Edmond Budina: Politika sharlatane përpiqet të denigrojë artistin, ka si qëllim të shkatërrojë artin teatror në vend

0
455

Në skenën e teatrit Edmond Budina erdhi me një rrëfim për rrugëtimin e tij artistik. Pas shumë vitesh mungesë, këtë herë si aktor Edmond Budina ishte në skenën e teatrit, me një shfaqje që siç e quan dhe vetë krejtësisht të improvizuar. Në intervistën për “SOT” regjisori dhe aktori i njohur Edmond Budina shprehet se përmes këtij rrëfimi tregon çfarë ka kaluar me jetën e tij, qoftë si qytetar apo edhe si artist. Regjisor dhe aktor, Edmond Budina shprehet se duhet të hapet edhe Teatri Eksperimental, që jeta artistike dhe kulturore të jetë sa më e larmishme dhe më e gjerë. I njohur për qëndrimin e tij në mbrojtje të teatrit, Budina shprehet se Festivali për Mbrojtjen e Teatrit ka rëndësinë e tij si një festival proteste, dhe një qeveri që kërkon të shembë teatrin është kriminale. Për Budinën, një Ministri Kulture që nuk interesohet të hapë një teatër që është funksional, kur nuk ka asnjë vendim për ta shembur, është mjerane njëlloj si qeveria. Duke folur për problemet në jetën artistike, regjisori Edmond Budina shprehet se çdo qeveri nuk e ka pasur përparësi artin dhe kulturën në vend, por ka ardhur koha që Shqipëria të ndryshojë mendësi.

-Në skenën e teatrit ju u prezantuat me një rrëfim për rrugëtimin tuaj artistik. Sa rëndësi ka për ju që u ngjitët në atë skenë, ku ju kërkoni ruajtjen e teatrit?

Ne e menduam që kjo shfaqje të ishte në Teatrin Eksperimental. Një shfaqje krejtësisht e improvizuar, që lindi ditët e fundit. Ne duam që të hapet edhe Teatri Kombëtar Eksperimental, që jeta artistike dhe kulturore në Tiranë të jetë sa më e larmishme, sa më e gjerë. Të mos kufizohen dhe të mbyllen të gjithë te “ArTurbina”, sepse është një krim që të mbyllen tre salla të Teatrit Eksperimental dhe salla e Teatrit Kombëtar. Kjo do të thotë, që ta çosh në kolaps jetën artistike në Tiranë. Ne jemi kundër kësaj, sepse me sa duket qeveria është kundër artit teatror. Ne duam që të ketë sa më shumë salla. Pra të funksionojë Teatri Kombëtar, Teatri Eksperimental, Metropol, dhe nëse është mundësia të hapet dhe një teatër i ri, kudo që të jetë. Ky është synimi jonë, që të shpërfaqen mundësitë e tyre në sa më shumë teatro, sepse Tirana është 1 milion banorë dhe janë shumë pak salla teatri. Teatri Eksperimental, me dy sallat që kishte në funksion bënte 480 shfaqje në vit, dhe në momentin që ti i mbyll ku do ti bëjnë këto shfaqje? Te “Turbina”, te një sallë atje? Veç kësaj nuk mund të japësh paralelisht të “ArTurbina” shfaqje në të njëjtën orë. Duhet të jenë në orare të ndryshme. Pra synimi jonë është ky, ne duam artin teatror në Shqipëri, duam që të funksionojë sa më mirë teatri në vend dhe të jetë i pavarur nga kjo politikë sharlatane, që përpiqet që të denigrojë. Vetëm këtë bën, të denigrojë artistët, të denigrojë artin dhe gjithçka. Ky është synimi i politikës në vendin tonë.

-Si aktor pas sa vitesh jeni në skenën teatrore?

Unë kthehem pas shumë vitesh në skenën e teatrit. Unë kam luajtur role në Itali, por u bënë rreth 15 vjet që nuk jam më në skenë si aktor. Natyrisht që unë kam luajtur plot në filma, por në teatër jam rikthyer.

-Pse në skenë me një shfaqje, që tregoni rrugëtimin tuaj artistik?

Kjo shfaqje tregon rrugëtimin tim artistik në raport me ato çfarë kam kaluar unë me jetën time,  qoftë si qytetar apo edhe si aktor. Është një tregim i imi, për këtë rrugëtim që kam bërë, një ndjesi e imja, një emocion për atë që kam kaluar. Por në shfaqje janë mes saj edhe ndonjë poezi apo prozë, të cilat i japin një lloj freskie këtij lloj spektakli, që padyshim ka mesazhet e veta. Por unë për mesazhet nuk di të shprehem, sepse spektatori i merr direkt kur i sheh. Një shfaqje e improvizuar, ku është vetëm aktori dhe fjala. Mendimi im është, që në teatër sot aktualisht duhet të jetë së pari fjala, ajo që duhet të thotë. Teatri nga fjala nis, por dhe elementët e tjerë që janë të rëndësishëm. Mua më pëlqen një teatër i mirëfilltë i fjalës dhe jam munduar, që këtë fjalë ta përcjell sa më qartë, sa më dukshëm, sa më mirë tek publiku mbi të gjitha nëpërmjet emocioneve.

-Festivali për Mbrojtjen e Teatrit vjen si një festival proteste. Sa rëndësi ka për ju dhe si i janë përgjigjur deri tani artistët?

Një festival proteste, që nuk është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Një festival, që po funksion jashtëzakonisht mirë. Ne kemi oferta nga artistët, për të qenë pjesë e këtij festivali sidomos nga artistët kosovarë, që janë përgjigjur në mënyrë masive. Por ajo që më vjen keq është që kolegët tanë në Shqipëri nuk përgjigjen. Me përjashtim të aktorit Mehdi Malka, Justina Aliaj, por të tjerët jo. Shumë mirë ata mund të vijnë dhe ti japin një mundësi spektatorëve, që nuk i kanë parë në skenat e tjera, dhe ata ti shohin në skenën e Teatrit Kombëtar. Ne për festivalin kemi shumë oferta dhe nga artistët jashtë, trupa artistike gjermane që do të vijnë, trupa italiane, artistët nga Kosova që ishin dhe do të vijnë të tjerë. Pra ky teatër merr jetë, ky festival merr jetë pikërisht nëpërmjet vlerës kulturore, spektaklit dhe shfaqjeve. Kjo është e bukura e këtij festivali, që nuk është shtetëror ku ndahen çmimet, ku merren para, vijnë vipat. Ky është një festival i popullit, ku njerëzit vijnë pa para, shohin shfaqjen dhe kënaqen. Kush do lë diçka për benzinën, që ne paguajmë dhe ikën i kënaqur, mbase dhe i trishtuar, kjo s’ka rëndësi, por ama salla e teatrit i përket tashmë publikut, popullit. Synimi jonë është që të përdoren të gjitha sallat, si ajo në Teatrin Kombëtar, por dhe ato të Teatrit Eksperimental. Synimi jonë është, që Teatri Eksperimental të fillojë po këtu aktivitetin e tij, të hapen sallat. Ata janë zhvendosur te “ArTurbina”, por duhet të rizhvendosen dhe të kthehen në qendrën e tyre, sepse këtu e kanë vlerën. 480 shfaqje mund ti bëjë vetëm këtu, dhe jo atje në atë zgëq te “ArTurbina”. Ata duhet të kthehen këtu, ne do ti mirëkuptojmë, di ti mirëpresim dhe do ti ndjekim shfaqjet e tyre, do ti duartrokasim. Teatri Eksperimental duhet të hapë dyert, sepse nuk ka asnjë justifikim. Nuk ka asnjë ligj që duhet të shembet. Teatri Eksperimental është në gjendje jashtëzakonisht të mirë dhe nuk është lënë të degradohet, atëherë shfaqjet duhet të fillojnë të jepen po këtu. Pa diskutim që do të fillojnë të jepen këtu, ky është synimi jonë që ky teatër të rihapet.

-Ju folët për teatrin dhe probleme të artistëve, si e shikoni Ministria e Kulturës?

 Një qeveri, që do të shembë një teatër për mua është kriminale. Një Ministri Kulture, që nuk interesohet të hapë një teatër, që është funksional kur nuk ka asnjë ligj, kur nuk ka asnjë vendim për ta shembur për mua është mjerane njëlloj si qeveria, përgjegjëse po aq sa qeveria. Nëse është Ministri Kulture dhe mendon sadopak për kulturën duhet të hapë Teatrin Eksperimental të funksionojë. Vetëm kështu mund të shndërrohet një ministri e vërtetë kulture. Në të kundërtën është një ministri aferash edhe të dyshimta. Për mendimin tonë të gjitha aferat, që duan të shembin Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Eksperimental janë korruptive. Në këtë mes Ministria e Kulturës bën pjesë në këtë aferë korruptive të shembjes së teatrove kombëtarë.

-Qëndrimi juaj në mbrojtje të teatrit është pasqyruar edhe në mediat e huaja. Së fundmi i keni bërë apel dhe shtetit italian. Çfarë kërkoni për të mbrojtur teatrin?

 Ka shumë përkrahje në perëndim për sa i përket çështjes së teatrit. Sidomos bota gjermanofolëse ku shumë gazeta kanë shkruar, por edhe në Itali kanë shkruar. Pra dy ditësh unë dhashë dhe një intervistë në radion Radikale në Itali. Aty i bëra një apel dhe presidenti të Italisë, presidentit tim të dytë, sepse në fund të fundit unë jam një qytetar italian. I bëra thirrje të mbrojë kulturën tonë të përbashkët, sepse ky teatër është italian i ndërtuar në Shqipëri, një teatër italo-shqiptar. Ky teatër duhet të shpëtohet edhe nga shteti italian, që duhet të ndërhyjë. Ambasada italiane në Shqipëri duhet të bëjë punën e saj, të mbrojë kulturën e popullit italian, që shprehet nëpërmjet këtij teatri i bërë nga një arkitekt italian me një mençuri dhe zgjuarsi italiane. Italia duhet të bëjë shumë më tepër për sa i përket mbrojtjes së dy teatrove kombëtare.

-Pak ditë më parë u bënë dhe zgjedhjet në SASE. Ju u zgjodhët kryetar i sindikatës, dhe u shprehët se do të mbroni të drejtat e artistëve dhe punonjësve të skenës e ekranit. Sipas jush sa është shqetësuese gjendja?

Rëndësi ka që të gjithë sëbashku duhet të përpiqemi për të mbrojtur të drejtat e punonjësve të skenës dhe ekranit. Duhet bërë një luftë e vendosur për këtë. Gjëja e parë, që duhet bërë është rikthimi i kontratës së përhershme, sepse kontratat e përkohshme janë bërë në mënyrë të paligjshme. Kjo është një tjetër krim i Ministrisë së Kulturës dhe qeverisë, i gjithë atyre që drejtojnë në institucione dhe kanë pranuar këtë shkelje. Kanë bërë një shkelje me kontrata që janë kthyer nga të përhershme në të përkohshme. Të gjithë sindikatat duhet të mblidhen bashkë për ti dhënë dinjitetin artistëve, por këtu behët fjalë dhe për punonjësit e skenës dhe ekranit, që nga punëtori, elektricisti, etj. Ne duhet të ndryshojmë mendësinë në pushtet, të vëmë në dinjitet njeriun që punon. Njeriu që punon duhet të ketë dinjitetin e tij dhe duhet të mbrohet me çdo kusht. Nuk mund të nëpërkëmbin njeriun e punës. Shteti në këtë mënyrë ka nëpërkëmbur njeriun e punës dhe po e shkel me këmbë, po e shkatërron. Qëllimi i vetëm është të shkatërrojë artin teatror në Shqipëri.

-Edhe ky sezon që nisi artistik nisi me apelin e artistëve në drejtim të Ministrisë së Kulturës për problemet, që i kanë shoqëruar në jetën artistike. Ata shprehen, që nuk vlerësohen më si dikur për aktivitetin e tyre. Ju çfarë mund të na thoni?

Interesi për artin para ‘90 edhe pse ka qenë ideologjik, por e kanë vlerësuar në atë periudhë. Përpara ‘90 ka pasur interesim për artin, pas këtyre viteve nuk i kanë dhënë rëndësi, por e kanë marrë nëpërkëmbë. Çdo qeveri që ka ardhur nuk e ka pasur përparësi artin dhe kulturën në vend. Ka ardhur koha, që Shqipëria të ndryshojë mendësi. Arti dhe kultura çon përpara një komb, nëse nuk investon në art dhe kulturë do të mbetemi të fundit e Europës. Në momentin, që ne do të fillojmë të investojmë në art dhe kulturë do të ecim edhe më përpara. Qeveritë të gjitha që kanë qenë nuk kanë vepruar, por e keqja sipas meje është dhe e vetë njerëzve të artit, që nuk u bënë asnjëherë të gjithë bashkë. Të mblidhen aktorët me piktorët, skulptorët, shkrimtarët, dramaturgët, etj, të bëhen bashkë dhe të jenë një grup të mos përçahen nga politika, që dikujt i bën një favor dhe i jep diçka dhe shikon secili interesat e veta. Nëse intelektualët e këtij vendi do të jenë një grup, që do të punojnë sëbashku për të mirën e kulturës së këtij vendi nuk ka qeveri që i shemb. Fatkeqësia është se ne jemi si arrat kur i gjuan kaqoli.

 Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here