Kreu demokrat, Lulzim Basha i ka dhënë një goditje të fortë dje presidentit Ilir Meta. Në një intervistë për “Syri. net”, ai deklaroi hapur se PD nuk do të shkojë në zgjedhjet e 13 tetorit. Sipas tij, PD vijon që të kërkojë që të kemi zgjedhje vendore dhe të përgjithshme në të njëjtën datë, por të jenë zgjedhje me standarde dhe pa Ramën kryeministër. “Do të vazhdojmë betejën tonë, duke bindur çdo faktor që zgjidhja janë zgjedhjet e parakohshme dhe lokale njëkohësisht. Protesta nuk kanë ndaluar. Fakti është që sheshet tona nuk i mbushin punonjësit e administratës. Vendi nuk ka qenë kurrë më keq se kaq. Vendi është në monizëm”, tha ai. Por Basha ka pranuar se ka udhëzuar degët që të distancohen nga Meta. Pak kohë më parë doli në media një udhëzim, ku kërkohej që të mos kishte asnjë qëndrim mbi sulmet e Metës ndaj Soros. Bash e pranoi se udhëzimi ishte i vërtetë. “Po ç’rëndësi ka. Aty u kërkohet debatuesve tanë të mbajnë më 1 korrik vëmendjen te zgjedhje. Nuk ishte Sorosi në fokus në atë kohë”, tha ai. I pyetur se përse nuk u regjistrua për zgjedhjet e 13 tetorit, Bash nxori blof LSI e partitë tjera. Ai tha se asnjë parti nuk është regjistruar. “Nuk është regjistruar asnjë parti, sepse KQZ është e ka kapur nga Rama. Ai ka pamundësuar zgjedhje më 13 tetor. Veprimi i partive opozitare është taktikë për të nxjerrë zbuluar faktin që KQZ nuk zbaton dekretin e presidentit”, tha ai.
Basha takon ambasadorin gjerman
Basha edhe në mesditë dha një sinjal distancimi nga Berisha e Meta. Edhe pse ndaj tij ka presion për revolta, Basha deklaroi se PD do dalë me një platformë kombëtare për të zgjidhur krizën. Deklarata e tij u bë pas një takimi me ambasadorin e ri gjerman. “Koha nuk pret. Jemi në një moment shumë delikat, ndaj, ashtu siç kam paralajmëruar, Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar, gjatë javëve në vijim, do të shpalosin një platformë masash, për Shqipërinë si e gjithë Evropa, si një ofertë kombëtare, si një plan kombëtar, për të mos humbur më shumë kohë dhe mundësi të çmuar, duke mbyllur përsëri derën e Evropës për Shqipërinë, duke mbyllur derën e investimeve të huaja, duke e futur ekonominë në një krizë edhe më të thellë, që krijon më shumë papunësi, mjerim dhe varfëri, por për t’i dhënë fund kësaj krize politike, për t’i nxjerrë kriminelët nga institucionet, nga qeveria, nga parlamenti, nga bashkitë, për t’i nxjerrë ata nga ekonomia, për t’i hequr nga rrugët dhe sheshet e Shqipërisë dhe për t’i çuar para drejtësisë, për t’ia kthyer shqiptarëve institucionet, ekonominë, rrugët dhe sheshet e Shqipërisë”, ka deklaruar dje kreu demokrat Lulzim Basha.
Ndërhyrja e gjermanëve
Kreu demokrat ka dhënë dje sinjale që në shtator Gjermania pritet që të bëjë tentativa për të zgjidhur krizën. Prej ditësh flitej se në shtator do të vijë një delegacion gjerman për të negociuar mes palëve dhe Basha e ka konfirmuar dje një gjë të tillë gjatë një deklarate që ka dhënë për mediat. “Unë u jam shumë mirënjohës partnerëve tanë perëndimorë, Gjermanisë, ambasadorin e ri të së cilës pata kënaqësinë ta pres sot, dhe personaliteteve të larta gjermane që do të vizitojnë Shqipërinë në javët e ardhshme. Janë ndër të parët që kanë ngritur zërin mbi domosdoshmërinë e kapërcimit të kësaj krize për të siguruar integrimin evropian të vendit. Kanë patur, kanë dhe do të kenë tek Partia Demokratike, tek opozita e bashkuar dhe tek unë personalisht, një faktor, jo vetëm të interesuar, por të gatshëm të hedhë çdo hap të mundshëm për zgjidhjen e kësaj krize sipas parimeve, normave dhe standardeve evropiane”, ka deklaruar dje Basha.
Arbjona ÇIBUKU