Drama “Historia e kopshtit zoologjik”, të premten në Korçë

0
450

Drama “Historia e kopshtit zoologjik” shfaqet mbrëmjen e së premtes në skenën e teatrit në qytetin e Korçës. Vepra shkruar nga Edward Albee me regji nga Eni Jani sjell në role aktorët Kristian Koroveshi dhe Genci Fuga. Nën regjinë e Eni Janit, vepra trajton tema sociale me mesazhe mjaft aktuale që nga toleranca, edukimi i fëmijëve dhe deri tek moskomunikimi midis individëve në shoqëri që është dhe mesazhi kryesor i kësaj shfaqje, fenomen ky universal. Teatri “Andon Zako Çajupi” shkruan se Kristian Koroveshi është një nga aktorët e rinj më të talentuar të momentit, që do të jetë përsëri në skenën e Korçës. “Me një karakter shumë të spikatur. Fitues i çmimit “Aktori i ri më i mirë” në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, ai nuk rresht së realizuari role të bukura dhe të suksesshme! Së fundi pranë teatrit tonë ai luajti në komedinë “ Testamenti i Ri” në krah të aktores së madhe Yllka Mujo”, shprehet teatri.

Ndërkohë që dhe vetë aktori Kristian Koroveshi pohon se mezi pret të jetë sërish në teatrin e Korçës. “Të premten datë 17 maj në orën 19: 00 në teatrin e Korçës do të jemi me “Historinë e kopshtit zoologjik”. Një vepër brilante, me humor dhe nota të thella dramatike. Me zor pres për të qenë serish aty”, shkruan aktori në profilin e tij që luan Xherrin. Aktori Genc Fuga, i cili vjen në rolin e Piterit në këtë shfaqje, shprehet se është një personazh që në dukje ka çdo gjë në rregull, i cili kërkon një lloj konsultimi dhe qëndrimi vetëm. “Në cepin e kopshtit zoologjik ky personazh përballet me të vërtetat e tij, si strukturimi që i ka bërë ose jo familjes dhe më pas angazhimit të tij të përditshëm. Mesazhi i kësaj vepre është i thjeshtë boll të kemi dëshirën të komunikojmë me njëri-tjetrin, të kemi dëshirën për të njohur realitetet e të tjerëve që më pas të kapim dimensionet tona”, ka pohuar aktori për rolin. Më herët dhe regjisorja Eni Jani ka treguar detaje interesante mbi veprën dhe mesazheve që ajo trajton. Sipas saj, tematika që trajton kjo vepër është diçka e veçantë, ku në qendër ka natyrën njerëzore. “Mesazhi i kësaj vepre është universal si për publikun shqiptar dhe për atë jashtë pasi mesazhi i saj është universal ku thelbi është natyra njerëzore”, shprehet regjisorja Jani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here