: të sjell sa më shumë publik në teatër e të gjeja çelësin e komunikimit me ta. Gjë që ia kam dal, dhe që më bën të ndihem mirë me veten.

-Për ju si po zhvillohet teatri sot në jetën artistike?

Jetë artistike ka, por e vakët. Në vitet 2015-2016 Teatri Kombëtar pati sukses. Rreth 12 produksione të mëdha në vit, publik gjithashtu, më pas erdhi një ngërç. Një konkurs, i cili nuk u zhvillua. Rënie të produksioneve. Një bord më pas i asgjësuar. Publik në rënie. Madje dhe në festivale nuk kam dëgjuar që të marr pjesë Teatri Kombëtar. Ky është një alarm për teatrin. Diku ka një ngërç e dikush duhet ta zgjidh. Ka dhe një problematikë, që shpesh e kam thënë dhe e di që do të bie në përsëritje, siç është plagjiatura. Kur do ndërhyjë e drejta e autorit në produksione? Është turp i madh. Dikush duhet të flasë, dikush duhet të ndëshkohet. Kritika, media, duhet të demaskojnë këto fenomene të shëmtuara që ndodhin. Po u ofrojmë publikut shfaqje, që shumë bukur mund ti shohin origjinalin në YouTube. Këtë, unë si Elma, nuk e fal.

-Mungesa e sallave me çfarë vështirësie i përball artistët?

Me sjellje të papunësisë. Personalisht kam lexuar këto kohë shumë. Shumë prej tyre i kam rezervuar për shfaqje. Po ku? Më thoni ku ta vendos? Kjo është periudhë e errët, që po kalon arti. Të duash të punosh e të mos kesh se ku. Trishtim. Mungesa e sallave ul numrin e produksioneve. Mungesa e sallave ul numrin e të punësuarve. Ku janë aktorët? Ku janë regjisorët? Kostumografët? Skenografët? Mungesa e sallave po sjell dhe asgjësimin e komunitetit artistik dhe rënien e cilësisë.

-Jeni shprehur dhe më parë, që mungesa e veprave shqiptare ndihet në skenat tona. Çfarë duhet të bëjnë teatrot?

Mendoj se jam regjisorja e vetme, që sot për sot i kam kushtuar kohë, mund dramës shqipe në skenë, qoftë si regjisore qoftë si kuratore. Pse nuk u zhvillua më konkursi i “Netëve të leximit të dramës shqipe”? Ajo ishte dritare shumë e mirë për dramën shqipe. Ku janë autorët? Unë si regjisore kam bërë mjaft, por po nuk u interesuan ata mos presin nga të tjerët. Natyrisht si mbrojtëse e dramës shqipe po e quaj veten, shpesh i kam bërë edhe përmbledhje se ku ndodhet drama shqipe. I kam vënë në dukje edhe problemet e saj. Kemi vepra me temë të mirë, por që nuk zhvillohen. Duke kaluar në një punë laboratori me dashamirësi, i jepet një dorë veprës. Pra, ajo që dua të them është: e duam apo se duam dramën shqipe? Dhe kam frikë se është e dyta.

-Po Ministria e Kulturës, si mund ta stimulojë dramën shqipe dhe autorët?

Me konkurse. Siç zhvilloj dikur për 100- vjetorin e pavarësisë. Çdo vit duhet të bëj konkurse për dramën shqipe. Fituesin ta vendosi ministria se ku ta realizojë, ama të bëhet diçka. Ndërsa regjisorin ta përzgjedhë me anë të platformës regjisoriale. Ide kemi shumë, por a na dëgjon njeri? Druaj se përsëri do të biem në vesh të shurdhët.

-Artistët pohojnë buxhet i paktë për veprat teatrore te projektet e pavarura. Si ndikon kjo në shfaqje?

Duam apo nuk duam ta pranojmë buxheti duhet. Ka ndikim të madh nëse do të zhvillosh një shfaqje. Shfaqja ka kosto, ka kostume, ka skenografi, ka aktore, ka skenë. Tek ne biseda nis: shiko se s’kam shumë fond. Dhe ti dashur pa dashur ndikon në krijimtari. Fillon të ulësh kostot, por kështu ulet dhe cilësia, etj. Më vjen keq për artin dhe me atë çfarë ne duhet të ndeshemi: buxheti. Pra ne sot nuk flasim për cilësi artistike, për arritje artistike. Ne sot përsëri themi (popullorshe): s’kemi lekë. Mungojnë debatet, prandaj jemi në këtë gjendje. Mungojnë njerëzit që të ngrenë zërin, prandaj sot diskutohet ende buxheti i ulët.

-Mungon kritika në art, por ju si e shikoni nivelin artistik. Çfarë po ndodh me teatrin?

Kritika mungon. Por ama dhe kritikën nuk e duam. Pra kërkojmë nga kritika, por kur ajo flet neve nuk duam ta dëgjojmë. Ne na pëlqen të gënjehemi me sa kam kuptuar kohët e fundit. Ndoqa një debat një ditë në Facebook. Komente dhe reagime personale. Përse? Sepse dikush ka bërë një kritikë mbi produksionet. Dhe kështu dola në përfundimin se kritikën nuk e duam, pasi na pëlqejnë gënjeshtrat. Ose kritika u kujtua tepër vonë, për të thënë të vërtetat. E tani, asnjë nuk u beson.

-Në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, si e keni parë Festivalin për Mbrojtjen e Teatrit, që ka tashmë dhe një kalendar për aktivitetin artistik?

Protesto me art. Ku ka më bukur. I përgëzoj qëndrestarët dhe organizatorët si dhe së fundi piktorin Avni Delvina, që tronditi me art ashtu siç vetëm arti di ta bëjë. Kam vënë re, që ka një kalendar. Ka shumë njerëz nga komuniteti artistik, që i janë bashkuar kauzës, sidomos nga Kosova të cilët i përulem. Mendoj se do vazhdojë ky aktivitet dhe kjo mbrojtje artistike. Unë personalisht kam ndjekur disa nga aktivitetet, që ata kanë zhvilluar dhe kam vënë re se ka shumë dëshirë nga ana e publikut për të qenë aty në Teatrin Kombëtar.

-Çfarë mund të na thoni për Ministrinë e Kulturës, për ju sa ka bërë për problemet me artin dhe kulturën. Çfarë ka munguar?

Ministria nëse do të mbahet mend në diçka të mirë le të fillojë me rikonstruksionin e sallave të Teatrit Kombëtar dhe rikthimin e artistëve tek Kombëtari dhe Eksperimentali. Kaq mungon dhe kaq na duhet. Mundet? Sigurisht. Bëjeni një të mirë për veten tuaj si ministre e pastaj për komunitetin artistik. Për mua vazhdon të mungojë komunikimi me ministrinë. Sa e thjeshtë dhe sa e bukur do të ishte një ftesë në teatër nga ministria për gjithë komunitetin artistik, e të hidheshin e të debatohej aty live për të gjitha shqetësimet. Zonja ministre duhet të kuptojë se teatri nuk është “Turbina”, e se 10 aktorë që takon aty nuk është komuniteti artistik.

-Si e shikon brezin e aktorëve të rinj?

Nuk i njoh, njoh një pjesë të vogël prej tyre. Më pëlqen guximi tek një pjesë prej tyre, dhe kam dëshirë të flas me ta herë pas here. Por nuk kanë shumë hapësira duhet thënë. Ne të paktën kishim festivalin e te rinjve. U duhet dhënë hapësirë. Kam besim tek brezi i ri dhe dua ti shoh në skenë.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here