Humbi gjyqin në vjedhjen e 713 milionë lekëve, ish-inspektorja e Bankës së Shqipërisë ka një kërkesë për Eni Vasilin

0
393

Ish-inspektorja e Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, e shpallur fajtore për përfshirje në vjedhjen e 713 milionë lekëve nga arkat e bankës, i është drejtuar gazetares Eni Vasili me një postim në Facebook.Golemi thotë se ka humbur edhe betejën e dytë me drejtësinë, pasi Gjykata e Apelit u shpreh “se me mosveprimet e mia kam lejuar që një person të vjedhë arkat e Bankës së Shqipërisë”. Kështu ajo kërkon nga gazetarja Eni Vasili që ta bëjë publike mbrojtjen e saj. Postimi i Elivar Golemit si më poshtë: E dashur Eni Vasili, kur ju realizuat këtë intervistë, në kushte tmerrësisht të vështira për mua, unë nuk e pata mundësinë t’ju shpreh publikisht mirënjohjen dhe falenderimet e mia për kurajon dhe mbështetjen pa rezerva në ato momente kur bota mu kthye përmbys. E mbaj mend mirë, si sot dy vjet më parë, kur ju më telefonuat me shqetësim pasi kishit dëgjuar nga media që Gjykata e rrethit Tiranë u shpreh për fajësinë time, me një masë qesharake “dënim me kusht për dy vjet”. Me shumë trishtim e keqardhje sot po ju njoftoj që e kam humbur edhe betejën e dytë me drejtësinë. Gjykata e Apelit u shpreh me “bindje” se me mosveprimet e mia kam lejuar që një person të vjedh arkat e Bankës së Shqipërisë. Dhe jo pak o Eni, por plot 7 miliardë lekë. Dhe për gjithë këtë dëm të shkaktuar bankës unë kam marr nje dënim modest prej dy vite me kusht, a thua se po më dënojnë për ngarje makine në gjendje të dehur. Pasi për drejtêsinë nuk ka rëndësi binomi shkak-pasojë, por mjafton të “varin” diku litarin e fajësisë … dhe po i duket se po rrin fort mirë mbi qafën e një femre të pambrojtur. Nuk e di a duhet të qaj a të qesh … Duke qenë shumë e sigurt në veprimet e mia dhe në pafajësinë time, une nuk zgjodha rrugën e shkurtër të gjykimit. Kërkova që të sqaroj situatën dhe të mbroj veten me çdo kusht, me shpresën që do të kisha mundësi të sqaroja Gjykatën për situatën absurde në të cilën ndodhem. Në më shumë se 40 sanca në gjykim në shkallë të parë, në një kalvar të gjatë hallakatjesh e mundimesh, kam paraqitur përpara Gjykatës të gjitha argumentet dhe provat, të cilat hedhin poshtë tërësisht akuzat e pretenduara nga prokurori Ramadan Troci (i cili e mori “vlerësimin” nga vetingu, por dënimin e vërtetë për paudhësitë e tija ende shpresoj nuk e ka marrë). Me praninë e 10 dëshmitarëve u provuan të gjitha çfarë unë kam deklaruar ne Gjykatë. Në asnjë rast të vetëm prokuroria nuk arriti të provonte, dhe as tentoi të provonte, akuzat që unë kam shpërdoruar detyrën si Inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë. Për ironi të fatit, pa asnjë provë Gjykata arriti në konkluzion se unë isha fajtore, në gjyqin më absurd që mendja e njeriut mund të imagjinojë. Gjyqtarja u shpreh se ndjehej e keqardhur, por se dikush duhet ta mbante fajin dhe fati i keq, bingo më paska rënë mua kësaj here. Eni, në takimin e fundit më thatë që duhej ta kisha bërë çështjen më shumë mediatike gjatë gjithë kësaj kohe. Kishit shumë të drejtë! Por unë besova se Gjykata e Apelit do të kishte ndonjë burrë apo grua me karakter të fortë e dinjitet profesional, që para një situate absurde pa prova e fakte do të vinin drejtësi në kauzën time. Me naivitet vazhdova të besoj, se në gjithë këtë çorbën e prishur, ku pagesat për një vendim penal janë mijra – qindramijra euro, unë do të gjeja drejtësinë time “falas”. Sot nuk kam më aspak besim në drejtësi dhe prandaj kam vendosur që mbrojtjen time ta bëj publike. Pasi kauza ime nuk mbaron këtu …Faleminderit Eni! * Elivar Golemi, ish-inspektorja e Bankës së Shqipërisë është shpallur fajtore për përfshirjen në vjedhjen e 713 milion lekëve nga arka e BSH-së, ngjarje për të cilën asokohe çoi në arrestimin dhe të ish-Guvernatorit Fullani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here