Ministria e Kulturës ka përgjegjësinë e saj me gjendjen që është sot Galeria Kombëtare e Arteve. Sipas artistëve duke qenë institucion në varësi, ministria duhet të kishte vëmendje se çfarë po ndodh me GKA, që duhet të kishte më shumë hapësira për artistët. Piktori dhe skulptori Mikel Temo tregon se shumë pak bëhet sot për artin dhe artistët në vend. Sipas tij jeta artistike është e vështirë dhe artistët përballen jo vetëm me mbylljen e dyerve të GKA, por dhe me buxhetet e pakta për projektet. Në intervistën për “SOT” piktori Mikel Temo shprehet se gjendja bëhet dhe më problematike kur nuk ka dhe një galeri të qytetit. Në këto kushte artistët janë të detyruar të jenë ose në MHK apo dhe në galerinë e artit FAB. Për piktorin kjo gjendje me probleme për artistët do të vazhdojë përderisa as nuk mendohet për aktivitetin e tyre dhe të ketë politika ndihmëse. Piktori shprehet që në shtetin tonë nuk ka struktura të nevojshme për të stimuluar mbijetesën e artistëve në vend.
-Jeni pjesëmarrës me veprën tuaj në edicionin e tretë të ekspozitës “Ekspo Art Tirana”, që është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Këtë herë zgjodhët portretin e djalit për ekspozitën që bën bashkë disa autorë. Çfarë mund të na thoni për pjesëmarrjen tuaj?
Në këtë ekspozitë që është haur këto ditë në MHK mua mu bë një ftesë për të qenë pjesëmarrës dhe pranova. Prezantohem me portretin e djalit tim në këtë ekspozitë. Janë disa grupe me artistët, që zhvillojnë aktivitete dhe në një kohë që nuk ka dhe veprimtari nga institucionet i shikoj si diçka shumë pozitive. Në ekspozitën “Ekspo Art Tirana” prezantoj portretin e djalit, dhe është në planet e mia që të hap më vonë një ekspozitë personale “Familja dhe miqtë”. Ende se di se kur mund të hapet kjo ekspozitë, por unë e kam në planet e mia për ta realizuar.
-Ju dhe të tjerë autorë jeni këto ditë me veprat tuaja në MHK. Jo shumë larg keni dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, që sipas jush ka mbyllur dyert pasi nuk ka aktivitet. Sa është shqetësuese për ju si artistë?
Drejtori i GKA është sulmuar shumë dhe në media nga artistët për atë që po ndodh në galeri dhe ai nuk ka reaguar deri tani. Unë e kam pohuar dhe më parë që ne si artistë jemi të zbuar nga Galeria Kombëtare e Arteve. GKA nuk ka aktivitete ku ne të jemi prezent. Mua ma merr mendja që aty mund të punohet me projekte kuratoriale dhe je apo nuk je pjesë e projektit kuratorial kjo varet nga personi, që e organizon ekspozitën. Unë nuk besoj se GKA ka kuratorë të punësuar atje, por bëhen me komision dhe me projekte. Kush i afrohet GKA me një projekt, situatë e caktuar artistike, që e merr përsipër kuratori. Por nëse nuk ka të tilla nuk e di se si do të vazhdojë, vetë GKA duhet të ketë dy apo tre projekte në vit që janë jashtë këtyre propozimeve kuratoriale, që bëjnë individët privatë.
-Ju pohoni se GKA ka mbyllur dyert. Sa përgjegjësi ka edhe Ministria e Kulturës?
GKA nuk i ka mbyllur vetë dyert për artistët. I ka mbyllur me Ministrinë e Kulturës, pra është si një marrëveshje që kanë bërë. Nëse unë do të isha ministër në Ministri të Kulturës nuk do ta lejoja GKA që të ishte në këtë gjendje dhe të mbyllte dyert. Por është një marrëveshje, më pas do të fillojnë do të rinovojmë GKA dhe do vijojë të qëndrojë dhe për një kohë tjetër dhe me rradhë. Nuk ka salla alternative, sepse po të kishte salla të tilla ishte ndryshe. Përshembull nëse do të kishte Bashkia e Tiranës galeri arti do ndihmonte, por sot nuk ka asnjë. Nëse do të kishte salla aktivitetet tona do të zhvilloheshin në këto mjedise.
– Artistët e kërkojnë një sallë të kryeqytetit për ekspozita, kërkesë kjo sipas tyre e hershme, por ka munguar deri tani. Çfarë duhet bërë?
Ne e kemi kërkuar një sallë ekspozimi nga Bashkia e Tiranës, që pas viteve ’90. Deri tani nuk kemi. Do të ishte shumë mirë që të kemi galerinë e qytetit të Tiranës që varet nga Bashkia dhe jo nga Ministria e Kulturës. Duhet të ishte marrë parasysh kjo kërkesë, por asgjë nuk është bërë.
-Ky është viti i dytë që GKA deri tani nuk ka prezantuar një kalendar aktivitetesh. Si ndikon kjo?
Por çfarë të bëjmë. Flasim dhe askush nuk dëgjon zërin e artistëve nga institucionet. Ne kemi reaguar, kemi shkruar dhe jemi konfliktuar me ish ministren Kumbaro, por asgjë nuk u bë që të ndryshojë. Vijon e njëjta situatë me GKA.
-Ministrja e Kulturës para disa kohësh është shprehur mes të tjerave se do të ndjekë ritmin e Kumbaros. Çfarë mund të na thoni?
Çfarë ritmi? Ku kishte ritëm Kumbaro në punë? Pra do të thotë që nuk do të bëjmë asgjë. Do të vazhdojnë me formatin që çojnë ndonjë nëpër bienale për të përfaqësuar Shqipërinë, si në bienalen e Venecias, etj. Aty bëjnë pak zhurmë që shikoni se çfarë po bëjmë dhe me kaq mbyllet çdo gjë. Nuk bëhet më asgjë.
-Ministria e Kulturës shpalli projektet para pak ditësh. Artistët akuzojnë për mungesë transparence dhe financime jo të drejta. Ju si e shikoni?
Mungesa e transparencës është e gabuar. Por edhe projektet sa vijnë dhe do të zvogëlohen. Janë tre a katër njerëz që marrin projekte nga Ministria e Kulturës dhe kaq. Por kur nuk ka dashamirësi dhe transparencë njerëzit stepen të bëjnë projekte. Që të shkruash një projekt për të aplikuar në Ministri të Kulturës do kohë dhe ka dhe ajo hiletë dhe strukturën e vet se si shkruhet. Por ia vlen të harxhosh kohën me shkruajtje projektesh dhe nuk ndodh asgjë, ndërkohë që ti je krijues në studio dhe duhet të bësh punën tënde? Ministria e Kulturës nuk ka transparencë, sepse nuk ka dhe buxhete, por të kishte buxhete duhet të kishte dhe transparencë.
-Ju vazhdoni aktivitetin dhe si skulptor. Si e shikoni sot Tiranën me veprat e artit, çfarë duhet bërë më shumë?
Në hapësirat publike unë di gjë Bashkia e Tiranës ka një projekt, që po punojnë artistët për skulptura parku. Janë bërë kontaktet me personin që merret me këtë punë dhe di që kjo po vijon. Me këtë valën e stanjacionit kjo është një lëvizje që po bën bashkia për vendosjen e skulpturave të parkut. Me sa di do bëhen propozimet nga ne si artistë dhe ato propozime më pas do të shqyrtohen. Nuk ka një buxhet të caktuar për këtë punë, por thonë që na propozoni dhe më pas do të punohet me paratë e baskisë, por dhe të donatorëve.
-Si e shikoni galerinë e artit FAB përballë GKA?
Galeria e artit FAB është e vetmja për momentin që ka aktivitete dhe ka mbetur, pra që nuk është private. GKA është si është dhe e vetmja që funksionin është galeria e artit FAB.
-Sipas jush çfarë bëhet për punën me artin sot dhe si e zhvillojnë aktivitetin artistët?
Në shtetin tonë nuk ka struktura të nevojshme për të stimuluar mbijetesën e artistëve, ato mungojnë. Sepse në një projekt që mund të fitosh në Ministri të Kulturës me 2 apo 3 milionë lekë të vjetra pasi nuk të japin më shumë, ti si artist nuk fiton gjë. Të gjitha shkojnë për të ndërtuar ekspozitën, sepse tek ne nuk shitet piktura. Paratë shkojë për të paguar sallën dhe ndërtuar ekspozitën dhe nuk ka aty para për të mbijetuar. Jashtë shtetit ka formate të tilla, që ti kërkon për një projekt para këshillit të artit dhe brenda atij çmimi ti ke llogaritur dhe periudhën 1 vjeçare të krijimit të projektit, ku futen brenda dhe qeraja e shtëpisë, ushqimi, etj, sepse ndryshe ti nuk ke se si jeton, por tek ne kjo nuk ndodh. Nuk funksion se nuk ka para. GKA ka 3 milionë lekë të reja buxhet, çfarë do të bëjë me aq buxhet një institucion. Përderisa tek ne partitë politike nuk kanë program për artin dhe kulturën nuk do të ndodhë gjë.
-Sa është shqetësuese për ju gjendja e veprave të artit sot?
Ju pyesni për veprat e artit dhe mirëmbajtjen e tyre, por më parë Ministria e Kulturës mbylli Qendrën e Realizmit të Veprave të Artit, që nuk është e drejtë. Skulpturat e parkut, që janë vendosur jo vetëm në Tiranë, por kudo në Shqipëri kanë nevojë për mirëmbajtje dhe kujdes. Mbyllet QRVA dhe këtë funksion për kujdesin e veprave të artit dhe restaurimin e tyre ia kanë kaluar bashkive, por që nuk kanë specialistë për këtë punë. Duke ditur se çfarë ndodh në Shqipëri në përgjithësi mund të themi që do të degradojnë dalëngadalë deri sa të merret një vendim tjetër. Në vend që ti kalonte bashkive, duhej ti kalonte IMK që ka atelietë në disa qytete, sepse merren me restaurimin e godinave dhe të pikturës murale, ndërkohë që iu shtohej dhe një për mirëmbajtjen e monumenteve. Monumentet kanë specifikat e tyre të restaurimit sepse janë si në mermer, gur, bronz, etj.
Aktiviteti i artistit
Mikel Temo është diplomuar në degën Pikturë Monumentale dhe Vizatim në Akademinë e Arteve në Tiranë, Shqipëri në vitin 1986. Pas trajnimit në një program intensiv në artin tradicional realizoi një doktoraturë në Arte në vitin 1997. Gjatë studimit të pikturës e vizatimit në Akademinë e Arteve në Tiranë, (1982-1986) ai zbuloi format e artit të ndaluar në atë kohë: impresionizmin, kubizmin, ekspresionizmin, surrealizmin, etje.Nga viti 1986 – 1998 Mikeli shpërndau njohuritë e tij dhe dashurinë e artit me studentët si mësues në Shkollën e Arteve të Tiranës. Pas udhëtimeve eksploruese në muzetë e arteve në Itali dhe Francë puna e tij u bë më abstrakte me gjurmë nga realiteti. Punët e artistit pamor Mikel Temo janë pjesë e fondit të përhershëm të Galeria Kombëtare e Arteve të Shqipërisë. Në aktivitetin e tij përmendim dhe rrugëtimin e artistit në Tiranë, Paris dhe Vankuver me krijimtarinë e tij për publikun. Më pas ekspozita personale qëndroi e hapur për publikun edhe në galerinë e artit FAB. Aktiviteti i piktorit dhe pedagogut në vitin që lamë pas vijoi me veprat e tij si pjesë e ekspozitës “Proces”. Por këto ditë vepra e tij në pikturë, portreti i djalit, është prezantuar për publikun në ekspozitën “Ekspo Art Tirana”, që po qëndron hapur në Muzeun Historik Kombëtar. Mikel Temo është pedagog i grafikës dhe teknikave të saj në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve.
Intervistoi: Julia Vrapi