Zbardhet dëshmia e gardistit që vrau gruan: Kishim konflikte të vazhdueshme, para disa kohësh më kërkoi divorcin

0
375

Alket Arapaj, punonjës i gardës prej më shumë se 20 vitesh qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij me armën e shërbimit për shkak të konflikteve që çifti prej kohësh kishte mes tyre. Ai ka thënë përpara grupit hetimor se prej disa kohësh kishte konflikte të vazhdueshme me 36-vjeçaren, dhe se disa kohë më parë e ndjera i kish kërkuar divorcin. “Kohët e fundit nuk ma dëgjonte më fjalën. Mu krijuan dyshime se nuk më tregonte më të vërtetën. Kur unë ikja në punë dyshoja se takohej me njerëz të tjerë. Kemi pas debate dhe konflikte të vazhdueshme me njëri-tjetrin prej gati një viti. Ndërsa rreth një muaj më parë më kërkoi dhe divorcin. Kërkesa për divorc mi shtoi dyshimet se më tradhtonte”, është shprehur përpara grupit hetimor 44-vjeçari, Alket Arapaj në lidhje me krimin e rëndë. Burime nga grupi hetimor thonë Alket Arapaj, është shfaqur në gjendje të rënduar psikologjike në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, atje ku dhe mbahet i izoluar. Mësohet se gjatë qëndrimit në dhomën e paraburgimit, ai ka shfaqur gjendje të rënduar emocionale, madje në disa raste ka goditur dhe murin me kokë duke vënë në alarm rojet e sigurisë. Burimet thonë se gjatë marrjes në pyetje, Arapaj ka shfaqur një gjendje të rëndë psikike, duke dhënë dhe versione të ndryshme për motivin që e çoi të qëllonte me armën e shërbimit, 36-vjeçaren, Ervilma Seferi. Deri tani, për grupin e hetimi pista kryesore e krimit në familje është ajo për shkak të xhelozisë dhe për këtë gjë do të merren në pyetje edhe familjarët e viktimës. Pas krimit, 44-vjeçari, nuk është larguar nga banesa e tij që ndodhet në zonën e Alliasit. Ai ka telefonuar policinë, të cilët bënë edhe prangosjen e tij. Sipas uniformave blu, krimi ka ndodhur në momentin kur Alket Arapaj do të shkonte të merrte detyrën në Gardën e Republikës. Ai shërbente prej më shumë se 20 vitesh dhe është me arsim të lartë ushtarak, me gradën Kapiten.

Ngjarja

Krimi në familje do të trondiste sërish, këtë herë një 44-vjeçar nga kryeqyteti, punonjës në gardë do të vriste me armën e shërbimit bashkëshorten e tij 36-vjeçare. Alket Arapaj është zgjuar herët në mëngjes ditën e martë dhe ka veshur uniformën e Gardës, pasi do të paraqitej në shërbim. Ka marrë pistoletën e punës, që e mbante me vete edhe në shtëpi dhe ende nuk kishte dalë nga dhoma e gjumit, kur ka nisur një debat me të shoqen, Ervilma Seferaj. Edhe ajo ishte zgjuar si zakonisht, për të bërë punët e shtëpisë, të përgatiste vajzën për në kopsht dhe më pas të shkonte edhe vetë në punë. Prej disa kohësh mes çiftit ka pasur debate të vazhdueshme mes tyre. Por ditën e krimit situata është acaruar edhe më shumë. Në debat e sipër, gardisti 44- vjeçar ka nxjerrë armën e shërbimit që e kishte vënë në brez dhe ka qëlluar 3 herë në drejtim të gruas, duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë pas ngjarjes, ai i ka telefonuar Policisë, duke rrëfyer krimin. Ndërsa u ka treguar se është efektiv i Gardës së Republikës. Për këtë arsye, në vendin e ngjarjes, përveç shërbimeve të Policisë, kanë qenë të pranishëm edhe oficerë të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të cilët kryen arrestimin në flagrancë. Arapaj prej 21 vitesh ishte pjesë e Gardës së Republikës. Ai kishte përfunduar arsimin e lartë ushtarak në vitin 1997 dhe që pas asaj kohë i ishte bashkuar Gardës. Së fundmi, ai mbante gradën Kapiten. Prej disa vitesh, ai shërbente në Njësinë nr.3 të Gardës, te Pallati i Brigadave. Ndërsa më herët kishte qenë edhe shoqërues i Personaliteteve të Larta Shtetërore. Në rrethin shoqëror dhe familjar Alket Arapaj njihet si person i sjellshëm dhe praktikues i fesë islame, ndërsa edhe gruaja ishte e mbuluar. Arapaj ishte i pajisur me armën e shërbimit tip pistoletë, të cilën në bazë të ligjit ka të drejtë ta mbajë me vete edhe jashtë orëve të shërbimit. Nga ana tjetër, burime nga Garda e Republikës, thanë se Arapaj ishte një efektiv i rregullt, i përpiktë dhe pa masa disiplinore. Edhe bashkëshortja e tij, e cila mbeti e vrarë dje, ishte me arsim të lartë, e diplomuar për Histori-Gjeografi.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here