Spartak Ngjela: Liderët e PD-LSI kërkojnë destabilizim për t’i shpëtuar SPAK, të korruptuarit do të goditen përfundimisht

0
294

Avokati Spartak Ngjela deklaroi dje se kriza e rëndë politike në vend vjen për shkak të frikës që politikanët e korruptuar kanë nga reforma në drejtësi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ngjela deklaroi se ata që i friken Strukturës së Posaçme Antikorrupsion kanë hedhur sytë tek Rusia dhe kërkojnë ndihmën e saj për të destabilizuar vendin dhe mos lejuar ngritjen e SPAK. Por avokati shtoi se tentativat janë të kota. “Liderët e opozitës joparlamentare nuk artikulojnë dot politikisht asnjë ide, dhe kuptohet se janë të trembur nga reforma në drejtësi, e cila drejtohet nga amerikanët. Por këtu fillon realisht konflikti. Korrupsioni i lartë shqiptar kërkon destabilizim, por edhe Moska në konflikt me Amerikën në Ballkanin Perëndimor kërkon destabilizimin e Shqipërisë. Tani në Shqipëri ka filluar reforma në drejtësi të cilën e ka drejtuar politika amerikane. Struktura juridike e kësaj reforme është gati në perfeksion, sepse këtu janë mbyllur të gjitha mundësitë e devijimit shpëtues për korrupsionin e lartë. Është parashikuar në Kushtetutën e re ngritja e dy instituteve antikorrupsion: Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme. Korrupsioni qeveritar i të dy krahëve ka dy vjet që lufton kundër ngritjes së tyre, por lodhen kot”, tha Spartak Ngjela. Sipas tij, përmes reformës, e cila është e pandalshme, liderët politikë që janë të përfshirë në korrupsion do të goditen përfundimisht. “Është ndërtuar dhe ka filluar emërimi i personeleve të hetimit, është në fund mbushja e Prokurorisë së Posaçme dhe ka filluar edhe strukturimi i emërimit të Gjykatës së Posaçme. Gjithçka do të përqendrohet te Prokuroria e Posaçme dhe të Gjykata e Posaçme, dy institucionet që do të merren me proceset penale të ngritura kundër nivelit të lartë qeveritar dhe krimit të organizuar. Pikërisht këtu nis në fakt procesi i shpërbërjes së absolutizmit korruptiv, sepse kjo reformë merr përsipër që të godasë përfundimisht liderët politikë të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike, duke shkatërruar përfundimisht absolutizmin mesjetar shqiptar dhe duke vendosur forcën e ligjit”, u shpreh Spartak Ngjela. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here