Kryedemokrati Lulzim Basha ka dalë para medias për të paralajmëruar ‘grabitjen më të madhe në 30 vjet’.
Kështu e quajti Basha koncesionin e rrugës Milot-Balldren por edhe atë të rrugës Orikum-Dukat. Basha tha se vetëm një parlament ilegjitim i përbërë jo nga burra e gra që përfaqësojnë socialistët por skllevër të krimit e oligarkëve mund të votojnë kontrata të tilla.
“Në këto momente pak metra pas meje në Kuvendin e cunguar, landfillin e Republikës së Shqipërisë po finalizohet grabitja më e madhe në historinë 30-vjeçare në historinë e pluralizmit. Koncesioni i rrugës Milot-Balldren i Ndue dhe Agim Kolës me vjelë 296 milionë euro apo 17 mln euro për kilometër dhe koncesioni i rrugës Orikum-Dukat i Lorenc Gjikurisë me vlerë 70 mln euro. Dekreti i Presidentit të Republikës për kthimin e këtyre dy kontratave korruptive po bëhet gati të kthehet poshtë nga cjapët dhe delet e korrupsionit në parlamentin e dalë si pasojë e krimit të organizuar dhe blerjes së votave. Vetëm një parlament ilegjitim i përbërë jo nga burra e gra që përfaqësojnë socialistët por skllevër të krimit e oligarkëve mund të votojnë dy kontrata të tilla. Vetëm një parlament peng i krimit e oligarkëve mund të bëhet noter i një vepre kaq të rëndë kriminale dhe hajdutërore. Kjo është vjedhje me ligj”, deklaroi Basha.