Del nga arkiva filmi i ndaluar i Rikard Ljarjes dhe Bashkim Shehut, “Skëterrë ‘43” u bllokua nga regjimi pas vitit 1981

0
682

Filmi artistik “Skëterrë ‘43” prodhim i vitit 1980 do të shfaqet për publikun mbrëmjen e sotme në kinema Agimi në Tiranë. Filmi shfaqet në kuadër të programit “Thesaret e Arkivit”, që prej kohësh ka nisur nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Këtë herë AQSHF ka zgjedhur të risjelli në kinema një nga filmat ndaluar. Filmi “Skëterrë ‘43” me skenar nga Bashkim Shehu dhe regji nga Rikard Ljarja është përzgjedhja e AQSHF. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit fton për të parë filmin emocionues “Skëterrë ’43” (1980), në kinema Agimi, në 35mm, por prapaskenat e tij sipas arkivit janë po aq dramatike. Atë kohë në vitet ‘80 regjisori Ljarja i kërkoi skenarin Bashkim Shehut, djalit kryeministrit Mehmet Shehu. “Prapaskenat e këtij filmi, janë po aq dramatike sa dhe ngjarjet në film që bazohen në Luftën e Dytë Botërore. Në 1980, aktori dhe regjisori Rikard Ljarja i kërkoi Bashkim Shehut, djalit të kryeministrit Mehmet Shehu, të shkruante skenarin e “Skëterrë ’43”, ndërsa teknikët e Kinostudios ndërtuan në përmasa reale një burg italian buzë detit”, shkruan AQSHF për filmin e ndaluar. Por filmi “Skëterrë ‘43” i ofroi role të paharrueshme aktorëve të rëndësishëm si Rikard Ljarja, Xhevdet Feri, Birçe Hasko, Agim Qirjaqi, Violeta Dede, Mario Ashiku dhe të tjerë. Edhe pse sipas AQSHF atë kohë dukej se çdo gjë ishte shumë mirë dhe askush nuk do të prekte këtë prodhim filmik, pas 1981 erdhi dhe ndalimi i filmit. “Dukej sikur asgjë s’do e prekte punën e arrirë të stafit, kamerën e guximshme të drejtorit të fotografisë Saim Kokona, dhe muzikën goditëse të kompozitorit Zef Çoba. Por, në 1981 Mehmet Shehu vdiq në rrethana misterioze. Pasi u shfaq shumë rrallë, filmi u ndalua dhe hyri në listën e filmave të ndaluar. Disa e shohin filmin “Skëterrë ’43” si reflektim delikat dhe të rrezikshëm mbi jetën në Shqipërinë komuniste. Ju ftojmë të vini e të vendosni vetë!”, shkruan AQSHF. Filmi tregon revoltën në një kamp përqendrimi fashist në vitin 1943 kundër metodave barbare e terrorit. Të burgosurit kryengritës si: profesori piktori Hekurani, Ariani, Mira, Shpresa organizohen dhe mbajnë lidhje të vazhdueshme me rezistencën jashtë kampit. Me rezistencë të fortë ata arrijnë të shkatërrojnë skëterrën fashiste.

 Programi i AQSHF

Kjo është shfaqja e tretë e kinematikës Pranverë 2019- “Thesaret e Arkivit” program i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit i kuruar dhe prezantuar nga personalitete të mendimit dhe hulumtimit bashkëkohor. Në ciklin Thesaret e Arkivit AQSHF shkruan se risjell filmat e koleksioneve filmike që ruhen në fondin e arkivit, prodhime shqiptare apo të huaja. “Të prezantuara nën një dritë të re; të shoqëruara me biseda, kumtesa të mbajtura nga profesorë, gazetarë, regjisorë apo studiues, duke ofruar për publikun një këndvështrim të ri për veprën filmike sot në vitin 2019, si për mesazhin që ajo vepër përcillte/përcjell, zbërthimin nga ana sociale-kulturore-politike-ideologjike, ashtu edhe për realizimin nga ana teknike. Të gjitha shfaqjet janë të kuruara, me introduksion dhe bisedë pas shfaqjes, me projeksion 35mm dhe me titra në anglisht, për veprat shqiptare, apo me titra shqip, për veprat e huaja. Për këtë cikël kemi bashkëpunuar me Kinema Agimin, në mënyrë që të jemi sa më pranë publikut të qytetit i cili gjen vështirësi të na ndjekë në kinemanë tonë në Kinostudio”, shkruan AQSHF për këtë gram që tashmë ka nisur. Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here