Policia e kryeqytetit ka goditur një rast të trafikimit të lëndëve plasëse, duke vënë në pranga dy vëllezër. Në pranga përfunduan, Kastriot Gazidede, 26 vjeç dhe S. Gazidede, 16 vjeç. Arrestimi i dy të rinjve u bë pasi, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Mercedes Benz” me të cilën po udhëtonin dy vëllezërit u gjetën dhe sekuestruan 17 kallëpe tritoli, një armë zjarri automatikë dhe 1.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Menjëherë u bë i mundur shoqërimi për në komisariat i dy të rinjve, mbi të cilët rëndojnë akuzat e “armëmbajtje pa leje”, “prodhim dhe trafikim i lëndëve plasëse” si dhe “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Burime policore bëjnë me dije se në komisariat 26-vjeçari, ka deklaruar në polici se vëllai i tij më i vogël nuk ka pas dijeni për sendet e paligjshme që ai mbante në makinë dhe se nuk kishte informacion për to. Ndërkohë, policia ka vazhduar kontrollet në sajë të operacionit “Ndëshkimi i të fortëve”, ku vetëm disa çaste pas arrestimit të dy vëllezërve uniformat blu bënë të mundur dhe ndalimin e një 45-vjeçari, pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ai po udhëtonte policia gjeti dhe sekuestroi një automatik. Në prangat e bluve të kryeqytetit nën akuzën armëmbajtjeje përfundoi Lulzim Aruci, 45 vjeç.
Operacioni “Ndëshkimi i të fortëve”
Mbrëmjen e së enjtes Policia e Tiranës ka bërë një goditje tjetër në kuadër të operacionit “Ndëshkimi i të fortëve”. Si pasojë e këtij operacioni uniformat blu të kryeqytetit kanë vënë në pranga tre persona, dy prej të cilëve vëllezërit Gizdari. Gjatë këtij operacioni u goditën një rast i trafikimit të lëndëve plasëse dhe prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike si dhe u godit një rast i armëmbajtjeve pa leje. Gjatë këtij operacioni policia ka sekuestruar 17 kallëpe tritol, dy armë zjarri automatikë dhe lëndë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa. Në vijim të Forcës së Ligjit në Territor përgjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve në bashkëpunim dhe me Forcën e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit kanë ushtruar kontrolle në ambiente dhe në akset rrugore të kryeqytetit. Gjatë kontrolleve u arrestuan në flagrancë dy vëllezërit, Kastriot Gazidede, 26 vjeç, banues në Tiranë dhe vëllai i tij i mitur 16-vjeçari S. Gazidede. Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.5, në mjetin tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin Kastriot Gazidede dhe pasagjer vëllainë e tij të mitur shtetasin me inicialet, S. G., u gjetën dhe sekuestruan 17 kallëpe tritoli, një armë zjarri automatikë dhe 1.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa. Lulzim Aruci, 45 vjeç, banues në Shtish. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik. Në sajë të këtij operacioni uniformat blu të kryeqytetit bëjnë me dije se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 17 kallëpe të dyshuara si lëndë plasëse e llojit tritol; 2 armë zjarri automatike si dhe 1.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”./ Elvis MYRTA