Ngjarja e rëndë që ndodhi me studenten Eleni Tofaloudis ka tronditur opinionin publik në Greqi. Shtypi grek vijon të publikojë informacione për krimin shokues.
Së fundmi, nëpër media kanë qarkulluar fotografi të studentes 21-vjeçare me këmbë të lidhura, e cila u hodh në det nga dy të rinjtë, greku Manolis Koukouras dhe shqiptari Aleksandër Luca. Fotot e publikuara nga mediat greke janë bërë nga ekspertët mjeko-ligjorë pasi trupi i së ndjerës u nxor nga deti.
Mjekët kanë dalë në konkluzionin se vajza ishte dhunuar barbarisht para se ajo të hidhej në det me këmbë të lidhura. Megjithatë, ekspertët sqarojnë se ajo ishte gjallë dhe do të jetonte nëse do të dërgohej në spital para se të hidhej në det nga një lartësi 10 metra.
Deri në momentet e fundit të jetës, 21-vjeçarja kërkonte ndihmë, por dy të rinjtë u treguan gjakftohtë ndaj britmave e lutjeve të saj. Mjekët kanë thënë se Eleni ishte goditur me hekur në anën e majtë të kokës. Goditjet ishin aq të forta saqë vajzës i ishte prerë veshi.
Shqiptari Aleksandër Luca ka pranuar përfshirjen në krim. 20-vjeçari u ka thënë hetuesve se shoku i tij Manolis Koukouras e godiste me hekur në kokë, teksa ai i mbante duart studentes që të mos kishte mundësi të mbrohej.
Sipas shqiptarit, ishte 21-vjeçari grek që këmbënguli t’i lidhnin këmbët dhe ta hidhnin në det mbrëmjen e 27 Nëntorit. Trupi i studentes u gjet të nesërmen. Autopsia konfirmoi se Eleni humbi jetën nga mbytja, ndërsa më parë ishte dhunuar e abuzuar seksualisht.
Hetuesit besojnë se 21-vjeçarja i kishte refuzuar dy të rinjtë, e për këtë arsye ata e dhunuan. Në dëshminë e tij, Aleksandër Luca ka sqaruar se me Elenin ishte njohur para disa ditësh dhe mbrëmjen tragjike ishin mbledhur të tre në shtëpinë e një miku të tij. Takimi i shqiptarit me Elenin është filmuar edhe nga kamerat e sigurisë në rrugë. Ndërsa, greku Manolis Koukouras ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij. Gjykata e Rodosit sot i la në burg pa afat dy të rinjtë, të cilët do të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimeve.