Skënderbeu me shenja krize, klubi u mbyll gojën lojtarëve para duelit të madh me Partizanin

0
397

Skënderbeu nuk ka gjasa të marrë përgjigje nga Këshilli i Arbitrazhit Sportiv të Lozanës (CAS) para muajit dhjetor, sepse gjykata sportive në fjalë nuk ka caktuar çështje për vendim në muajin nëntor. Në këto kushte, ankthi në gjirin e Skënderbeut sa vjen e rritet, pasi nuk ka siguri për të ardhmen. Mundësitë janë të mëdha që gjykata të lerë në fuqi vendimin e dhënë nga Komisioni i Apelit të UEFA-s, komision që e ka pezulluar skuadrën korçare dhjetë vjet nga kompeticionet e saj europiane dhe i ka vendosur një gjobë të rëndë prej 1 mln eurosh. Kjo pasiguri po reflektohet edhe në ekip, ndonëse ecuria e skuadrës nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi ka qenë mjaft e mirë gjatë fazës së parë. Korçarët po përpiqen të bëjnë maksimumin e tyre në kampionat duke rivalizuar me kundërshtarët e tyre si Partizani, Kukësi, Laçi, Teuta dhe Flamurtari, që janë dhe skuadra që pretendojnë titullin, por dukshëm rivaliteti kryesor është me Partizanin. Edhe pse drejtuesit e skuadrës dhe pjesëtarët e stafit teknik kanë deklaruar se gjërat po funksionojnë normalisht, në radhët e ekipit ka tension. Këtë e dëshmon më së miri vendimi për të pasur heshtje shtypi në prag të duelit të madh të javës së dhjetë me Partizanin. Kjo ndeshje përkon me javën e parë të fazës së dytë. Skënderbeu e fitoi duelin direkt në fazën e parë 1-0, në një ndeshje ku pati mjaft tension e dhunë dhe ku tifozët hynë në fushë, por këtë herë dueli do të luhet në kryeqytet. Siç thonë informacionet që vijnë nga kampi i klubit korçar, para sfidës më të rëndësishme të sezonit deri më tani, skuadra e Skënderbeut ka vendosur të qëndrojë në heshtje. Sfida kundër Partizanit mund të vendosë dhe kreun e renditjes dhe konsiderohet si ndeshja për tu fituar nga të dyja ekipet. Si pasojë, kampionët në fuqi janë në heshtje për shtyp, duke ruajtur përqendrimin dhe fokusin vetëm te ndeshja. Lojtarët, stafi i skuadrës dhe trajneri nuk do të japin asnjë prononcim për mediat, deri në prag të sfidës me “Demat e Kuq”. Aktualisht, është Partizani në vend të parë të renditjes, në kuotën e 22 pikëve, i ndjekur pikërisht nga Skënderbeu, me vetëm 2 pikë më pak. Në rast fitoreje, skuadra korçare do të merrte kreun dhe ndeshja ka një rëndësi shumë të madhe për të dyja skuadrat. Dueli midis tyre do të luhet të hënën dhe stafet teknike po përpiqen të përgatisin si duhet ekipet e tyre me pretendimin për të marrë maksimumin. Është kuptuar qartë tashmë se duelet direkte kanë peshë në ecurinë e skuadrave dhe nëse Partizani e fiton këtë duel do të shkëputet me pesë pikë nga Skënderbeu, një sasi që është e vështirë të përmbyset në vijim, megjithëse gara është ende në hapat e parë dhe ka ende shumë javë deri në fund, ku gjithçka mund të ndodhë. Trajneri Shehi ka zgjedhur rrugën që lojtarët të rrinë larg mediave për të mos krijuar konfliktualitet të panevojshëm me kundërshtarët dhe për të mos i provokuar, pasi edhe kështu është një mënyrë që të ulësh entuziazmin e kundërshtarit që ai të mos jetë i karikuar në ekstrem. Këtë taktikë e kanë ndjekur më parë edhe skuadrat e tjera të kampionatit tonë, sidomos në prag të ndeshjeve derbi. Nga ana tjetër, në Korçë e dinë mirë se ky Partizan është i vështirë të mundet dhe këtë e dëshmojnë statistikat. Me përjashtim të disfatës së parë në javën e parë në Korçë, të kuqtë nuk kanë humbur më asnjë ndeshje dhe bindshëm ata i kanë marrë ndeshjet radhazi me pikë të plota e me pozitivitet, duke qenë me meritë në krye të klasifikimit. Më tej akoma, Partizani ka mbrojtjen më të mirë, ka pësuar vetëm dy gola që nga starti i kampionatit dhe këto shifra tregojnë qëndrueshmëri dhe një skuadër që nuk kapërcehet lehtë. Gjithsesi, pritet të jetë një duel sa interesant aq dhe spektakolar ai i kryeqytetit midis Partizanit dhe Skënderbeut dhe trajneri Shehi me lojtarët e tij korçarë do ta ketë të vështirë këtë transfertë në kryeqytet./Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here