Të tjera detaje dalin lidhur me atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit. Tashmë po përflitet se mjeti tip benz që është gjetur i braktisur në Shën Vlash është përdorur nga autorët e vrasjes së Edmond Harizajt, dhe plagosjes së rëndë të Genci Cacës.
Burimet bëjnë me dije po ashtu se ka dyshime që autorët dhe viktimat njiheshin mes tyre, për shkak se makina me të cilën udhëtonin Harizaj dhe Caca ka devijuar rrugën në afërsi të rrugës së Plazhit në Durrës.
Autorët e kanë mirëmenduar skenën, pasi kanë zgjedhur që ta kryejnë atentatin në një zonë të plazhit, qe devijon nga rruga kryesore dhe qe është totalisht me mungesë të ndricimit.
Janë sekuestruar telefonat e dy personave që udhëtonin me audin për të identifikuar ndonjë provë të mundshme nga tabulatet telefonike.
Pra, devijimi nga rruga kryesore ngre dyshimet qe autorët dhe viktimat të kenë komunikuar paraprakisht me njëri tjetrin.
Harizaj, që njihej si një nga miqtë e Emiljano Shullazit, njihej ndryshe dhe me nofkën Edi faqedjeguri, për shkak të një njolle që kishte në fytyrën e tij. Ai ka qenë pronar i një kompleksi banimi në qytetin e Vlorës, ndërsa dyshohet se ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale në qytetin bregdetar.
Ai akuzohet për zhdukjen e Albano Xhaferrit dhe shokut të tij Elvis Troqe, ndërsa ka dyshime se mund të jetë përfshirë dhe në zhdukjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi.
Mësohet se dy personat nga Vlora po udhëtonin nga Tirana drejt qytetit të lindjes kur automjeti tip Audi me të cilin ata po lëviznin është goditur me breshëri plumbash. Në drejtim të mjetit të tyre është qëlluar rret 30 herë nga një armë tip kallashnikov dhe më pas dyshohet se është djegur në Shën Vlash dhe makina me të cilën ata udhëtonin.