Bojkoti i zgjedhjeve lokale të 30 qershorit duke se ka rikthyer edhe një herë debatet brenda Partisë Demokratike. Pas ish-kryetares së Kuvendi, Jozefina Topalli dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, një tjetër zë ka dalë dje kundër kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Bëhet fjalë për ish-deputetin dhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD, Arben Ristani, i cili ka shpërthyer në kritika ndaj Bashës dhe strategjisë së tij. Përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale, Ristani e konsideron fakt shumë të rëndë lënien pa përfaqësi të popullit opozitar në pushtetin qendror dhe vendor, ndërsa kërkon reflektim nga lidershipi demokrat mbi pasojat që solli vendimi për të mos të hyrë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. “Zgjedhjet u mbajtën. Jo vetëm kaq, por mesa duket këtë vit në horizont nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, pa Ramën kryeministër. Ky ishte përbetimi tjetër i madh që bëhet tym. Ajo që mbetet janë prokurorja e përgjithshme e përkohshme, përjetësisht besnike ndaj kryeministrit Rama, ajo që mbetet është një katastrofë institucionale, ekonomike dhe njerëzore, me pak ose aspak dritë në fund të tunelit. Në këtë situatë jam shprehur se PD mund dhe duhet ta mundë në zgjedhje- dhe jo në llafe- Ramen dhe Rilindjen, si e vetmja rrugë qe kemi, edhe pas këshillave dhe insistimit të partnerëve ndërkombëtare, evropianë dhe amerikanë. Kam shprehur mendimin se fakti që sot PD dhe populli opozitar mbeten të papërfaqësuar në nivel qendror dhe vendor është shumë i rëndë”, deklaroi ai. Më tej, Duke kërkuar edhe njëherë tjetër reflektim mbi gabimet, Arben Ristani thekson se Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë me strategji të qartë, të mirëorganizuar, të fuqizuar me njerëz të aftë e të besueshëm. Sipas tij, “verbëria” e lidershipit të PD po e çon opozitën drejt humnerës. “Rruga që duhet ndjekur, sipas mendimit tim, kalon nga puna për të rritur besimin dhe angazhimin e mbështetësve të opozitës. Na duhet një program i mirë, i qartë dhe i kuptueshëm nga njerëzit. Gjithashtu kam përmendur nevojën për të bashkuar partinë me të gjithë ata që kane kontribuar për PD ndër vite, me ata që kanë ekspertizën dhe eksperiencën për organizimin e partisë dhe suksesin e saj në betejat elektorale, pavarësisht qejfmbetjeve, komplekseve, apo kontradiktave parimore. Ku do na shpjerë ky qëndrim? Uniteti grusht-bashkuar rreth verbërisë ndaj realitetit të mban të mbërthyer në një rrugë e cila çon vetëm në një drejtim- drejt humnerës”, nënvizoi Ristani.