Ndryshon ligji për noterët, nuk do të jetë më profesion i trashëguar, kërkohet monitorim i rreptë për pastrimin e parave

0
513

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut mbajti dje një tryezë konsultimi për projektligjin “Për noterinë”. Në këtë mbledhje është diskutuar drafti mbi noterinë i hartuar në bashkëpunim me ekspertët e Euralius, ku parashikohet se nuk do të jetë më profesion i trashëguar. Drafti është i pari nga paketa e projekteve të screening si fazë parapërgatitore e çeljes së negociatave të integrimit dhe në këtë kuadër ka pësuar ndryshime rrënjësore. Gjatë fjalës së saj, relatorja e këtij projektligji, deputetja Vasilika Hysi theksoi se janë marrë në konsideratë rekomandimet e grupeve të interesit.

“Të gjitha komentet dhe sugjerimet e hapura në adresën e komisionit janë marrë në konsideratë për t’u shqyrtuar në vijim, por nuk janë diskutuar ende pasi ne presim të dëgjojmë edhe mendimin tuaj. Ndërkohë në trajtimin e propozimeve të hapura qoftë me email apo edhe me shkresë zyrtare, kemi pasur parasysh edhe rregullat e deontologjisë të organizatës së noterisë dhe modelit standard sesi duhet të funksionojë Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe Dhomat vendore të Noterisë në një vend që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, deklaroi Hysi.

Por Dhoma e Noterëve të Tiranës ka dalë kundër projektligjit, me argumentin se është antikushtetues dhe diskriminues. “Përjashtimi i trashëgimtarëve të radhës së parë siç janë fëmijët dhe bashkëshortët e noterit ose zëvendësnoterit nga e drejta për të ushtruar profesionin e noterit apo zëvendësnoterit është një diskriminim që u bëhet këtyre trashëgimtarëve për shkak të gjinisë apo përkatësisë prindërore”, deklaroi përfaqësuesi i noterëve. Mirëpo, pavarësish pengesës së tyre, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja u shpreh se deri në mbyllje të këtij sesioni parlamentar ky ligj do të miratohet. “Disa nga noterët që kanë sjellë komente fatkeqësisht nuk e di nëse e meritojnë të kenë vulën e shtetit në territor apo se meritojnë. Ne nuk mund të pretendojmë të shkojmë në BE me një projektligj që na çon në krahun e kundërt”, deklaroi Manja. Po ashtu, në komision u vendos që të ketë një monitorim të rreptë të profesionit të noterit, në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave, korrupsionit, terrorizmit apo edhe krimit të organizuar.Kujtojmë që miratimi i ligjit për noterët ishte shtyrë për shkak të mosdakordësinë së Ministrisë së Drejtësisë për numrin e noterëve, ku parashikohet 1 i tillë për 10 mijë banorë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here