“Shkodra Jazz Festival” zhvilloi këtë vit edicionin e dhjetë. Një aktivitet, që bëri bashkë artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj, duke i dhënë një tjetër gjallëri artistike qytetit të Shkodrës. Sipas drejtorit artistik Florian Jakaj, nga data 17 gusht deri më 1 shtator u përjetuan “shpërthime” të paimagjinueshme emocionale, mes të rinjve të “Rrok Academy” dhe artistëve të jashtëzakonshëm të skenave botërore. Koncertet filluan me “Shkodra Sounds” në 22 gusht në zonën pedonale, pranë Jubanve. Drejtori artistik shprehet se pas një eksperience të shoqëruar me shumë pozitivitet dhe profesionalizëm për një javë masterclass, studentët e degës më të re në “Rrok Academy”, Fizarmonikë Klasike dhe Ballkanike, hapën koncertin të drejtuar nga muzikanti shkodran, i njohur ndërkombëtarisht Bardh Jakova. Më pas me një mesazh të veçantë fizarmonikat u bashkuan me “Rrok Academy” Classic nën drejtimin e maestro Paçalin Zef Pavaci për të luajtur së bashku “Pranvera filloj me ardhë….”. Mbrëmja u mbyll me studentë të “Rrok Academy” Jazz, të drejtuar nga Markelian Kapidani. 24 gushti solli në Shkodër “Daisies String Kuartet” në oborrin e Muzeut Historik. Aktivitetet dhe koncertet vazhduan dhe në datat 27, 28 dhe 29 gusht, për të vijuar dhe më datë 30 në sheshin “Nënë Tereza”, ku ishin artistët më në zë ndërkombëtar, por dhe më 31 gusht pati koncert me pjesëmarrjen e artistëve të huaj, të ftuar në “Shkodra Jazz Festival”, “Alboran Trio”, i përbërë nga Paolo Pagliaga në piano, Dino Contenti në kontrabas dhe Ferdinando Farao në bateri; më pas Johannes Faber, trompisti me famë ndërkombëtare, u shoqërua nga Markelian Kapidani në piano, Daniele Gorgone në piano/ tastierë, Matteo Cidale bateri, Kejdi Barbullushi kitarë, Marco Piccirillo në kontrabas, Nunzio Barbieri kitarë. Më 1 shtator u mbyll edicioni i dhjetë i “Shkodra Jazz Festival” me koncertin “Shkodra Sounds” në teatrin “Migjeni”. Sipas drejtorit artistik Florian Jakaj, “Rrok Academy”, një dimension i ri i “Shkodra Jazz Festival”, për të tretin vit me radhë, solli në Shkodër mbi 60 të rinj muzikantë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, të cilët ndoqën masterklaset nga artistët pjesëmarrës (17 gusht – 1 shtator). “Magji, shpirt dhe shumë dashni në çdo orë të “Shkodra Jazz Festival”, “Rrok Academy” dhe “Shkodra Sounds”, pohon Florian Jakaj, drejtor artistik ndërsa falënderon të gjithë ata që mbështetën këtë festival, si Bashkia Shkodër, Ministria e Kulturës, Instituti Italian i Kulturës, ambasadat e huaja dhe më gjerë. ““Shkodra Jazz Festival” është familje e madhe tashmë”, përfundon drejtori artistik Florian Jakaj.