Skandal/ Teatri Kombëtar pa kalendar artistik, artistët: Na bënë kontratën, por nuk dimë punën

    0
    532

    Sezoni artistik në Teatrin Kombëtar ka nisur prej kohësh, por nga institucioni nuk ka një kalendar artistik të bërë të ditur për shfaqjet teatrore. Ndryshe nga vitet e kaluara ku Teatri Kombëtar me fillimin e sezonit të ri artistik në vjeshtë kishte dhe kalendarin artistik, ky sezon nuk ka asnjë publikim, me përjashtim të dy premierave teatrore. Deri tani në skenë te “arTurbina” janë shfaqur veprat teatrore “Tag” si dhe “Peng”, kjo e fundit bashkëpunim me teatrin e Durrësit. Në këtë situatë artistët pohojnë se institucioni duhet ti bëjë me dije për kalendarin artistik, sepse ata janë të kontraktuar për punën. Në lidhje me kalendarin artistik pranë Teatrin Kombëtar bëhet me dije se nga institucioni lajmërohen shfaqjet që janë gjatë muajit, pasi sallat te “arTurbina” përdoren dhe për shfaqje të institucioneve të tjera si dhe shfaqje private. Problemi me kalendarin artistik vjen pas problemit me godinën e TK, por për aktorët nuk është e pranueshme. Aktori Neritan Liçaj pohon se nuk ka ndodhur më parë që teatri mos të bënte publik kalendarin artistik. “Drejtori mbase me veten e tij mund ta ketë ndërtuar kalendarin artistik, por fakti që se kanë zyrtarizuar, nuk kanë nxjerr si çdo vit një kalendar dhe repertor për këtë duhet pyetur drejtori dhe ministrja e Kulturës. Unë vetë nuk di asgjë. De facto ai nuk është më drejtor sepse godinën se ka të vetën, sallat jo, ka vetëm trupën, por gjithsesi ai duhet të bënte me dije një kalendar artistik. Dikur kalendari ishte në shtator, por erdhi dhe nëntori dhe nuk besoj të nxirret më kalendar besoj”, pohon aktori Liçaj. Edhe pse në skenë kanë ardhur dy premiera, aktori pohon se drama “Peng” i takon sezonit të kaluar. “Vepra “Peng” i takon sezonit të kaluar teatror. Ka filluar prodhimi para mbylljes së sezonit të kaluar dhe premiera ka dalë në fillim të shtatorit. Këtu s’ka gjë të gabuar, por kjo vepër futet tek premierat e kalendarit të kaluar pavarësisht se doli tani. Dikur kalendari dilte me data të sakta për shfaqjet, prezantohej nga titullari i institucionit, por këtë sezon nuk kemi ende asgjë. Aktorët duhet të dinë se çfarë plani ka me punën,  ka qenë çdo vit.  Të dimë se ku jemi, çfarë projektesh kemi. Duhet të jemi të informuar se çfarë ndodh. Por kjo ka lidhje dhe me problemin e godinës që ka zvarritje”, pohon aktori.

    Të kontraktuar nga teatri

    Edhe për aktoren Anila Bisha mungesa e një kalendari artistik është problem. Aktorja pohon se janë firmosur kontratat me institucionin, por nuk dihet për punën. “Është shumë problem dhe ende nuk ka një kalendar artistik. Unë jam një aktore e Teatrit Kombëtar që kam firmosur kontratën për këtë vit dhe nuk jam në dijeni të asgjëje, që unë do të punoj? Përse ky drejtor më ka bërë këtë kontratë? Nuk kam asnjë lloj informacioni. Nëse ky drejtor erdhi me triumfin, që unë do të bëj një kalendar për Teatrin Kombëtar, se kuptoj pse nuk kemi këtë vit. Ai ne si aktorë na ka kontraktuar, unë i kam pyetur kolegët e mi dhe nuk dimë asgjë. Ne na kanë bërë kontrata dhe se dimë do punojmë  apo thjesht e ka bërë këtë vit për të na mbyllur gojën dhe të thotë më pas ikni që të punojmë privatisht?”, pohon aktorja Bisha. Me punën e saj në teatër aktorja tregon se po bëhen gati 30 vjet, por mungesa e një kalendari nuk i duket normale. “Kjo nuk është normale, sepse unë marr rrogën nga shteti dhe TK nuk më ofron punën. Turbina që pretendohet që do të jetë salla e Teatrit Kombëtar është kthyer në një skenë ku hyjnë dhe dalin. Pra TK është në ajër. Për çfarë më është bërë kjo kontratë. Po vjen nëntori dhe ende nuk ka një kalendar artistik. Çfarë do të ndodhë me trupën? Do të punojnë këta njerëz që ti i ke kontraktuar apo nuk do punojnë? Por dhe që të më bëjnë kontratën dhe të shkoj ti lutem një x regjisori për rol kjo nuk shkon. Unë po bëj gati 30 vjet në Teatër Kombëtar dhe nuk është normale kjo. Këtej na kontrakton dhe këtej nuk na jep punë”, vijon aktorja Anila Bisha. Problemet me jetën artistike sipas aktorëve janë dhe përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, duke nisur që nga buxhetet e pakta për shfaqjet në skena.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here