Trashëgimia filmike e rrezikuar, por pak vëmendje ka nga shteti. Në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit janë prodhime të ndryshme të filmave, që mbajnë emrin e regjisorëve të njohur shqiptarë. Por për filmat para viteve ‘90 të prodhuar në Kinostudio, rreziku sipas kineastëve nuk mungon. Kineastë të njohur shprehen se shteti duhet të kthejë vëmendjen nga AQSHF, sepse aty ruhet pasuria jonë filmike, por në pamundësi restaurimi ka tituj filmash, që rrezikojnë jo pak. Regjisori i njohur Esat Musliu shprehet se një nga titujt e filmave të tij në arkiv, që është i rrezikuar është “Vitet e pritjes”. “Filmat po dekolorohen. Me solucionin, që janë larë këto filma i ka munguar diçka. Edhe negativi i filmit edhe pozitivi janë duke u shkatërruar, dhe duhet urgjentisht një remont i gjithë filmave shqiptarë, sidomos disa që janë më akut. Nga filmi im është për faqe të zezë “Vitet e pritjes”. Është nxirë komplet ai film nuk e di se çfarë ka, është një fenomen laboratorik, që duhet të kalojë nëpër duar restauratorësh. Atë e kam më keq nga të gjithë filmat në arkiv. “Rrethi i kujtesës” dhe “Hijet që mbeten pas” i kam mirë, por ky film është shumë keq. Është xhiruar me një negativ filmi, që quhet alfakolor dhe përpunimi laboratorik nuk është bërë i saktë, kështu që po dekolorohet”, tregon kienasti. Në kushte të tilla që është sot AQSHF, kineasti shprehet se nga shteti duhet menduar të blihet një aparaturë për restaurimin e filmave. “Urgjentisht të blihet një aparaturë restaurimi si fillim, të kemi një repart restaurimi pran arkivit të filmit dhe njëkohësisht të blihet një telekinema që ti hedhë filmat. Kopjet që qarkullojnë kudo, janë dhe ato të skaduara, janë bërë me një telekinema që profesionalisht nuk i ka resurset e duhura. Ajo telekinema është me difeket ndaj dhe filmat që shfaqen në ekrane të televizioneve nuk janë në rezolucionin duhur. Unë e kam kërkesë urgjente, që televizionet duhet ti shfaqin filmat ashtu sikundër janë xhiruar me atë format 3 me 4, që është formati klasik. Kurse ne televizione i shfaqin në një format, që është 16 me 9 dhe del figura e tejzgjatur, pra dalin trupat të deformuar”, tregon më tej regjisori Musliu.
Pak filma janë restauruar
Për regjisorin Esta Musliu problemi me filmat, që rrezikojnë është shqetësues dhe duhet të diskutohet për zgjidhen e tyre. “Janë shumë difekte, që për mua meritojnë të diskutohet problemi i trashëgimisë sonë filmike, i cili po shfaroset, është për faqe të zezë. Një seminar ku të diskutohet problemi i teknologjisë dhe i shkatërrimit të filmave shqiptarë të trashëguara para viteve ‘90. Filmat do të humbasin dhe do të zhduket një trashëgimi filmike, që është e jashtëzakonshme për vendin tonë. Kjo është një alarm i madh, që duhet të merret në konsideratë nga shteti. Buxhet më të lartë nga shteti për arkivin e filmit”, pohon Musliu. Për regjisorin Petrit Ruka gjendja sot për filmin në arkiv është për të vënë kujën, për rrezikun që i kanoset nëse nuk restaurohen. “Shteti të kthejë kokën nga arkivi i filmit, të jetë i vëmendshëm, sepse është pasuri e madhe kombëtare, jo se kushton shumë, rreth 20-30 mijë euro bën riparimi i një filmi. Është me të vërtetë për vënë kujën, që po vdesin disa filma të cilët janë fondamental në filmografinë tonë shqiptare. Megjithëse bëhen përpjekje, bëhet një film në 2 apo 3 vjet, por me këto shifra i bie që filmi të jetë i rrezikuar. Një pjesë e madhe e filmave, që janë realizuar para viteve ’70 janë të rrezikuar seriozisht dhe nuk bëhet fjalë për shumë të mëdha, por të vogla që nuk e dëmtojnë besoj shtetin shqiptar me gjithë fukarallëkun e vet. Ministria e Kulturës duhet të jetë shumë e shqetësuar për këtë gjë”, pohon Ruka. Edhe më herët kineastë të ndryshëm kanë folur për problemin me restaurimin e filmave, por sipas regjisorit Petrit Ruka filmat që rrezikojnë shtohen nga viti në vit. “Mund të bësh nga e para një rrugë, një urë, por filmin nuk e ribën dot nga e para. Të gjithë filmat që janë bërë para viteve ‘70 dhe kanë mbushur më shumë se 50 vjet rrezikojnë. Filmat tanë aq jetojnë në përgjithësi deri në 50 vjet, dhe më pas dekolorizohen. Kështu që rreth 80 për qind e filmave shqiptarë janë të rrezikuar. Numri i atyre që rrezikohen shtohet nga viti në vit, deri tani vetëm 4-5 filma janë restauruar”, pohon regjisori Ruka. Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992.
Nga Julia Vrapi