Spartak Ngjela: PD-LSI u bënë bashkë për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë, më mirë të gjejnë avokatë sepse SPAK është afër

0
452

Shqipërinë e ka kapluar një krizë e thellë politike në një kohë kur reforma në drejtësi po bën hapa përpara. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë dalë në rrugë për të protestuar dhe për të rrëzuar qeverinë. Të shumtë janë ata që mendojnë se opozita kërkon të largohet mazhoranca dhe të vijë në pushtet për të penguar zbatimin e reformës në drejtësi. I këtij mendimi është edhe avokati Spartak Ngjela. Gjatë një prononcimi të dhënë për gazetën “SOT”, Ngjela komentoi marrëveshjen e nënshkruar pak ditë më parë mes PD dhe LSI. Duke e cilësuar këtë marrëveshje si një idiotësi, ai deklaroi se ata janë bërë bashkë për të shpëtuar nga drejtësia. Megjithatë, avokati theksoi se çdo tentativë e tyre është e kotë sepse Struktura e Posaçme Antikorrupsion është pothuajse gati dhe shumë shpejt politikanët e korruptuar do të përballen me veprat e tyre. Ai iu sugjeroi që të gjejnë një avokat sepse dita kur do të japin llogari po afron. “Politika jonë nuk është për moral, por për pushtet. Ata e bënë këtë koalicion për të ardhur në pushtet, por është marrëveshja e parë kundër zgjedhjeve. Zakonisht marrëveshjet bëhen për të hyrë në zgjedhje, ndërsa këta bënë budallallëkun, bëjnë marrëveshje kundër zgjedhjeve. Janë njësoj si Enver Hoxha që thoshte nuk shkoj në OSBE se nuk është populli, kur dihej botërisht që OSBE për popullin ishte. Njësoj janë edhe këta. I thonë popullit do bllokojmë zgjedhjet, kur zgjedhjet janë për popullin. Thjesht po bashkohen për të shpëtuar nga ndëshkimi për korrupsion, por unë them që më mirë të gjejnë një avokat sepse SPAK është shumë afër. Vetëm 1/3 e SPAK ka ngelur pa ngritur, çdo gjë është gati. Dita e përballjes së tyre me veprat e korrupsionit po afron”, deklaroi Spartak Ngjela.

Bllokimi i zgjedhjeve të 30 qershorit

Sa iu takon kërcënimeve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim se do të bllokojnë zgjedhjet e 30 qershorit, avokati Spartak Ngjela u shpreh se këto janë paralajmërime të kota. Sipas tij, ata nuk janë të aftë të bëjnë asgjë. Së pari sepse ndërkombëtarët i kanë të gjithë kundër dhe së dyti sepse qytetarët nuk i ndjekin pas në aktet e tyre të dhunës. Për Ngjelën çdo protestues që iu bashkohet tubimeve të opozitës dhe tenton trazira është i paguar nga krerët opozitarë, por theksoi se në zgjedhjet e 30 qershorit, sado t’i paguash njerëzit, ata nuk mund të sakrifikojnë lirinë e tyre dhe të shkojnë në burg. “Edhe këto paralajmërimet për trazira i kanë të kota sepse asgjë nuk bëjnë dot. Me trazira nuk e dëmtojnë dot qeverinë. Nuk u shkon pas mbrapa atyre. Edhe sikur 100 mijë lekë t’iu japësh qytetarëve që të bëjnë rrëmujë ditën e zgjedhjeve, nuk të vjen njeri sepse shkon në burg pastaj. Sepse dihet që të gjithë të ata që shkojnë në protesta janë të paguar për të bërë dhunë, por këtë herë 100 mijë lekëshi nuk i shpëton dot. Ata dihet pse duan trazira, kërkojnë të shpëtojnë veten. Duan të dalin kundër reformës në drejtësi sepse i tremben, por nuk ja dalin dot. Nëse bëjnë rrëmujë ditën e zgjedhjeve, dihet që ndërkombëtarët do i kenë kundër. Ata kundër i kanë, asnjë ndërkombëtar nuk kanë pas vetes”, tha Ngjela. Pak ditë më parë avokati i akuzoi opozitarët që duan destabilizimin e vendit se janë të lidhur me Rusinë. “Në Tiranë, krerët e politikës janë kundër interesit kombëtar. Vodhën. Dhe tani duan të shkatërrojnë Shqipërinë. Këtë duan të bëjnë. Por janë të mbaruar. Te Rusia e kanë shpresën. Si gjithmonë, njëlloj si shitësit e mëdhenj të interesit kombëtar shqiptar”, deklaroi Spartak Ngjela.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here