Tjetër hap drejt Kushtetueses, Kuvendi zbardh emrat e 6 kandidatëve, KED brenda javës pritet të vendosë për vendet vakante

0
359

Terreni për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese po bëhet gati pak nga pak. Për afro një vit, kjo gjykatë ka dalë jashtë funksionit për shkak të shkarkimeve të anëtarëve të saj nga procesi i vetingut. Por Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po punon që ajo të bëhet gati sa më parë. Me qëllim zëvendësimin e emrave të shkarkuar, Kuvendi dhe Presidenca hapën garën për kandidatët. Ditën e djeshme Kuvendi ka publikuar listën me gjashtë emra të interesuar për të zënë vendin e Fatos Lulos. Sipas njoftimit të Kuvendit, në listë është edhe emri i gjyqtares së Gjykatës së Tiranës, Regleta Panajoti. Ajo u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit para pak ditësh, ndërsa ka shprehur interes edhe më herët për Gjykatën Kushtetuese. Regleta Panajoti është pikëzuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe sipas rezultatit paraprak të pikëve, ajo qëndron në vendin e fundit në listën me 6 kandidatë. Në garë për të zënë vendin e Fatos Lulos është edhe Ded Kasneci, i cili më parë është përjashtuar nga gara me vendim të KED. Madje, për të është shprehur edhe Gjykata Administrative e Apelit pas ankimimit të bërë kundër vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Administrativja la në fuqi vendimin e KED. “Pas rishpalljes nga Kuvendi i Shqipërisë, në datën 21.8.2019, të hapjes së procedurave të aplikimit për vendin vakant për 1(një) anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të z. Fatos Lulo, kanë paraqitur kërkesën për shprehje interesi, si dhe dokumentacionin përkatës, kandidatët: Ardita Buna Alsula, Ded Kasneci, Klodian Rado, Regleta Panajoti, Shaqir Hasanaj dhe Vjosa Bodo Mujo”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

KED vendos brenda javës për vendet vakante

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pritet që brenda javës të marrë një vendim për vendet vakante të krijuara në Gjykatën Kushtetuese. KED ka bërë një pikëzim paraprak për gjashtë kandidatë, ndërsa akoma nuk është marrë një vendim përfundimtar. Por burimet i thanë gazetës se gjatë kësaj jave KED do të mblidhet për të bërë pikëzimin përfundimtar dhe do të hartohen edhe raportet për çdo kandidat të përzgjedhur. Listat me pikëzimin përfundimtar do t’iu dorëzohen më pas Kuvendit dhe Presidencës. Këta dy institucione do të zgjedhin nga tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Duhet theksuar fakti se ringritja e Kushtetueses nuk bllokohet dot sepse nëse Kuvendi dhe Presidenca nuk ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur anëtarë brenda një muaji, atëherë gjyqtar i Kushtetueses zgjidhet automatikisht kandidati i renditur më lart nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Nga pikëzimi paraprak i kryer nga KED, në vend të parë qëndron Arta Vorpsi me 89.610 pikë. Në vend të dytë është Besnik Muçi me 81.926 pikë, ndërsa në vend të tretë Elsa Toska me 85.425 pikë. Kujtojmë që për Besnik Muçin ka një ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe kërkohet shkarkimi i tij nga Komisioneri Publik. Megjithatë, pritet që javën e ardhshme të shkojë drejt finalizimit puna për ringritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendi dhe Presidenca të kenë në tavolinat e tyre listat me kandidatët e renditur nga KED. Pas ringritjes, Kushtetuesja do të vendosë për fatin e presidentit Ilir Meta. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here