Amerikanët zbardhin detaje nga misteri i “vetëvrasjes” së Mehmet Shehut, ja si u denigrua pas vdekjes dhe zërat që shpërndanin diplomatët se vuante nga kanceri

0
411

Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehmet Shehut. Sipas saj, dyshimet se ai ishte vrarë janë të larta. Po ashtu tregohen detaje mbi denigrimin që ju bë pas vdekjes dhe zërat se vuante nga kanceri prandaj kishte vrarë veten.

19 shkurt 1967

Shqipëria përshtatet me taktikat komuniste kineze

Kreu komunist shqiptar Enver Hoxha ka nisur një lëvizje rinore të ngjashme me Gardën e Kuqe të kryetarit kinez Mao Ce Dung, sipas raportimeve nga Tirana. Fushata në fjalë përdor postera muresh ku sulmohen zyrtarët që veprojnë kundër linjës së partisë, të cilën Hoxha e prezantoi në një fjalim më 8 shkurt. Në të njëjtën ditë gazeta e partisë Zëri i Popullit raportoi se mësues e studentë në qytetin e Durrësit kishin nisur ‘iniciativën revolucionare’ kundër fenomeneve negative. Titulli i artikullit “Me ideologjinë e mprehtë proletare të Maos, kundër supersticioneve dhe zakoneve të prapambetura” tregon se Hoxha ka në mend edhe gjëra të tjera përveç objektivave të Maos. Revolucioni kulturor kinez fokusohet kundër zakoneve të vjetra për t’i zëvendësuar ato me versionin puritan të komunizmit nga Mao Ce Dung. Të rinjtë komunistë shqiptarë janë nën drejtimin e partisë. Shefi partiak i Durrësit, Rita Marko drejton punët organizative. Edhe në Tiranë grupet e të rinjve revolucionarë janë vënë në ndjekje të zakoneve tradicionale dhe ‘mentalitetit borgjez’ mes bashkëmoshatareve të tyre. Fushata po kryhet me postera, slogane e karikatura, në një masë që nuk është parë më herët në vend, shkruajnë gazetat.

7 dhjetor 1969

Shqipëria raporton se lëvizjet maoiste janë aktive në Evropë

Kanalet shqiptare të mediave kanë thënë së fundmi se lëvizjet militante pro-Pekin janë aktive në Poloni dhe vende të tjera evropiano-lindore. Analistët thonë se ky pohim bie ndesh me përshtypjen e përgjithshme se Evropa Lindore është në anën e Bashkimit Sovjetik, kundër frontit të Kinës e Shqipërisë. Radio Tirana dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare citonin një ish-zyrtar polak Kazimierz Mijal, i cili zotohej me mbështetësit e tij të luftonte “terrorin” e kreut komunist Vladislav Gomulka si dhe imperializmin sovjetik. 58-vjeçari Mijal ka qenë për disa vjet ndihmës i Boleslav Bierut, stalinisti ish-shef i Partisë Komuniste polake. Ai është përjashtuar nga Komiteti Qendror me akuza komplotesh ndaj Gomulkës dhe tre vjet më parë është larguar nga Polonia. Ai tashmë besohet se drejton sektorin e lajmeve polake të Radio Tiranës. Thirrja e tij për përmbysjen e udhëheqjes polake u bë në një mesazh të nëntorit 1969 për udhëheqësin shqiptar Enver Hoxha. Ekspertët perëndimorë thonë se Mijal nuk mund të kthehej në Poloni pasi u largua me dokumente false në 1966. Në mesazhin e tij Mijal përshkruante një pamje të zymtë të kushteve në Poloni. “Ashtu si në vende të tjera ku në pushtet janë revizionistët (pro-Moskës) standardet e jetesës së klasës punëtore po bien përditë dhe të ardhurat kombëtare po shpërdorohen nga borgjezia e re dhe e vjetër”. Radio Tirana transmetonte të tjera mesazhe që supozohej se dërgoheshin nga grupe komuniste pro-kineze në Evropën Lindore, një prej të cilave vinte nga Jugosllavia por kjo e fundit e shpalli si fabrikacion. Specialistët e çështjeve komuniste thonë se Pekini po financon grupet komuniste pro-maoiste në Evropën Lindore dhe së shpejti do të mbahet një konferencë e tyre në Tiranë. Ata thonë se ka prova se mes lëvizjeve pro-kineze në Evropë, Pekinit i duket më premtues grupi italian. Ekstremistët maoistë janë përfshirë kohët e fundit nëdisa protesta të dhunshme në Itali. Lideri i tyre është Fosco Dinuçi të cilit iu bënë nderime të veçanta gjatë një vizite në Shqipëri.

11 janar 1970

Nxitje e re bujqësore në Tiranë

Qeveria pro-kineze e Shqipërisë ka nisur një fushatë të detyruar veprimi masiv në mbështetje të bujqësisë, në përputhje me teorinë e “Kapërcimit të madh” që po aplikohet në Kinë dhe me brigadat e kallam-prerësve në Kubë. Radio Tirana dhe shtypi shqiptar kanë theksuar ditët e fundit atë që përshkruajnë se “valë e përqendruar e punës revolucionare” në pjesë të ndryshme të vendit. Deri tani 200 000 persona, një e dhjeta e popullsisë kanë marrë pjesë në fushatë për të paktën 1 ditë prej 1 janarit. Raportimet nga Tirana flasin për “entuziazëm revolucionar” për fushatën ku përfshihen gjithashtu adoleshentë dhe të vjetër, por të paktën nuk pretendohet se ka vullnetarë. Projekti është një sistem ujitjeje prej 11 miljesh në zonën e Dibrës, ku mijëra punëtorë gërmojnë tetë orë në ditë. Kreu komunist Enver Hoxha përmendi projektin e Dibrës në një fjalim të gjatë kësaj jave, duke e ngritur lart si një shembull të zhvillimit madhor ekonomik.

17 shkurt 1984

Ende çështje të pazgjidhura për vdekjen e kryeministrit

Spekulimet vazhdojnë mbi vdekjen e dyshimtë të kryeministrit të Shqipërisë Mehmet Shehu por asnjë provë bindëse nuk ka dalë për të sfiduar versionin zyrtar të vetëvrasjes. Shehu për 27 vjet ka qenë krahu i djathtë i kreut komunist Hoxha dhe u raportua se ka kryer vetëvrasje natën e 17 dhjetorit, “në një moment krize nervore”. Kësaj jave postet e Shehut i ka marrë ish-zv. kryeministri Adil Çarçani. Gazetat në Jugosllavi, të cilat janë të përfshira në luftë verbale me Shqipërinë për minoritetin e tyre të madh shqiptar në krahinën e Kosovës, hedhin poshtë versionin e vetëvrasjes. Ato thonë se Shehu është vrarë ose detyruar të vetëvritet pas një konflikti me Hoxhën në një mbledhje të Komitetit Qendror mbi politikat e ardhshme të vendit, veçanërisht për hapjen e Shqipërisë me botën e jashtme. Pa i identifikuar burimet e saj, gazeta thoshte se Shehu ishte vrarë kur i kishte drejtuar pistoletën Hoxhës në një takim të Komitetit Qendror. Gazetat jugosllave thonë se për Shehun nuk pati ditë zie kombëtare dhe as funeral shtetëror, ndërsa kishte vetëm një nekrologji të shkurtër në Zërin e Popullit dhe jo një eulogji të plotë, siç do i takonte njeriut që konsiderohej si pasues i Hoxhës. Në kontrast me të, kur vdiq Hysni Kapo në 1979 u bë një funeral shtetëror dhe u varros në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Diplomatët shqiptarë thanë se nuk do të kishte ditë zie pasi vetëvrasja konsiderohej si akt kundër partisë, ndërsa ‘as nuk diskutohet’ varrosja te Varrezat e Dëshmorëve, thanë ata. Zyrtarët shqiptarë shtonin në komente se kishte pasur disa raste të tjerë vetëvrasjesh në parti të cilat ishin trajtuar në të njëjtën mënyrë.

Sëmundje e paspecifikuar

Një diplomat shqiptar këtu tha se nuk kishte pasur takim të Komitetit Qendror pak para vdekjes së Shehut dhe gjithashtu refuzuan aludimet për luftë pushteti brenda partisë. Diplomatët shqiptarë thanë se Shehu ishte trajtuar tre herë në Francë, prej fillimit të vitit 1970 për një sëmundje të paspecifikuar, ndoshta kancer, dhe shpjegonte se kjo mund të ketë qenë arsyeja e krizës së tij nervore. Por ishte zhvillimi i shpejtë i ngjarjeve që habiti shumë diplomatë perëndimorë, pasi në ditët para vdekjes Shehu kishte pritur zyrtarë të huaj të rëndësishëm si zv. kryeministri rumun Cornel Burtica, dhe një delegacion ekonomik nga Greqia. Në kongresin e partisë në nëntor, Shehu e tregonte moshën e tij, por fliste me zë të qartë edhe pse burimet diplomatike thanë se qëndronte ulur kur lexonte. Shehu kishte luftuar në luftën civile spanjolle dhe me guerilasit partizanë gjatë Luftës II Botërore. Ai kishte hequr dorë kohët e fundit nga posti i ministrit të Mbrojtjes, por kjo nuk konsiderohet si një reduktim i statusit të tij apo të marrëdhënies Hoxha-Shehu. Megjithëse nuk ka ende prova për të kundërshtuar versionin zyrtar të Tiranës, diplomatët thonë se është e çuditshme që dy liderët nuk kanë pasur kurrë kontradikta. Në fjalimin e tij kryesor në kongresin e nëntorit, Hoxha tha se Shqipëria kishte zgjeruar marrëdhëniet me vendet e tjera, veçanërisht pas ndarjes me Kinën në 1978, dhe do të vazhdojë të zhvillojë këtë politikë. Ai kishte fjalë të mira për Greqinë, Turqinë apo vendet skandinave dhe ato neutrale të Evropës dhe tha se edhe diferencat me Bonn nuk ishin të pakapërcyeshme.

Shqiptarët ringjallin pretendimet e vjetra

20 mars 1984

Fundjavën e kaluar në Tiranë, qeveria komuniste sponsorizoi një konferencë për origjinën etnike të shqiptarëve, e cila ka pasoja për pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje, Greqi e Jugosllavi. Sipas Prof. Aleks Buda, kreu i Akademisë së Shkencave, qëllimi i konferencës ishte të theksonte “vazhdimësinë iliro-shqiptare dhe autenticitetin e shqiptarëve në territoret e tyre historike” për të cilat ai tha se shtriheshin deri në pjesët serbe e malazeze të Jugosllavisë, si dhe në Greqinë Veriore. Profesor Buda, tha në një intervistë në televizionin shqiptar se konferenca do të hedhë dritë mbi lidhjen mes shqiptarëve modernë dhe pararendësve të tyre ilirianë para-kristianë.

Problemet për fqinjët

Premtimi se shqiptarët kanë pasur një atdhe që në kohërat e lashta përtej kufijve aktualë, mund të ketë pasoja shqetësuese si për Jugosllavinë dhe Greqinë, teksa të dyja kanë minoritete shqiptare. Në rastin e Jugosllavisë, minoriteti shqiptar tashmë numëron 1.7 milionë dhe ka një përqindje sensacionale lindjesh, shumica e të cilëve jetojnë në Kosovë ngjitur me veriun e Shqipërisë. Por që prej vitit 1981 Kosova ka qenë skenë trazirash me karakter etnik irredentist të cilat kanë shkaktuar të paktën dhjetë viktima. Prej disa vjetësh udhëheqja e Tiranës me në krye Enver Hoxhën, sunduesin me karrierën më të gjatë në Ballkan, ka nisur të qarkullojë harta të Shqipërisë së Madhe, e cila përfshin një hapësirë rreth dy herë më të madhe se kufijtë e saj aktualë. Por konferenca akademike për prejardhjen e popullit shqiptar, e realizuar nën kujdesin e Hoxhës, duket se kërkon të çojë objektivat kombëtare përtej hartës. Shqipëria ka fituar kufijtë e saj aktualë me miratimin e fuqive të mëdha në fund të luftës së Ballkanit në 1912.

Domethënia politike

Megjithëse shumica e studiuesve të shekullit të fundit pranojnë se shqiptarët vijnë nga ilirianët e lashtë, grupi i fiseve të përhapur në brigjet e Adriatikut dhe në lindje të Danubit, konferenca është hera e parë që ky supozim akademik merr përmasa politike me nënkuptime territoriale.

Dhe në fakt profesor Buda tha sot se 2.7 milionë banorët në Shqipëri dhe rreth 2 milionë të tjerë rreth kufijve të saj kanë një origjinë të faktueshme në gadishullin e Ballkanit, edhe para grekëve.

Por në fakt Ballkani është plot me pretendime të prapambetura etnike nga shumë palë. Rumunët e gjurmojnë origjinën e tyre te Dacianët e lashtë, të cilët u pushtuan nga romakët në shekullin e dytë, bullgarët pretendojnë se vijnë nga Traka e lashtë, serbët e quajnë veten perandori të lashtë që shtrihej në pjesë të Shqipërisë e Greqisë, dhe pretendime të tjera. Pretendimi iliriano-shqiptar është nga më të vjetrit, por ilirianët u kolonizuan nga grekët në shekullin e 7 p.e.s. dhe për këtë janë cituar nga historianët e lashtë si Herodotus e të tjerë. Ata sfiduan zgjerimin e perandorisë osmane nën mbretëreshën e tyre Teuta dhe u deshën dy sulme pushtuese për nënshtrimin e tyre. Edhe historia e ilirianëve, ashtu si e shqiptarëve ka qenë lufta mes klaneve fisnore dhe ajo kundër pushtuesve. Një tjetër studiues i rëndësishëm i konferencës së Tiranës ishte Androkli Kostallari, drejtor i Institutit të Linguistikës e Letërsisë i cili dha disa argumente për prejardhjen iliriane të shqiptarëve, ndërsa Prof. Mahir Domi, foli për “formimin e gjuhës shqipe”.

2 tetor 1984

Zjarri i armëve në bregdetin shqiptar tregon për konflikte të brendshme

Një shkëmbim misterioz zjarri në bregdetin shqiptar, në fund të muajit të kaluar pranë ishullit grek të Korfuzit, u pasua nga një shpjegim akoma më i mistershëm nga Shqipëria. Kjo ka bërë që diplomatët në SHBA të besojnë se regjimi komunist atje po përballet me probleme serioze të brendshme. Më 26 shtator shkëmbimi i zjarrit zgjati rreth katër orë në ngushticën e Korfuzit. Mëngjesin e të nesërmes me një shpejtësi të pazakontë, qeveria komuniste lëshoi një komunikatë mbi ngjarjen përmes ambasadës së saj në Vjenë. Shqipëria njoftonte se një numër i paspecifikuar ”njerëzish të dëshpëruar” ishin përpjekur të zbarkonin në tokën shqiptare, por ishin vrarë nga forcat e sigurisë. Qeveria tregonte se ‘pushtuesit’ kishin me vete valutë shqiptare, amerikane dhe italiane, si dhe armë automatike. Ajo përshkruante kreun e tyre si mikun e ish-mbretit Zog, Xhevdet Mustafa, i cili ishte dëbuar nga vendi pas pushtimit fashist.

Anulimi i ekspozitës së Leonardos

Edhe pse në njoftim nuk thuhej asgjë për origjinën e ‘pushtuesve’, ambasada italiane tha në ditët në vijim se, evenimenti i rrallë i miratuar për një ekspozitë me vizatime nga Leonardo da Vinci, nuk do të zhvillohej. Të pyetur për ndryshimin e papritur të qëndrimit, zyrtarë shqiptarë thanë se besonin se barka e pushtuesve të dyshuar ishte nisur për në Shqipëri nga rajoni jugor italian i Puglias. Versioni zyrtar i zbarkimit surprizë të barkës me diversantë binte në kundërshtim me raportimet se disa ditë para ngjarjes diplomatët e huaj në Tiranëkishin vënë re lëvizje të shumta trupash që shkonin drejt jugut. Ata raportohet se kanë parë dy batalione me ushtarë të niseshin nga Tirana drejt cepit më jugor të vendit, përballë Korfuzit. Cilado që të ketë qenë natyra e incidentit, ai ka ndodhur pak pasi krahu i djathtë i kreut komunist Enver Hoxha, sekretari i partisë Ramiz Alia foli publikisht për “armiq të brendshëm”. Monitoruesit e Shqipërisë, një grup diplomatësh jugosllavë, italianë e francezë që kanë një numër minimal stafi në atmosferën armiqësore të Tiranës, si dhe amerikanët e rusët që nuk e shpërndajnë informacionin e tyre, kanë spekuluar për trazira të brendshme që prej vdekjes së dyshimtë të kryeministrit Mehmet Shehu.

Në luftën e brendshme për pushtet ndikojnë dy faktorë: njëri është mosha e thyer 73-vjeçare e udhëheqësit dhe sëmundjet e tij. Gjithashtu prishja me Kinën në 1978, ka përkeqësuar ndjeshëm gjendjen ekonomike të vendit. Sipas versionit zyrtar Shehu kreu vetëvrasje ”në një moment krize nervore” por shumë analistë nuk e besojnë këtë dhe as detyrimisht versionin jugosllav, sipas të cilit Shehu u vra nga kolegët e tij gjatë një mbledhjeje të Komitetit Qendror të partisë. Diplomatët italianë besojnë se në udhëheqjen shqiptare ka konflikte për çështjen e afrimit me Perëndimin për tregti dhe teknologji. Shqipëria kërkon ndihmë teknologjike për të shfrytëzuar më mirë burimet e saj minerale dhe mundësisht ato të naftës, por është e kushtëzuar nga kushtetuta e saj që ndalon huat e huaja si dhe paragjykimet ideologjike kundër vendeve kapitaliste. Ndërsa interesi perëndimor te Shqipëria bazohet në shqetësimin për rikthimin e saj në orbitën sovjetike, edhe pse Tirana ka përçmuar Moskën tashmë për dy dekada, por që supozon se ndryshime të tilla mund të ndodhin pas vdekjes së Hoxhës. Mundësia e një baze sovjetike në detin Jon është objekt shqetësimi për Jugosllavinë, ashtu dhe për anën jugore mesdhetare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here