Zbardhen të tjera detaje nga ligji i ri që pritet të miratohet, sa i takon benefiteve financiare për naftëtarët, minatorët dhe metalurgët. Pak ditë më parë gazeta tregoi se cilat janë kategoritë që përfitojnë, ndërsa sot po zbardh detaje mbi kushtet dhe përfitimet e pensionit në bazë të moshës. Por cila është mosha për të përfituar pension suplementar? Sipas nenit 5 për ish punonjësit që kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë, trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij. Ndërsa për ish punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit të kategorisë së parë përcaktohet se pensioni suplementar merret në moshën 55 vjeç për burrat dhe për gratë 50 vjeç. Periudha e përgjithshme e sigurimit për burrat duhet të jetë 30 vjet, ndërsa për gratë 25 vjet. Vjetërsia në punë të kategorisë së parë për burrat duhet të jetë 15 vjet, për gratë 12.5 vjet. Për ish punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit kategoria e dytë dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me VKM, mosha për burrat përcaktohet 60 vjeç, ndërsa për gratë 55 vjeç. Periudha e sigurimit, për burrat duhet të jetë 30 vjet, ndërsa për gratë 25 vjet. Vjetërsia në punë e kategorisë së parë duhet 20 vjet për burrat dhe 15 për gratë.
Masa e përfitimit e shtesës mbi pensionin
Në draft-ligjin e siguruar nga gazeta bëhen publike edhe detajet për masat e përfitimit e shtesës mbi pensionet. Sipas draftit masën e përfitimit dhe shtesën e pensioneve në profesionet dhe punë në miniera në nëntokë, në industrisë së naftës dhe të gazit dhe në metalurgji do të njihen në dy kategori. “Punonjësit e nëntokës, 1% e masës së pensionit të pleqërisë; Punonjësit e industrinë së naftës e gazit dhe punonjësit e metalurgjisë 0,6 % e masës së pensionit të pleqërisë. Masa e përfitimit për invalidët: përfituesit, sipas përcaktimeve në këtë ligj, të cilët kanë përfituar ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension invaliditeti sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kanë të drejtën e përfitimit të shtesës mbi pension në masën 1% për çdo vit vjetërsi pune në miniera në nëntoke, industrinë e naftës dhe në metalurgji, sipas përcaktimeve në nenin 3 të këtij ligji”, thuhet në projektligj.
Financimi
Shuma e kontributit varet nga paga totale e punëmarrësit. Kontributi nuk mund të caktohet nën një pagë minimale dhe mbi një pagë maksimale mujore. Në projektligj thuhet se “Kontributi që paguhet për mbulimin e përfitimeve të pensioneve për shkak të profesionit, përcaktohet në masën 5% të pagës bruto dhe ndahen 3% nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi. Kontributet për të punësuarit mbi 48 vjeç, në masën sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, mblidhen dhe derdhen në fondin e sigurimeve shoqërore sipas procedurave për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të detyrueshme të përcaktuara në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””.
Elisjeda Kiko