Ahmet Ajeti, kosovari i dënuar me 20 vite burg në mungesë për një atentat ndaj Lulzim Berishës, në vitin 2005, ka mohuar akuzat. Gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku çështja po rigjykohet, ai dha një tjetër version për ngjarjen e 14 viteve më parë. Para trupës gjykuese kosovari tha se ai së bashku me Osman Korpuzin erdhën në Tiranë për të kërkuar punë. Sipas tij, në Tiranë dy persona i kanë ofruar punë në qytetin e Durrësit. Pasi shkuan në qytetin bregdetar dy kosovarëve ju komunikua se do merrnin një hotel dhe në këmbim duhet të vrisnin Lul Berishën. Por sipas tij, kur refuzuan ta vrisnin porositësit e vrasjes i kërcënuan me jetë. Ajeti dëshmoi se u vetësakrifikua duke plagosur veten në bark, pasi nuk donte të kryente vrasjen dhe u mor në mbrojtje nga policia. Por kosovari tha se dy porositësit e vrasjes i shkuan në spital, duke e kërcënuar se do i vrisnin vëllanë nëse fliste, ndaj nuk e denoncoi ngjarjen në polici. Ai shtoi se polici që e ruante e shoqëroi së bashku me vëllanë jashtë Durrësit, ku edhe më pas u larguan. “Erdha në Tiranë bashkë me Osman Korpuzin. U afruam në një ndërtesë dhe kërkuam punë. Ata na thanë që kishin punë për ne. Më pas jemi nisur drejt Durrësit, ku na dërguan në një hotel dhe na thanë është i joni. Të nesërmen ata erdhën prapë dhe na sollën një armë bashkë me një fotografi dhe na thanë do vrisni këtë person. Më shumë ata biseduan me Osmanin, por ne nuk donim të bënim vrasje. Por na thanë që nuk keni shpëtim pa kryer veprën penale. Unë vendosa të vetësakrifikohesha. Kur Osmani doli për të blerë cigare mora armën dhe në hyrjen e pallatit u vetëplagosa në anën e majtë, në bark. Plagosa veten pasi nuk doja të kryeja vrasje. Kisha ardhur në Shqipëri për punë pasi jam kryefamiljar dhe vëllanë e kam invalid të luftës. Në spital erdhën dy personat dhe me thanë që nëse flet vëllanë nuk do ta shikosh më. Më mori policia në pyetje dhe në një ndërtesë na ruante një polic, pasi më morën në mbrojtje. Policisë i thashë që jam përplasur gjatë një sherri banal me disa persona dhe ata më plagosën. Na ka shoqëruar polici, i cili më ruante së bashku me vëllanë. Na shoqëroi deri në dalje të Durrësit dhe u larguam”, ka thënë kosovari në dëshminë e tij përpara gjykatës. Vetëplagosja e Ajetit konfirmohet edhe nga dokumentet e hetimit, ku ky episod përshkruhet si shkrepje në sherr e sipër dhe jo si plan i autorit për të dështuar atentatin. Sipas organit të akuzës, Ahmet Ajeti dhe Osman Karpuzi u porositën nga Adriatik Coli dhe Endrit Dokle, për të eliminuar Lulzim Berishën, kreun e bandës rivale në qytetin e Durrësit. Hetimet: Vrasja për 80 mijë euro Kosovari Ahmet Ajeti ka qenë i dënuar me 20 vite burg në mungesë, për tentativë vrasje ndaj Lulzim Berishës në vitin 2005. Gjykata e ktheu çështjen për gjykim pas ekstradimit të tij drejt Shqipërisë më 20 korrik të vitit 2018. Sipas pretencës së prokurorisë lexuar në seancën gjyqësore ndaj bandës së Durrësit, në tetor të vitit 2011 mësohet që në gusht të 2005, Ahmet Ajeti lindur në Lipjan të Kosovës së bashku me Osman Karpuzin, udhëtuan nga Tirana në Durrës për të vrarë Lul Berishën, por atentati dështoi. Atentati ishte parashikuar si hakmarrje nga Endrit Dokle dhe Adriatik (Dritan) Coli për vrasjen e Klodian Saliut më 26.02.2005, kundërshtar i Lul Berishës. Pas 4 tentativave të dështuara më 30.8.2005 Ahmet Ajeti e Osman Karpuzi bien dakord të kryejnë ekzekutimin me antitank kundrejt një shumë prej 80 mijë eurosh. Por dhe kjo tentative dështon. Ahmet Ajeti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më datë 07.03.2016, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin nr. 01 datë 16.01.2012, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Armëmbajtje pa leje”./Elvis MYRTA