Ramos i kërkon presidentit Perez largimin nga Reali, mbrojtësi merr oferta të shumta nga Kina

0
324

Reali i Madridit ishte një zhgënjim i madh këtë edicion. Skuadra “Los Blancos” nuk fitoi asnjë trofe dhe për herë të parë në shumë e shumë vite Reali doli duarbosh nga të gjitha aktivitetet ku merrte pjesë. Titullin e fitoi Barcelona, kupën Valencia, Championsi diskutohet midis Liverpulit dhe Totenhemit, kështu që “galaktikët” mbyllën një edicion tërësisht të dështuar. Në krye të ekipit u kthye pak kohë më parë Zinedin Zidane, i cili mori aprovimin e Florentino Perezit për të bërë “kirurgjinë” e duhur dhe për t’i kthyer Realit fytyrën e vërtetë, pasi kjo skuadër nuk njihet dhe është tërësisht e pamundur për të qenë kompetitive në vijimësi. Prandaj Zidane do të bëjë lëvizje në merkato, por që të ndodhin blerje duhet të ketë edhe largime. Një nga lojtarët që e ka kuptuar se nuk ka më vend për të “vjetrit” është mbrojtësi dhe kapiteni Serxhio Ramos, i cili po merr përditë oferta joshëse nga Azia, ku më të interesuarat janë klubet kineze. Në fakt, ditët e fundit ka qarkulluar me shpejtësi lajmi se Serxhio Ramos ka kërkuar largimin nga Reali i Madridit. Menjëherë për kapitenin e madrilenëve kanë mbërritur kërkesa nga klubet evropiane, mirëpo duket se mbrojtësi ka një plan tjetër. Sipas asaj që raportohet nga Spanja, Ramos ka në duar një kontratë të majme nga Kina. Futbollisti i ka kërkuar presidentit Florentino Perez, t’i lejojë rrugë të lirë. Megjithatë, duket se presidenti nuk është i gatshëm ta lejojë kapitenin e klubit të largohet si pa të keq, teksa gjithnjë sipas atyre që referohen në mediat spanjolle, Perez i ka kthyer përgjigje negative kërkesës së mbrojtësit. Në këtë mes mund të ndikojnë edhe marrëdhëniet e komplikuara me Perez, ndërsa kanë pasur një zënke pas eliminimit nga Liga e Kampionëve dhe relacionet nuk janë kthyer si më parë. Duket se Ramos është joshur nga oferta kineze dhe 33-vjeçari në këtë momente pasi ka fituar gjithçka me fanellën e “galaktikëve” dhe po mendon t’i japë përparësi anës financiare. Ndërkaq, pas një bashkëpunimi prej 14 viteve ndoshta rrugët mund të ndahen këtë merkato. Mbetet të shihet se si do të operojë klubi i Realit të Madridit në ditët në vijim, por e sigurt është se presidenti Florentino Perez dhe trajneri Zinedin Zidane nuk e duan largimin e mbrojtësit veteran, i cili gëzon një autoritet të padiskutueshëm në ekip dhe një impakt të madh tek fansat. Nëse ikën Ramos krijohet një ngërç në mbrojtje, si dhe një situatë delikate pasigurie për pjesëtarët e tjerë të grupit. Por me sa duket futbollisti nuk e përtyp dot idenë që mund të përfundojë në stol sezonin e ardhshëm, prandaj preferon ta mbyllë si milioner në ndonjë klub kinez apo të Lindjes së Mesme. Fjalën e fundit që do ta thotë me siguri presidenti Perez, pasi Ramos vijon ende të ketë një kontratë me “Los Blancos”. Vendimtare për lëvizjen ose jo të Ramosit nga Reali i Madridit do të jenë ditët e para të qershorit, kohë pushimi për të gjithë grupin, ndërsa më pas të ardhmes nuk i dihet./ Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here