‘U fut në dhomën e gjumit, më kapi nga fyti dhe filloi të më qëllonte me grushte’, kjo është historia e ‘trimit’ që rrahu gruan dhe më pas u hodh nga kati i tretë

0
341

Klodiana Xhelali ka kërkuar ndihmën e policisë, pasi burri e mbylli në dhomë bashkë me dy fëmijët e vegjël në muajin qershor. Policia ka mbërritur në shtëpinë e çiftit në rrugën “Llambi Bonata” në Kombinat. Ethem Kambellari është babai që i mbylli vajzat dhe  mbante çelësin të shtrënguar në dorë. Ndërsa për këto minuta të tensionuara teksa burri nuk dorëzohej dhe as pranonte të hapte derën, e shoqja Klodiana dëshmon në dosjen që Gazeta Si ka publikuar të marrë nga Komisariati Nr. 6.

“Im shoq nuk e hapi derën pavarësisht thirrjeve, e kishte mbyllur me çelës nga brenda. Në këtë moment iu luta policëve  që të largoheshin. Ju thashë që do shkoja vetë në komisariat sapo bashkëshorti të qetësohej”, thotë gruaja e dhunuar.

Prokurori i çështjes, evidenton se policët kërkuan përforcime dhe ndërhyrjen e zjarrfikësve për të hapur derën e blinduar. Gruaja ka dëshmuar se: “Policia ishte pas derës, kur im shoq dëgjoi zërin e tyre që kërkonin zjarrfikëset për të shembur derën, burri u lëshua nga dritarja e dhomës së gjumit dhe u hodh nga kati i tretë. Ra në oborrin e katit të parë”.

Ambulanca ka transportuar të plagosurin në spital dhe zjarrfikëset kanë hapur me forcë derën ku ishin të mbyllura gruaja e dhunuar së bashku me dy vajzat e vogla. Për hedhjen e bashkëshortit, Klodiana këmbëngul se ai nuk deshi të vriste veten. “Deshi t’i ikte policisë, fillimisht ai tentoi të zbriste duke u kapur te tubat e shkarkimit, por nuk e mbajti dot ekuilibrin dhe ra”, shprehet ajo para prokurorit.

Klodiana është 30 vjeç nga Kolonja dhe kishte tetë vjet e martuar dhe tregon se është dhunuar shpesh, por që nuk kishte kallëzuar asnjëherë, pasi shpresonte se partneri do ndryshonte. Herën e fundit pasi kishte munguar tri ditë rresht në shtëpi dhe sapo ka mbërritur,  gruaja është kyçur në dhomën e gjumit dhe nuk e ka hapur. Në mënyrë të pashpjegueshme, ai është kacavjerrë nga dritaret, duke hyrë në dhomën e gjumit ku ajo bashkë me dy vajzat ishin kyçur nga frika e tij. I ka marrë çelësin dhe ka vazhduar ta rrahë.

Klodiana po ashtu shton:

“U fut në dhomën e gjumit, më kapi nga fyti dhe filloi të më qëllonte me grushte, shkelma dhe më goditi në kurriz. Më shtrëngonte për fyti dhe mezi merrja frymë. U mundova ta qetësoj, por ai bëhej akoma më i dhunshëm”. Më vonë, Ethem Kambellari është arrestuar në spital për “Dhunë në Familje”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here