Barcelona “fshin” Interin, Shkëlqen Dortmund, Napoli trondit objektivat e PSG

0
492

Gola, spektakël, emocione dhe natyrisht triumfe të skuadrave të mëdha. Liga e Kampioneve vijon të befasojë hap pas hapi, teksa mbrëmë u luajtën ndeshjet në grupet A, B, C dhe D. Barcelona u përball mbrëmë me Interin në kuadër të xhiros së tretë në grupin B të Ligës së Kampioneve. Katalanasit e dominuan ndeshjen në të gjitha aspektet dhe ishte e pritshme që të kishte një kontroll të madh të topit e shumë aksionet sulmuese. Në pjesën e parë Interi e kaloi me vështirësi gjysmëfushën e tij dhe në një rast të vetëm që arriti të shkonte deri në zonën kundërshtare për pak realizoi gol, por gjuajtja e Perisiç ishte pak centimetra larg traversave. Ishte minuta e 32-të kur Rafinja mundi të shfrytëzojë si duhet gjysmëkrosin e Suarez, duke përshëndetur rrjetën. Entuziazmi ishte i madh, aq sa në tribuna u ngrit në këmbë edhe Mesi me djalin e tij të vogël.

Në pjesën e dytë Interi e balancoi disi lojën, por pa mundur të bëjë diferencë. Barça ruajti nivel të lartë të performancës gjatë gjithë kohës dhe Xhordi Alba shënoi golin e dytë në minutën e 84-t, duke i dhënë fitoren e tretë radhazi ekipit të Barcelonës. Po në të njëjtin grup, Totenhemi rezultoi i pafat ndaj holandezëve të PSV Eindhoven, pasi po e fitonte ndeshjen deri në minutën e 84-t me shifrat 2-1, por dalja me karton të kuq e portierit Lloris në një kohë që ishin bërë të tria zëvendësimet solli dhe barazimin e shifrave. Tashmë Totenhemi rrezikon seriozisht eliminimin. Në grupin A, Klub Bruzh dhe Monako barazuan 1-1 dhe ndanë nga një pikë me njëra-tjetrën për të mos përfituar asnjëra, sepse ndodhen në vend të fundit në grup me nga një pikë. Kurse Borusia e Dortmundit u përball me Atletikon e Madridit, për duelin e kreut. Gjermanët e shkatërruan Atletikon me shifrat 4-0 dhe praktikisht sigurojnë kalimin e grupit. Në grupin C, që është dhe grupi i titanëve, ra në sy dueli i spikatur Paris Saint Germain-Napoli.

Në pjesën e parë Insinje kaloi në avantazh italianët, duke shkaktuar shok tek francezët. Në pjesën e dytë Rui shënoi autogol, duke bërë të barazohen shifrat, por Mertens në minutën e 77-të i dha edhe një herë tjetër avantazhin Napolit. Në sekondën e fundit PSG barazoi shifrat 2-2, por Napoli ruan vendin e dytë me 5 pikë e lë pas PSG-në me 4 pikë. Ndeshja tjetër e këtij grupi, Liverpul-Crvena Zvezeda nuk pati histori, u fitua bindshëm nga anglezët, ku një kontribut të rëndësishëm dha edhe shqiptari Xherdan Shaqiri. Fitoi Liverpuli me shifrat e thella 4-0, ku Salah shënoi dy gola, kurse nga një gol realizuan Mane dhe Firmino. Anglezët marrin kreun me 6 pikë. Në grupin D, në Stamboll u përplas Gallatasarai me Shalken, një ndeshje që u mbyll pa gola e ku gjermanët kanë pesë pikë në vend të dytë e turqit 4 pikë në vend të tretë. Ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo mes Lokomotivës së Moskës dhe Portos, u mbyll me fitoren e thellë të portugezëve 3-1 dhe Porto që ngjitet e para me 7 pikë. Ndeshjet e xhiros së katërt në Champions League luhen pas dy javësh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here