Ashtu si largimi nga vendlindja, edhe largimi nga ekrani është shumë i vështirë për këdo që ka punuar aty, çfarëdo qoftë profesioni. Së fundmi shumë personazhe të famshëm shqiptarë kanë deklaruar largimin nga ekrani.
1.Gazetarja e Zërit të Amerikës, Laura Kondi pas 20 vitesh në ekran, njoftoi në edicionin e fundit informativ largimin e saj. “Sot do të bëj një lajmërim personal. Kam vendosur të largohem nga Zëri i Amerikës”, tha Laura duke mos zbuluar më shumë.
2.Vitin e kaluar Zonja Tefta deklaroi largimin nga ekrani gjatë emisionit “Rreze dielli”. Tefta Panagoja e cila na ka shoqëruar me emisionet e gatimit prej vitesh zbuloi edhe arsyen e largimit duke thënë se së shpejti do bëhej gjyshe. “Kam 70 vite në kurriz. Vjen dita që duhet të lësh stafetën. Duhet të jem nën kujdesjen e e bebit që vjen së shpejti”, tha zonja Tefta.
3.Të njëjtën arsye për largimin nga ekrani kishte edhe moderatorja e “My Living”, Brunilda Lahe. Muajin e kaluar Brunilda dha lajmin e bukur se është shtatzënë për herë të parë dhe do bëhet nënë e një vajze. Moderatorja deklaroi largimin nga ekrani sepse tani e tutje do fokusohet tek vogëlushja që do vijë në jetë.
4.Pak ditë më parë edhe Dj.Vicky deklaroi largimin nga muzika krejt papritur. Vicky u shpreh se ndihet i lodhur shpirtërisht, bën të ditur Xing.al. “Pas gjithë këtyre viteve të bukura në një industri që shëmtohet çdo ditë e më shumë ndihem shumë i lodhur shpirtërisht. Lodhur nga njerëz të paaftë që marrin përsipër gjithçka dhe s’bëjnë asgjë. Klube qe bëjnë pazare tregu çam ose medreseje. Artistë me ego të madhe dhe zotësi të vogël. Dj me ëndrra të mëdha sa një gram. Jam i lodhur me këtë gjë që po ma shpif arsyen pse desha te bëhesha Dj. Po e mbyll kapakun e tenxheres dhe do e hap kur të jetë djegur gjella një herë e përgjithmonë. Deri atëherë kismet shihemi”, shkruante Vicky.
5.Edhe aktori që na ka bërë gjithnjë të qeshim, Albano Bogdo pak ditë më parë i habiti të gjithë me një video ku shprehej se ka vendosur të heqë dorë nga rrjetet sociale dhe se është i bindur që do heqë dorë edhe nga ekrani.
“Që nga sot kam vendosur të heq të gjitha rrjetet sociale dhe mjetet elektronike të komunikimit. Facebook, Instragam etj, do të heq edhe internetin dhe do të fik edhe telefonin për një kohë shumë të gjatë. Kam vendosur të dal dhe të jetoj jetën. Nuk e di se çfarë do bëj, do mendohem shumë për atë që mund të bëj dhe kur mendohem shumë zakonisht marr vendimin e duhur. Me siguri kam bindjen se do dal në përfundim se do të më duhet të lë edhe ekranin sepse më ka lodhur shumë. Gjithsesi gjithë jetën nuk kam qenë i famshëm, kam punuar edhe kamerier, kështu që mos u habisni kur të uleni në ndonjë lokal dhe do ju shërbej unë”, shkruante Albano.
6.Erion Isain këtë vit hoqi dorë nga televizioni ku prej vitesh ishte aktor në “Portokalli” dhe më pas prezantues i “BE Coffee”. Muajin e kaluar Isai u shpall kryetar i Bashkisë së Kolonjës, post të cilit po i përkushtohet tërësisht tani. Me anë të një postimi në Instagram, Isai falenderoi publikisht personat që e kanë ndihmuar në rrugën e artit duke u shprehur se puna me ta e ka bërë njeri më të mirë.
7.Edhe aktorja Arta Nitaj ditën e sotme dha lajmin se ka hequr dorë nga televizioni për t’ju futur politikës. Arta tashmë është anëtare e Partisë Demokratike të Kosovës. Bukuroshen brune nuk do e shohim më në seriale dhe as si prezantuese, fushë në të cilën po provonte veten kohët e fundit./Xing.al