Zbardhet skema, ja si “përfaqësuesja” e UNICEF mashtronte biznesmenët, shkon në 13 numri i kallëzimeve ndaj saj

0
454

Kur kanë kaluar tre ditë nga arrestimi i 64-vjeçares, të akuzuar se nëpërmjet mashtrimit i merrte shuma të mëdha biznesmenëve, denoncimet ndaj saj janë shtuar. Burime nga uniformat blu të kryeqytetit bëjnë me dije se ndaj Petros janë depozituar edhe katër kallëzime të reja. Mësohet se numri i personave që kanë bërë kallëzim ndaj Violeta Petros ka shkuar në 13, e ndërsa dëmi i shkaktuar arrin në vlerën e rreth 1 milionë eurove. Ajo akuzohet se ka mashtruar biznesmenë duke u premtuar projekte të mëdha ndërtimi të financuara nga një organizatë e huaj, UNICEF. Gruaja 64 vjeçare hiqej si pjesë e fondacionit të huaj, duke mashtruar biznesmenë se për t’u bërë pjesë e projekteve të tyre, kryesisht me çerdhe për fëmijë e azile të moshuarish, fillimisht duhet të paguanin nga 1 deri në 5 % të vlerës që do të shkonte ndërtesa. Pas zbulimit të kësaj skeme mashtrimi nga ana e 64-vjeçares, policia i kërkoi informacion edhe organizatës UNICEF, sipas së cilës në asnjë moment nuk ka pasur të regjistruar punonjëse të identifikuar me emrin Violeta Petro. Këtë gjë e ka konfirmuar dhe vetë organizata e cila ka mohuar se shtetësia e arrestuar është apo ka qenë pjesë e saj. Ndërkohë në dëshminë e saj, Petro ka mohuar të ketë mashtruar njeri, por duke mos i dhënë policisë asnjë argument bindës. Gjithashtu kujtojmë se një nga ndërtuesit që ka rënë pre e mashtrimit të 64-vjeçares Violeta Petro, është edhe vëllai i Rebani Jaupit, drejtorit të Policisë së Tiranës. Arrestimi u bë pas kallëzimit nga pronarë të disa bizneseve të cilët thanë se gruaja, nëpërmjet mashtrimit, kishte përvetësuar fondet e tyre për përfitime personale duke u prezantuar si përfaqësuese e një organizate të huaj. Duke përdorur emrin e organizatës, 64-vjeçarja mashtronte duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash nga biznesmenë të ndryshëm, të cilëve u premtonte financime në projekte të mëdha ndërtimi. Deri tani oficerët e Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës kanë dokumentuar 2 raste mashtrimi, një në shumën prej 60 mijë dollarësh dhe një tjetër prej 32 mijë dollarësh. 64-vjeçarja akuzohet për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Hetimet

Nga hetimet e deritanishme rezulton se rreth 1 milion euro është dëmi që Violeta Petro iu ka shkaktuar biznesmenëve, ku i mashtronte duke u premtuar projekte të mëdha ndërtimi të financuara nga një organizatë e huaj. Mësohet se ndaj 64-vjeçares, në Seksionin për Krimin Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit, kishin mbërritur disa kallëzime nga pronarë e biznesmenë të ndryshëm se një shtetase, nëpërmjet mashtrimit, kishte përvetësuar fondet e tyre. 64-vjeçarja prezantohej si përfaqësuese e një organizate ndërkombëtare, dhe u premtonte financime në projekte ndërtimi jo vetëm në Tiranë por edhe në zonat bregdetare. Burime bëjnë me dije për gazetën “Sot” se në emër të 64-vjeçares Violeta Petro, deri tani janë bërë të paktën 13 kallëzime nga qershori deri në korrik, katër prej të cilave janë bërë pas arrestimit të të moshuarës. Nga hetimi rezultoi se paratë që biznesmenët ia kanë dërguar në rrugë bankare Petros për parapagim janë tërhequr nga e arrestuara dhe për gjetjen e tyre do të kërkohet edhe bashkëpunimi i saj. Ndërkohë dyshohet se dëmi i shkaktuar është rreth 1 milion euro. Edhe në të kaluarën në Drejtorinë e Policisë së Tiranës janë bërë shumë kallëzime për vepra penale të Mashtrimit. Në 2018 u proceduan 215 autorë, ndërsa shifra nga viti në vit ka ardhur në rritje. Sipas prokurorisë së Tiranës, qytetarët që kanë rënë më shumë pre e mashtrimeve kanë qenë ata persona që kishin porositur njësi banimi pranë shoqërive të ndërtimit, duke bërë edhe pagesën e plotë të pronës. Por ka rezultuar nga hetime se apartamentet apo njësitë e shërbimit të cilat ata kanë blerë, janë shitur rishtas nga shoqëritë e ndërtimit të tretëve, e për këtë arsye nuk mund të jenë pronarë të këtyre pasurive, duke çuar në prangosjen e shumë prej pronarëve të firmave të ndërtimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here