Përmbyset vetingu në polici, verifikimi i efektivëve do të kryhet nga SHÇBA, qeveria kërkon ndryshimin e ligjit

0
337

Qeveria ka vendosur të përmbysë vetingun në Policinë e Shtetit. Teksa pritej që brenda shkurtit të niste procesi i verifikimit për krerët e uniformave blu, pritet që ligji i vetingut të ndryshojë, duke shtyrë kështu procesin. Mazhoranca dhe qeveria kanë hartuar një draft të ri, i cili do të shkojë në Parlament, sipas të cilit verifikimi për policët e thjeshtë do të kryhet nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme. Momentalisht në ligj parashikohen që vetingun në Policinë e Shtetit ta bëjnë tre institucione, të cilët janë: Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, Komisioni Qendror i Vlerësimit dhe Komisioni Vendor i Vlerësimit. Por me propozimet e reja që janë bërë, dy komisionet e fundit shkrihen dhe zëvendësohen nga SHÇBA. Po si do të bëhet verifikimi? Sipas parashikimeve në ligj 300 drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, do të vetohen nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit. Në këto kategori bëjnë pjesë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deri tek zv/drejtorët apo drejtuesi i SHÇBA dhe kolonelët e nënkolonelët. “Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit vlerëson punonjësit në pozicionet ose me gradat e mëposhtme: drejtor dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm, drejtor departamenti, drejtor i Drejtorisë Qendrore, drejtor e zëvendësdrejtor vendor dhe shef komisariati, në Policinë e Shtetit; komandant e zëvendëskomandant, si dhe çdo oficer me gradë major, nënkolonel dhe kolonel në Gardën e Republikës; drejtor dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm, si dhe drejtor e shef sektori në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”, thuhet në nenin 6 pika 1 e ligjit.

SHÇBA veton punonjësit e thjeshtë

Vendin bosh të dy komisioneve që parashikoheshin në ligjin aktual dhe që janë hequr me draftin e ri të qeverisë dhe mazhorancës, do ta marrë Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme. Ky institucion do të bëjë vetingun për punonjësit e thjeshtë të Policisë së Shtetit. “Punonjësit e policisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në strukturat e veçanta, me përjashtim të punonjësve të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, punonjësit e Akademisë së Sigurisë dhe të Institutit të Policisë Shkencore; punonjësit e Gardës së Republikës me gradë nëntoger, toger, nënkapiten, kapiten; punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, me përjashtim të punonjësve të përcaktuar në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij neni”, thuhet në ligj. Pra, ky projektligji i ri i qeverisë, i cili ka 10 nene shfuqizon nenet e ligjit për Komisionin Qendror të Vlerësimit dhe Komisioni Vendor i Vlerësimit si edhe sekretariatet teknike të tyre dhe i zëvendëson ato me SHÇBA.

Shfuqizohet neni 68 i ligjit aktual

Në draftin e ri të propozuar nga qeveria dhe mazhoranca për vetingun në Policinë e Shtetit, përveç shfuqizimit të neneve për komisionet, të cilët u zëvendësuan nga SHÇBA, ka edhe disa nene që janë shfuqizuar, siç është ai për dispozitat kalimtare. Bëhet fjalë për nenin 68 të ligjit aktual për vetingun në radhët uniformave blu, i cili imponon kohën se kur do mbarojë procesi i vetingut, por që është shfuqizuar nga drafti i ri. “Procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat do të përfundojë brenda një periudhe prej 24 muajsh, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në ligj.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here