Drafti/ Ashpërsohet ligji antiduhan, ndalohet cigarja elektronike dhe shisha në ambiente të mbyllura, “zhduket” duhani nga vitrinat

0
671
A8J5E0 woman smoke smoking cigarette tobacco nicotine inhale exhale consume cunsumption health unhealthy health

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur të ashpërsojë ligjin antiduhan. Në relacionin e draftit të hedhur për konsultim nga ky dikaster, thuhet se ndryshimet e propozuara së fundmi synojnë të sigurojnë mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga produktet e duhanit si dhe forcimin e rolit monitorues të Inspektoratit përgjegjës për Shëndetësinë, në lidhje me zbatimin e këtij ligji.

Masat e reja

Sipas relacionit të draftit të ri, në treg do të ndalohet shitja e paketave me numër të reduktuar cigaresh apo me alterim të shijeve, çka pritet të reduktojë blerjen e këtyre produkteve nga konsumatorë që nuk e përballojnë dot çmimin e një pakete të plotë apo nga konsumatorë për të cilët shija karakteristike e duhanit është një element i pakënaqshëm i duhanpirjes dhe në mungesë të shijeve alternative do zgjidhnin të mos konsumonin produktin konvencional. Po ashtu, do të ndalohet promocioni indirekt nëpërmjet ngjyrave të logos së produkteve të duhanit dhe vendosja e tyre në rafte të dukshme, kjo pasi promocioni dhe marketimi i produkteve të duhanit konsiderohet si një faktor që stimulon përdorimin e tij në popullatë. Cigarja elektronike dhe duhani me ngrohje do të ndalohen në ambiente të mbyllura, duke aplikuar për të, të njëjtat rregulla si për format konvencionale të duhanpirjes. Kjo synon mbrojtjen nga ekspozimi i pavullnetshëm ndaj produkteve të duhanit.

Problemet e ligjit aktual

Duhanpirja është një ndër tre faktorët madhorë të riskut për sëmundjen kronike në Shqipëri, të cilat përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve dhe paaftësisë. Duhani është një produkt i cili nëse përdoret ashtu siç përshkruhet nga prodhuesi vret gjysmën e përdoruesve të tij. Prevalenca e duhanpirjes mbetet ende e lartë në vendin tonë dhe është e rëndësishme të reduktohet në mënyrë që të reduktohen edhe sëmundjet kronike. Ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit ka shërbyer si instrument kyç për kontrollin dhe rregullimin e produkteve të duhanit në vitet e fundit, duke dhënë rezultate pozitive. Këto rezultate konkretizohen në trendin në rënie të prevalencës së duhanpirjes te meshkujt. Pavarësisht kësaj, shumë aspekte të duhanpirjes dhe risqeve të lidhura me këtë fenomen, mbeten të pambuluara nga ligji aktual. Këto aspekte përfshijnë: prevalenca e lartë e duhanpirjes; mungesën e kuadrit rregullator për produktet e reja të duhanit që kanë hyrë në treg vitet e fundit; persistimin e promocionit indirekt të produkteve të duhanit, pavarësisht se ligji nuk lejon asnjë formë të promocionit të tyre, dhe moszbatimin korrekt të masave ndëshkuese në rast shkelje administrative që lidhet me produktet e duhanit. Ndërhyrja e qeverisë është e rëndësishme pasi është i vetmi aktor që mund të forcojë kuadrin rregullator i cili përbën në vetvete instrumentin me efektiv për mbrojtjen e qytetarëve nga efektet e dëmshme të duhanit dhe nënprodukteve të tij. Ndërhyrja e qeverisë është e nevojshme edhe për faktin se prevalenca e lartë e duhanpirjes shoqërohet me kosto të larta për sistemin shëndetësor në vend, pasi duhanpirja është faktor risku për shumë sëmundje kronike ku përfshihen dhe sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri, dy shkaktarët kryesorë të vdekjeve në vend për momentin.

Produktet e reja të duhanit si risk për të rinjtë

Aktualisht, industria e duhanit po i promovon produktet inovative të duhanit si një alternativë më pak e dëmshme dhe si një mjet që mund të ndihmojë duhanpirësit për të mos konsumuar më duhan. Vlen të theksohet se, pavarësisht faktit se produktet inovative të duhanit si cigarja elektronike ose duhani pa tym, janë më pak të rrezikshëm se produktet konvecionale të duhanit, nuk ka mjaftueshëm evidencë shkencore që të mbështesë përdorimin e tyre si një mjet ndihmës për të lënë duhanpirjen mes përdoruesve të tij. Përkundrazi, pavarësisht së këto produkte nuk çlirojnë të njëjtin sasi tymi dhe gazesh të dëmshme, ata përmbajnë sasi të larta nikotine e cila është një substancë që krijon varësi. Ky aspekt i problemit është tepër i rëndësishëm kur prek adoleshentët. Është vënë re se ka një rritje të përdorimit të produkteve inovative të duhanit nga adoleshentët. Ndërkohë, studimet sugjerojnë se një adoleshent që përdor produkte inovative duhani është më i riskuar të jetë një adult duhanpirës në të ardhmen. Nga ana tjetër, industria e duhanit shpesh targeton pikërisht adoleshentët dhe të rinjtë nëpërmjet teknikave të marketingut që i bëjnë këto produkte tërheqës për këto grupmosha.

Zbatueshmëria e ligjit antiduhan

Vihet re se një numër i caktuar subjektesh tregtare shkelin ligjin aktual për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, duke kryer në mënyrë të përsëritur të njëjtën shkelje. Më konkretisht, shkelet në mënyrë të përsëritur ajo pjesë e ligjit që nuk lejon përdorimin e duhanit në ambiente të mbyllura. Këto probleme prekin një sërë grupesh të popullsisë ku mund të përmenden: qytetarët joduhanpirës, qytetarët duhanpirës, qeverinë (si financues i shërbimeve shëndetësore) dhe bizneset që tregtojnë duhan. Evidenca shkencore sugjeron se forcimi i kuadrit rregullator për duhanin është një nga mjetet më efektive për të ulur prevalencën e tij në popullatë. Konteksti shqiptar është gjithashtu një shembull i mirë në këtë aspekt. Pavarësisht se prevalenca e duhanpirjes është ende e lartë, ajo ka ardhur në ulje krahasuar me 10 vite më parë. Kjo sugjeron se ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit dhe masat e marra në këto vite për implementimin e tij kanë rezultuar një mjet efektiv për shëndetin publik. Bazuar në këtë arsyetim, gjykohet e arsyeshme se rregullimi i mëtejshëm i këtij produkti dhe përditësimi i kuadrit rregullator, është një metodë efektive. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here